Koronavirus, dhe mbyllja që erdhi më pas, ka nxitur tregun e muzikës në ‘streaming’. Nga janari në mars, numri i abonentëve në shërbimet si Spotify dhe Amazon Music është rritur me 35% me bazë vjetore, duke arritur në 394 milionë në shkallë botërore.
Ky është përfundimi i analistëve të Counterpoint.Përveç periudhave të provës falas dhe zbritjeve në tregjet në zhvillim, në këtë rritje ka ndikuar edhe dëgjimi nga shtëpia në smart speaker dhe TV, ndërkohë janë reduktuar orët e dëgjimit në Android Auto të Google dhe Car Play të Apple. Në nivel gjeografik, rritja më e madhe u regjistrua në Azi Paqësor dhe në Amerikën Latine.
Ndër kompanitë, Spotify konfirmohet lider. Në tremujorin e parë, të ardhurat totale të kompanisë suedeze u rritën me 30%, kurse numri i abonentëve, 33%. Ajo ndiqet nga Apple Music, me 21% të abonentëve dhe 25% të të ardhurave. Në vend të tretë, Amazon Music, që në tremujorin e parë ka dyfishuar numrin e abonentëve (+104%), duke fituar një pjesë tregu prej 12%. YouTube numëron 9% të abonentëve totalë dhe Pandora 5%, ndërsa gjithë shërbimet e tjera, në total, përfaqësojnë 19%.
Burimi: ANSA