Eshtë zhvilluar prezantimi i platformave nga ana e kandidatëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në Kuvend, institucion i cili është propozues dhe përzgjedhës për të paktën tre vende vakante. Në total janë paraqitur 15 aplikime të cilët do të kalojnë në votim.
Seanca dëgjimore ka nisur me Vjollca Brahon, e cila ndër të tjera në fjalën e saj u ndal në nevojën që ka rritja e cilësisë së të dhënave statistikore brenda Bankës së Shqipërisë, duke nënvizuar se ky do të jetë edhe një nga fokuset kryesore bazuar në standardet cilësore dhe sasiore. “Shpërndarja e informacionit në përmirësimin e kanaleve të komunikimit me publikun dhe grupet e interesit për të rritur besimin e institucionit, si dhe një rëndësi më e madhe duhet t’i kushtohet konsolidimit të pavarësisë së Bankës duke u përshtatur me statutin e BSH dhe shkëputjen nga ndikimi që ka politika” tha Braho.
Kandidati i dytë, Bardhyl Çeku, u shpreh se aspekti akademik, kontaktet me njerëz të fushës si dhe njohja e mirë makro dhe mikro do ta ndihmojnë atë në përmbushje të përgjegjësisë së marrë si kandidat për anëtar në Këshillin e Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë. Ai nënvizoi se në aspektin e marketingut dhe asaj që transmetohet te publiku nga ana e këtij institucioni, ka vend për përmirësim.
Leontijev Çuçi tha se çështje që duhet të shihen me përparësi janë përafrimi me Basel III, nxitja e kreditimit e cila mbetet ende e dobët. “Riformatimi i BSH në ligjin e ri me objektiv integrimin në BE duhet të mbajë parasysh sfidat që presin vetë BE-në, por edhe realitetin shqiptar. Integrimi i vendit në BE nuk duhet të nënkuptojë futjen e euros, duke zëvendësuar lekun. Përkundrazi integrim në strukturat institucionale të saj, por aspak në zonën e euros, zonë e cila për gjykimin tim do të kërkojë më shumë kohë.
Lidhur me zhvillimet e fundit për forcimin e lekut dhe masat e marrë nga BSH ai u shpreh se është në kahun e BSH për masat, por duhet të ishte bërë një koordinim më i mirë me institucionet e tjera.
“Banka e Shqipërisë, duke parë përgjegjësitë e saj, ndërmori atë hap për pjesën e rënies së euros. Banka dhe procesi u gjykua dhe përfundoi në suazën e politikës monetare. Në dijeninë time nuk pati një raportim për pasojat që pati fuqizimi i lekut. Që të mos hyj në komente më të gjata, në gjykimin tim duhet të ishte koordinuar më shumë me strukturat qeverisës Financat dhe AMF”, tha Çuçi.
Arben Malaj në prezantimin e tij gjatë seancës dëgjimore u shpreh se platforma e tij përbëhet në gjashtë element thelbësorë e para e lidhur me objektivin e Bankës së Shqipërisë që është ruajtja e inflacionit në nivelin 3 për qind. “Elementi i dytë është stabiliteti I sistemit financiar të vendit tonë në t të cilën besoj se duhet të ndalem pak më shumë pasi sistemi jonë bankar ka kaluar sfida jo të lehta duke nisur nga niveli I kredive joperformuese. Banka e Shqipërisë ndjek me kujdes dhe tenton të aplikojë rregullat e Baselit, aktualisht është Basel III por mbikëqyrja e bankave tregtare është një sfidë për sistemin tonë bankar. Personalisht mbroj idenë që e kam ndarë dhe me kolegët në Bordin e Bankës së Shqipërisë që në sistemin bankar tregtare të vendit tonë ka pasur kredi dhënie për arsye jo të mungesës së profesionalizmit por të abuzimit me mandatin e tyre. Ndoshta është koha që Banka e Shqipërisë të mësoja nga eksperienca e bankave të tjera dhe ndoshta është koha të krijojmë “black list”(listë të zezë) për administratorët e bankës tregtare që shesin kredi” tha Malaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.