Tregu i kartave të kreditit u bë më konkurrues vitin e kaluar. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave treguan se përqendrimi i tregut tek dy bankat me pjesën më të lartë në këtë produkt pësoi një rënie në 73%, nga 78% që kishte qenë një vit më parë. Ky ndryshim në strukturën e tregut erdhi kryesisht nga rënia e ndjeshme e pjesës së tregut të bankës më të madhe në vend, BKT.
Në fund të vitit 2020, BKT zotëronte 43% të tregut, ndërsa një vit më parë mbante mbi 53% të kartave aktive të kreditit. BKT megjithatë ngelet ende subjekti dominues për këtë produkt, me një avantazh të ndjeshëm mbi bankën e dytë. Raiffeisen vitin e kaluar shënoi rritje në tregun e produktit, duke arritur në 30% të numrit të kartave, nga 25% që të tregut që zotëronte një vit më parë.
Banka e tretë në këtë treg pozicionohet Union Bank, që në fund të 2020 kishte 6% të kartave aktive, me një rritje prej 1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Rritja regjistroi edhe Credins Bank, që fitoi 1 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019 dhe së bashku me Alpha Bank zotëronin 5% të tregut. Rritje të pjesës së tregut vitin e kaluar shënuan edhe Tirana Bank, OTP Bank dhe Intesa Sanpaolo.
Viti 2020 shënoi ecuri negative për kartat e kreditit, kryesisht për shkak të ndikimit të pandemisë. Shumica e bankave shënuan ose rënie të numrit të kartave në vlerë absolute, ose një rritje shumë të lehtë të tyre. Rrjedhimisht, rritja e pjesës së tregut u përcaktua më shumë nga ruajtja e numrit ekzistues të kartave, sesa nga rritja e mirëfilltë e numrit të tyre. Pavarësisht kësaj, në thelb ky treg shfaqi sinjale të rritjes së konkurrueshmërisë dhe rënie të nivelit të përqendrimit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të vitit 2020, numri i kartave aktive të kreditit zbriti në më pak se 109 mijë, në rënie me 4.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo ishte hera e parë në 15 vitet e fundit që numri i kartave të kreditit pëson rënie vjetore. Ato e ndien më shumë efektin e pasojave të pandemisë, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet.
Rënia drastike në udhëtimet mes shteteve ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar më si të domosdoshme. Por, rënia e përkohshme e numrit të tyre mund të jetë ndikuar edhe nga faktorë të ofertës. Kartat e kreditit vlerësohen nga bankat si produkte kreditore, me një rrezik relativisht të lartë.
Pandemia solli rritje të papunësisë dhe pasiguri rreth aftësisë paguese, sidomos për produktet e kredisë kufi, si overdraftet apo kartat e kreditit. Në këto kushte, bankat mund të kenë rritur përkohësisht kujdesin në lëshimin e këtyre produkteve dhe kjo ka ndikuar edhe në uljen e kartave të kreditit aktive.
Megjithatë, gjatë këtij viti, edhe tregu i kartave të kreditit ka ndjekur rimëkëmbjen e shpejtë të aktivitetit ekonomik. Në mesin e vitit 2021, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar u rrit sërish në afërsisht 118 mijë njësi. Që nga fillimi i vitit, numri i kartave të kreditit është rritur me rreth 8%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.