Katastrofa Covid-19  në Indi

14/05/2021 10:00 PM 0 komente

Vala e dytë gjigante në Indi është një katastrofë për vendin dhe botën. Shpërqendrimi dhe pasiviteti i qeverisë e kanë përkeqësuar gjendjen

 

14 prilli ishte një ditë e rëndësishme për Indinë. Besimtarët e hinduizmit dhe sikhizmit u mblodhën për të festuar Vitin e Ri. Shumë myslimanë e nisën ditën e parë të Ramazanit duke festuar deri natën vonë me miqtë dhe familjen. Në Haridwar, një qytet tempull ku këtë vit do të mbahet Kumbh Mela, një festival hindu që konsiderohet si tubimi më i madh fetar në botë, midis 1 dhe 3 milionë njerëz u dyndën për t’u zhytur sipas ritualit në lumin Ganges, shkruan The Economist.

Dhe në të gjithë vendin, numri i njerëzve që testuan pozitivë për Covid-19 kapërceu për herë të parë shifrën 200,000 në një ditë të vetme. Ky numër ka vazhduar të rritet, duke arritur në mbi 400 mijë  persona – shifra më e lartë ditore në botë në çdo periudhë të pandemisë. Shumë njerëz kanë hedhur dyshime se numri zyrtar i të vdekurve është nënvlerësuar masivisht. Ndërkohë, krematoriumet nuk po e përballojnë dot fluksin e trupave të pajetë.

Kjo valë e dytë e tmerrshme është një katastrofë jo vetëm për Indinë, por edhe për botën. Duke lejuar që virusi të qarkullojë i pakontrolluar, rritet rreziku që të shfaqen variante të reja të rrezikshme. Një variant shqetësues i zbuluar për herë të parë në Indi, i quajtur “mutant i dyfishtë”, është zbuluar tashmë në disa vende të tjera, përfshirë Amerikën dhe Britaninë. Edhe teksa shkencëtarët përpiqen të kuptojnë sa i madh është një kërcënim i caktuar, po vazhdojnë të shfaqen më shumë variante.

Një pasojë më e menjëhershme e valës së dytë të Indisë për pjesën tjetër të botës janë problemet me furnizimet e vaksinave. India kishte shpresa se do të bëhej farmacia e botës. Por me shpërthimin e infeksioneve, qeveria ka kufizuar eksportet e vaksinave.

Në gjysmën e parë të prillit, India dërgoi vetëm 1.2 milionë doza jashtë vendit, krahasuar me 64 milionë në tre muajt e mëparshëm. Instituti Serum i Indisë, një kompani private që prodhon vaksinën AstraZeneca, ka shkelur detyrimet ndaj Britanisë, Bashkimit Europian dhe COVAX, në zotimin për të furnizuar më shumë vaksina në të gjithë botën. Vendet afrikane që i kishin varur shpresat tek India për sigurimin e vaksinave, kanë mbetur të tronditura.

Me qytetet e mbipopulluara dhe një kujdes shëndetësor të paqëndrueshëm, India nuk është në një pozicion të mirë për të frenuar një sëmundje infektive. Megjithatë, disa pjesë të vendit për njëfarë kohe e ngadalësuan me sukses transmetimin. Vdekjet nga vala e parë e pandemisë, e cila arriti kulmin në shtator, ishin çuditërisht të ulëta, për arsye që ende nuk janë të qarta. Dhe kryeministri Narendra Modi, vendosi menjëherë një karantinë mbarëkombëtare në fillim të pandemisë, megjithëse nuk u kujdes për miliona punëtorë emigrantë të cilët mbetën të papunë dhe u detyruan të riktheheshin në fshatrat e tyre, duke përhapur edhe Covid-19.

Me pak fjalë, deri në fillim të këtij viti, qeveria e Indisë, ashtu si shumë të tjera, në luftimin e pandemisë, ka pasur rezultate që lënë për të dëshiruar, por jo katastrofike. Megjithatë, mes pasivitetit dhe shpërqendrimit, Modi ka lejuar që gjërat të dalin jashtë kontrollit. Në janar, ai mburrej, “Ne jo vetëm që i zgjidhëm problemet tona, por gjithashtu ndihmuam botën për të luftuar pandeminë”. Megjithatë, në fillim të marsit, ndërsa rastet nisën të rriteshin në shtetin Maharashtra, të drejtuar nga opozita, qeveria e tij, në vend që të ofronte ndihmë, sulmoi qeverinë e shtetit me shpresën për ta rrëzuar atë.

 

Çfarë ndodhi

Përpjekjet e pareshtura të zotit Modi për të arritur avantazh partiak, kanë qenë gjithashtu të dukshme në Bengalin Perëndimor, një nga katër shtetet që mbajnë zgjedhjet këtë muaj. Ai dhe përkrahësit e tij, ashtu si rivalët e tyre, kanë mbajtur tubime të panumërta gjatë një fushate disa javore, pa maska ose distancim social. Kjo rrezikon të përhapë pandeminë midis 100 milionë banorëve të shtetit, por gjithashtu e ka shpërqendruar qeverinë nga luftimi i përhapjes së sëmundjes. Amit Shah, ministri i Brendshëm dhe krahu i djathtë i zotit Modi, ishte pjesë e fushatës politike për 12 ditët e para të prillit.

Kjo mund të shpjegojë pse politika e vaksinave të zotit Modi ka qenë kaq e turbullt. Nga mesi i shkurtit, qeveria kishte porositur një sasi dozash që mbulonte vetëm 3% të popullsisë (pa llogaritur ato që pret të marrë nga Covax).

Duke qenë të etur për të promovuar aftësitë shkencore të Indisë, rregullatorët miratuan Covaxin, një vaksinë e prodhuar në vend, para se të përfundoheshin të gjitha provat e nevojshme, edhe pse ndërkohë këmbëngulnin se dozat e marra nga vendet e tjera do të plotësonin nevojat. Më pak se 10% e popullsisë e ka marrë dozën e parë të vaksinës. Kjo është më shumë se përqindja në shumë vende të tjera, por India është një prodhues i madh i vaksinave dhe mund të kishte bërë shumë më mirë se kaq.

Ka shenja përmirësimi. Më 13 prill, qeveria njoftoi miratimin e shpejtë për importet e vaksinave që janë miratuar nga vende të ndryshme të pasura. Këtë javë, ajo tha se do të ofronte rreth 400 milionë dollarë për të ndihmuar Institutin Serum të rrisë prodhimin e vaksinave. Partia Bharatiya Janata (BJP) e zotit Modi i anuloi tubimet e mëdha zgjedhore më 18 prill. Dhe më 19 prill, qeveria azhurnoi politikën e saj të vaksinave për të lejuar këdo mbi moshën 18 vjeç të vaksinohej, duke filluar nga muaji tjetër.

Megjithatë, kjo nuk është shumë e dobishme, duke pasur parasysh mungesën e furnizimit me vaksina në pjesën më të madhe të vendit. Disa shtete tashmë nuk kanë më doza. India po vaksinon vetëm 3 milionë njerëz në ditë, ose 0.2% të popullsisë, pothuajse sa disa vlerësime të përafërta të numrit real të infeksioneve ditore. Edhe nëse prodhimi i vaksinave rritet ose nga jashtë vijnë më shumë doza, vala aktuale është shumë e fortë për t’u ndalur vetëm me vaksinime.

Zoti Modi gëzon autoritet të jashtëzakonshëm në vend, pasi ka fituar zgjedhje të njëpasnjëshme. Ai është kryeministri më i fuqishëm i Indisë që prej një brezi. BJP kontrollon të dyja Dhomat e Parlamentit dhe drejton shumicën e qeverive të shtetit. Ky është pikërisht momenti i duhur për të shfrytëzuar gjithë këtë ndikim.

Zoti Modi duhet të imponojë menjëherë kufizime të rrepta në tubimet masive – përfshirë ngjarjet fetare që ai i promovon si pjesë e ideologjisë hindu-nacionaliste. Ai gjithashtu duhet të kufizojë udhëtimet brenda vendit, por duke mos i braktisur punëtorët emigrantë, siç bëri në karantinën e parë. Ministri i Shëndetësisë, i cili mendon se sëmundjet mund të shërohen me urinën e lopës, nuk duhet të qëndrojë më në atë post.

Duhen gjetur shpejt mënyra për të rritur prodhimin e vaksinave. Kjo nuk do të thotë se duhen kontrolluar firmat private, ose prodhimi i tyre, por ato duhet të ndihmohen për të siguruar furnizimet që u nevojiten nga vende si Shtetet e Bashkuara. Në qoftë se vala e dytë e Indisë nuk vihet nën kontroll, e gjithë bota do të vuajë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of