Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg është drejtuesi i ri, pasi prokurorët po hetojnë pretendimet për keqpërdorim të fondeve publike
Kancelari austriak Sebastian Kurz ka dhënë dorëheqjen, vetëm disa ditë pasi ai u emërua, teksa ishte i dyshuar në një hetim nga prokurorët e shtetit për korrupsion për përdorimin e fondeve në fushatë.
Në një deklaratë të shkurtër të shtunën në mbrëmje në Ballhausplatz – selia e kancelarisë në Vjenë – Kurz tha se kishte qenë një nder të shërbente si ministër dhe kancelar gjatë karrierës së tij 10 -vjeçare politike.
“Vendi im është më i rëndësishëm se unë”, tha ai, duke përmendur nevojën për stabilitet dhe udhëheqje, teksa Austria po del nga pandemia e koronavirusit. “Kjo nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me Austrinë.”, shkruan Financial Times.
Postin e kancelarit do ta marrë Alexander Schallenberg, ministri i jashtëm aktual dhe një anëtar i Partisë Popullore konservatore të Austrisë, të cilën e udhëheq Kurz.
Kurz do të udhëheqë fraksionin parlamentar të partisë.
“Kurz në të vërtetë nuk po largohet, ai po tërhiqet,” tha konsulenti politik Thomas Hofer. “Mos bëni gabim, ai mbetet në krye të partisë dhe Schallenberg është një nga aleatët e tij më të ngushtë. Do të mendojë për një rikthim. ”
Kurz nuk është akuzuar për ndonjë shkelje, dhe ka deklaruar vazhdimisht pafajësinë e tij në lidhje me akuzat kundër tij dhe anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë.
Sipas informacioneve që rrodhën në media, prokurorët kundër korrupsionit po hetonin nëse Kurz ishte përfshirë në një komplot që kanalizonte në mënyrë të paligjshme paratë e taksapaguesve nga Ministria e Financave në 2016 dhe 2017, kur Kurz ishte ende ministër i jashtëm, drejt mediave miqësore me të, për të blerë mbulim pozitiv dhe për ta ndihmuar atë në drejtimin e kancelarit.
Gjatë 72 orëve të mëvonshme, lajmet e hetimit shkaktuan një krizë politike në Vjenë, duke bërë bashkë partitë e ndryshme politike të opozitës në vend në dëshirën e tyre për të rrëzuar Kurz.
Kjo rënie është e dyta për Kurz: qeveria e tij e parë, e formuar në 2017, u rrëzua në 2019 pasi Partia Popullore e Lirisë e djathtë u përfshi në një skandal për ndikimin rus në mediat austriake.