Endri Hasa, Inxhinier Elektronik, ish-drejtor i AKSHI, tha për “Monitor” se afatet për të implementuar projektin e fiskalizimit janë plotësisht të pamundura.
“Nuk ka asnjë lloj mundësie teknike për të arritur afatet e parashikuara për të bërë prodhimin, blerjen, shpërndarjen, implementimin e zgjidhjeve teknike si dhe trajnimin, edhe nëse do të ishim në një situatë ideale, ku çdo gjë do të ishte perfekte.
Kjo mund të ndodhë përveçse në rastin që pajisjet të jenë tashmë të prodhuara dhe magazinuara dhe po presin ligjin për t’u shitur”, sqaron Hasa. Sipas tij, është e pavërtetë që kasat aktuale mund të përshtaten me sistemin e ri.
Sistemi i ri kërkon transmetimin e informacionit në kohë reale, ku ndërveprojnë të dyja palët, biznesi që po shet një produkt apo shërbim dhe Tatimet që aprovojnë këtë transaksion, duke iu përgjigjur me kërkesë elektronikisht me një kod unik.
Kasat aktuale do të dalin jashtë përdorimi, sepse është e pamundur të përshtaten, edhe sot me transmetim një herë në ditë. Ka shumë biznese që kanë probleme transmetimi për shkak të lidhjes. Sa herë të nxjerrin produkt, duhet të fusin të dhënat, pajisja t’i firmosë me firmë dixhitale dhe t’i dërgojë në sistemin e tatimeve, dhe pastaj të presë feedback-un dhe kodin unik, në mënyrë që fatura të printohet dhe që biznesi mund ta shesë produktin”, – argumenton Hasa.
N.q.s. do të kishte vullnet real për të përmirësuar procedurat dhe për të bërë fiskalizimin, do të fillonin punën nga biznesi i madh, siç dhe ka ndodhur dhe më parë kur është futur deklarimi elektronik në sistemin e Tatimeve, para dhjetë vitesh, ku puna filloi nga biznesi VIP, pasi ato biznese kanë mundësinë dhe luksin që të punësojnë dikë që të merret me kërkesat e reja të administratës. Në ligj nuk është parashikuar asnjë projekt pilot, asnjë periudhë testimi, por dëshirohet të imponohet me ligj fakti që nga 1 janari, gjithkush të ndërrojë pajisjet fiskale, shton Hasa.
Për më tepër, nuk ka asnjë vlerësim se çfarë do të bëhet me konektivitetin në të gjitha pikat që ndodhet biznesi. Gjithashtu biznesi i vogël nuk ka njohuri të mjaftueshme për të menaxhuar teknologji të reja. Çdo parashikim i bërë për rastet kur nuk punon pajisja dhe për rastet kur nuk ka internet, barra për ta vërtetuar atë do t’i ngelet biznesit dhe ofruesve të shërbimeve. Për kalimin e faturave nga dokumente në letër në sistem elektronik duhet punë dhe ka raste ku vende shumë të zhvilluara kanë pasur vështirësi. Italia e nisi në janar të këtij viti dhe ka pasur problematika të pafundme që ende nuk i kanë zgjidhur.
Dhe në asnjë rast, transmetimi në kohë reale nuk është shtrirë deri te kasat fiskale. Konceptimi i këtij sistemi, duhet të fillohej, së pari nga biznesi i madh, për të shkuar pas disa vitesh tek i vogli. Dhe është fakt që volumin monetar të transaksioneve e bëjnë bizneset e mëdha dhe vlera e bizneseve të tjera është shumë e vogël. Por qeveria nuk do të kontrollojë të mëdhenjtë por i turret të kontrollojë dhe ata me të dobëtit që janë dhe bizneset që qarkullojnë më pak para.
Biznesi do të përballet me kosto të larta
Deri më tani, bizneset shqiptare kanë paguar tashmë, për kasat fiskale rreth 60-70 milionë euro. Për t’u lidhur me sistemin e ri, biznesit do t’i nevojitet t’i hedhë në kosh kasat e vjetra dhe të marre një pajisje informatike, e cila duhet të përshtatet me sistemin dhe të transmetojë në kohë reale. Vetëm firma dixhitale e imponuar me sistemin e ri është një taksë më vete, nga 50 deri në 100 euro në vit. Kostoja do të jetë e tmerrshme, 160 mijë kasa aktuale do të duhet të zëvendësohen me të reja, me një kosto prej 400 euro minimumi.
Printerët fiskalë, që do të lidhen me kompjuterin është një kosto tjetër, apo edhe kostoja për blerjen e paketës softuer si dhe interneti i shpejtë dhe i pandërprerë. Vështirësi të mëdha do të ketë për trajnimin dhe përdorimin, sepse biznesi është në gjithë Shqipërinë dhe përdoruesit kanë nivele të ndryshme nga ana e njohurive. Do të jetë e pamundur për të garantuar shërbimet e transmetimit dhe bizneset e zonave më të largëta dhe të varfra do t’u duhet të paguajnë më shumë për lidhjen në internet se bizneset në qytet.
Po të kthehemi te firma elektronike, që qeveria të lëshojë 160 mijë certifikata në aq pak kohë sa pretendohet është e pamundur. Kjo do të kërkonte ngritjen e një strukture ‘ad-hoc’ që përgjigjet për këtë gjë çdo vit. 160 mijë certifikata, që duhet të menaxhohen çdo vit, pa llogaritur tarifën. Sa sportele duhen, sa njerëz, sa burime njerëzore, dhe sa kohë duhet të harxhohet për t’u bërë kjo deri në 1 janar? Kjo për mua fsheh koncesionin e radhës për ofrimin e këtij shërbimi.
Se çfarë do të ndodhë kur të gjithë këto biznese të transmetojnë në kohë reale dhe nëse e përballon këtë sistemi, është ende çështje që duhet vlerësuar. Unë jam i bindur që qeveria nuk ka bërë asnjë lloj analize se si do të arrihet fiskalizimi dhe qëllimi i vetëm është krijimi i një monopoli të ri për shitjen e pajisjeve të reja fiskale si dhe koncesioneve të reja për lëshimin e certifikatave elektronike dhe menaxhimin shërbimeve që do t’i ofrohen biznesit për shkak të detyrimeve të ligjit të ri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.