Shkalla e kapitalizimit e sektorit bankar u shfaq e qëndrueshme edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues shënoi një rënie të lehtë në 17.94% nga 18% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
Megjithatë, ai ngelet dukshëm mbi kërkesat minimale bazë të Bankës së Shqipërisë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit edhe këtë tremujor është ndikuar kryesisht nga zgjerimi i investimeve dhe sidomos nga rritja e huadhënies për sektorin privat
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Vlera e kapitalit rregullator të sistemit u rrit më tej dhe arriti në rreth 170 miliardë lekë, 1.7% më shumë që nga fillimi i vitit dhe 9.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Rritja e kapitalit të sektorit është mbështetur sërish nga zgjerimi i fitimeve, megjithëse në tremujorin e parë të këtij viti ato pësuan rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi neto i sektorit bankar zbriti në vlerën e 3.28 miliardë Lekëve, me një rënie prej afërsisht 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse kapitali rregullator ka vazhduar rritjen, rënia e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit edhe për tremujorin e parë ka ardhur sepse aktivet e peshuara me rrezik janë rritur në një masë edhe më të madhe
Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të muajit mars arriti në 948 miliardë lekë, në rritje 2% që nga fillimi i vitit dhe me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkalla e rritjes së vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik reflekton kryesisht rritjen e kreditimit dhe më në përgjithësi një tendencë të bankave për të zgjeruar biznesin.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.
Nga fillimi i këtij viti, bankat kanë përmbushur edhe shtesën konservuese prej 1.5% në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Kjo e ka çuar kapitalizimin minimal në nivel sistemi në 13.5%. Megjithatë, për pesë bankat më të mëdha, që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1.5%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.