Karota është perimja e dytë më popullore në botë pas patates, por për vlerat ushqyese, ekspertët e hortikulturës e rendisnin të parën.
Sipas të dhënave të FAO-s, niveli i prodhimit llogaritet në rreth 30 milionë tonë, për të cilën vlerësohet të zihen rreth 1.2 milionë hektarë tonë. Prodhuesi kryesor është Kina (me një të tretën e sipërfaqes botërore të mbjellë me karota), e ndjekur nga Rusia dhe Amerika e Veriut. Edhe për nga sasia e prodhuar kryeson tregu aziatik. Kina prodhon rreth një të tretën e totalit të karotave. Dy vite më parë sasia e prodhuar në fermat kineze i kaloi 10 milionë tonë. Për nga sasia e prodhimit, ajo ndiqet nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave zyrtare, pesë vendet kryesore prodhuese realizojnë rreth 55% të prodhimit botëror të karotës.
Bima e karotës, autoktone në tokat bregdetare të Europës Jugore, është përhapur gjerësisht, përmes kultivimit të saj. Ajo prezantohet sot në tregje në disa qindra varietete. AlphaPërfitimet shëndetësore të saj janë të mirëpërcaktuara dhe shtrihen në një gamë të gjerë çështjesh shëndetësore. Në përgjithësi, karotat janë të rëndësishme për shëndetin e syve, fytyrës, flokët, për rritjen dhe sistemin imunitar. Duke ulur kolesterolin ato mund të parandalojnë sëmundjet e zemrës dhe të reduktojnë rrezikun e disa lloje kanceresh. Një vrojtim i bërë së fundi në Britaninë e Madhe nxori në pah se karota është perimja e freskët më e konsumuar. Rreth 17% e 2,031 personave të pyetur kanë renditur karotën si produktin më të konsumuar të freskët. Në vitin 2005 karota ishte produkti i tretë më i pëlqyer në Britani.
Në bazë të studimit të fundit të kryer nga “Market Research”, vlera globale e tregut, ku përfshihet edhe tregtia e farërave të karotave, llogaritet rreth 130 milionë dollarë, ndërsa ekspertë të bujqësisë mendojnë se vlera reale e tregut është shumë më e lartë.
Tregu ka marrë vlerë së fundi, me zhvillimin e industrisë së përpunimit të karotës. Pesha e lëngut të karotës në tregun e lëngjeve të fruta-perimeve është rritur me ritme të shpejta. “Market Research” vlerëson se nga 5% që zinte dhjetë vite më parë, ajo llogaritet të zërë gati 15% të këtij grupi lëngjesh.
Tregtia e jashtme
Sipas studimit të fundit të tregut, Kina kryeson në eksportin e karotës si për nga sasia edhe për vlera e eksportit vjetor. Nga eksporti i gati 460 mijë tonë karotë në vit, tregu kinez siguron një vlerë prej rreth 147 milionë dollarësh.
Eksportues i rëndësishëm i karotës është edhe Holanda, ndonëse ajo nuk renditet ndër prodhuesit më të mëdhenj të karotës në botë. Sipas të dhënave të FAO-s, tregtia ndërkombëtare e karotës në vitin 2010 ishte rreth 350 mijë tonë. Ndër tregjet importuese vendin kryesor e zënë Kanadaja dhe Europa Perëndimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.