News 24 ka vijuar të ruajë avantazhin e të parit, jo vetëm si televizioni që prezantoi fillimisht një format të tillë, por edhe që ka arritur të tërheqë audiencën kryesore në zhanrin e vet.
Sipas burimeve nga Telemetrix, paraqitja grafike përfaqëson “Share” mesatar të çdo minute gjatë javës 06-12/04/2015 për disa nga kanalet informative (News Channels).Kryesisht kjo tipologji kanalesh ka një trend shikueshmërie të pandryshuar në kohë, pra nuk pëson luhatje të papritura gjatë një jave specifike.
“Kanaliteleviziv News 24 është më i ndjekuri mes kësaj tipologjie kanalesh. Krahasuar me kanalet e tjera të së njëjtës natyrë, ky televizion dominon në shikueshmëri gjatë pothuajse gjithë ditës”, pohon Ermal Çela, Drejtor Operacional i Telemetrix.
“Fasha kohore 07:00 – 08:30, në të cilën shfaqet emisioni ‘Koha për t’u zgjuar’, arrin Rating dhe Share më të lartë për kanalin News 24”, shton Çela. “Emisioni në fjalë në shumicën e rasteve është edhe emisioni mëi ndjekur i mëngjesit, duke lënë pas ‘Wake Up’ – Top Channel apo edhe ‘Aldo Morning Show’ – Klan TV”.
Me ndryshimin e drejtimit, ABC News tentoi të sillte gati dy vjet më parë një model të ri televizioni lajmesh, më afër realitetit duke mos u përqendruar vetëm te politika dhe zyrat qeveritare, njëformat ky, që ka mbërthyer pjesën më të madhe të konkurrentëve të tij. Dhe duket se ia ka arritur qëllimit. ABC News rezulton televizioni i dytë më i ndjekur nga kanalet informative, duke arritur të hyjë në disa orare të caktuara dhe në pesë kanalet më të ndjekura në vend.
Me rritje të audiencës rezulton dhe A1 Report, duke arritur të dalë në segmente të shkurtra kohore mbi ABC News, ndërsa Ora News, pavarësisht investimeve të mëdha, nuk ka arritur të diferencohet mes kanaleve informative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.