Kandidati për formimin e qeverisë së re Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.
I nominuari për kryeministër të Qeverisë së mundshme në krye me LDK-në, Avdullah Hoti, duket se po bëhet gati për të marrë drejtimin e ekzekutivit dhe tashmë ka bërë një plan prej mbi 1 miliard euro, i cili do të mobilizohet për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike të Kosovës.
Ish- zëvendësi i Albin Kurtit që tani po pretendon ta drejtojë vet ekzekutivin, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se janë mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.
“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë. Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar”, ka thënë Hoti.
Madje sipas tij, në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës.
“Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re”, tha ai.
Hoti theksoi se kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.