Kardhiq-Delvinë (Loti 7), ARRSH lidh kontratën me mbikëqyrësin e punimeve

16/12/2019 11:26 AM 0 komente

Në fillim të shtatorit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi se ndërtimi i lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë do të shtyhet pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka të tjera prioritete. Sipas deklaratës së Ballukut në atë kohë kjo shtyrje procesi vjen për shkak  se ka një projekt tjetër i cili është më emergjent. “Ju duhet ta kuptoni që ARRSH nuk bën vetëm rrugë të reja kemi ura, rrugë të cilat mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar” do të shprehej Balluku. Por pavarësisht se Kardhiq-Delvinë dhe konkretisht loti 7 u shty, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vijuar me lidhjen e kontratës për mbikëqyrjen e punimeve në këtë lot. Konkretisht sipas njoftimit ARRSH ka lidhur kontratën me “A & E Engineering”sh.p.k & “MAK Studio” në datë 26 nëntor me një vlerë 15.7 milionë lekë për “Supervizion Punimesh, Ndërtim rruga Kardhiq-Delvinë,Loti 7”.

Në datën 23 shtator pranë Komisionit të Prokurimit Publik është paraqitur ankesa me objekt “Ndërtim Rruga Kardhiq-Delvine Loti 7” nga Gjoka Konstruksion, duke mos rënë dakord me  vendimin e ARRSH për anulimin e projektit.

Procedura për lotin 7 është komplikuar në lotet e tjera të rrugës që janë prokuruar dhe për të cilat ka kontrata në fuqi si loti 4,5 dhe 6 vijon normalisht. Në total sipas ofertave të shpallura fituese rruga pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit pak më shumë se 6.6 miliardë lekë apo rreth 51 milionë euro (1 euro=127 lekë) pa përfshirë këtu edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Fillimisht qeveria deklaroi se do ta ndërtonte këtë rrugë përmes partneritetit publik privat si pjesë e paketës 1 miliardë lekë por më pas vendosi që ta ndërtojë e vetme.

Rruga Kardhiq-Delvinë ka një historik të gjatë zvarritjeje me punimet që nisën në vitin 2008 por që nuk përfunduan plotësisht aksin. Sot janë vetëm 14 kilometra punime të mbetura të cilat do të ndërtohen në vijim përmes tre kontratave që ARRSH ka lidhur dhe është në proces me kompanitë private të shpallura fituese. Në Lotin 7 është parashikuar edhe ndërtimi i një tuneli por që duket se kjo procedurë do të dojë akoma kohë për t’u finalizuar.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of