Karburantet drejt turizmit, Bolv Oil sjell ACCOR, hotel afër Sheshit “Shqiponja”

13/11/2019 11:27 AM 0 komente

ACCOR Hotels, një markë ndërkombëtare hotelerie, do të hyjë në tregun shqiptar me një strukturë akomoduese nën emrin Novotel, që pritet të hapet në vitin 2021.

Në një njoftim për shtyp, kompania bëri të ditur se kjo vjen në partneritet me Bolv Oil Group. Tendenca e kompanive të karburanteve në vend së fundmi ka qenë drejt orientimit në sektorin e hotelerisë dhe turizmit, e nxitur edhe nga një politikë lehtësuese e nisur nga qeveria, sidomos për tërheqjen e emrave brand (markë). Më herët ishte Kastrati Group që njoftoi partneritetin për Hyatt.

Struktura e re akomoduese pritet që të ketë 130 dhoma, ndërkohë që gjithë Novotel Tirana do të ketë mbi 7,000 m² zona të dedikuara për shërbime të integruara. Ndërtesa pritet të vendoset 3 kilometra larg qendrës së kryeqytetit me akses të drejtpërdrejtë në aeroport dhe port afër atij që njihet si rreth-rrotullimi i Sheshit Shqiponja.

“Është hoteli i parë në Shqipëri me të cilin do të punojmë si Grupi Accor – është një hap i madh në zhvillimin e ofertës sonë në Europën Juglindore” – thekson Frank Raul, Shefi i Zhvillimit Accor Europa Lindore.

“Tirana po përjeton një zhvillim të shpejtë, prandaj vizitorët kërkojnë marka hoteliere me cilësi të lartë për të qëndruar në qytet. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur të investojmë në këtë hotel dhe të bashkëpunojmë me Accor Group. Ne besojmë se vetëm duke ofruar cilësi në treg, mund të ketë sukses në të ardhmen. Ne gjithashtu ndiejmë se marka Novotel është padyshim zgjedhja më e mirë për hotelin tonë të parë në Tiranë” shton Olsi Çukaj, nënkryetar i Bolv-Oil Group.

Bolv Oil në renditjen e “Monitor” për 200 kompanitë me fitime më të larta ishte e dyta në sektorin e tregtimit të karburanteve kur në vitin 2018 raportoi një normë fitimi 2.7 % para taksave. Të ardhurat në këtë vit ishin 8 miliardë lekë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of