Autoritet serbe kanë planifikuar “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës, duke u kërkuar bizneseve ushqimore dhe barnatoreve largimin e të gjitha mallrave nga vitrinat. Nga 1 korrik shumica e dyqaneve në këtë pjesë të vendit nuk do të punojnë.
Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri të Kosovës, Radosh Petroviq ka deklaruar se nga e hëna më 1 korrik, dyqanet ushqimore, kioskat, madje edhe furrat e bukës në këtë pjesë të vendit nuk do të punojnë.
Ai ka thënë se kjo u vendos në një takim të bizneseve private, për shkak të taksës prej 100 për qind mbi produktet serbe në nëntor të vitit të kaluar.
Mediat lokale atje kanë raportuar se në shumicën e dyqaneve që kanë vizituar ka mungesë të produkteve të qumështit, mishit e vezëve.
Për këtë çështje të enjten është diskutuar edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Partia opozitar “SDP Oliver Ivanoviq” ka propozuar miratimin e një deklarate të përbashkët. Por kryetari i Komunës, Goran Rakiq, ka thënë se fillimisht do të takohet me biznesmenë dhe qytetarë, para se të marrin ndonjë vendim.
Serbia është duke përgatitur një skenar për një “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës. Në këtë pjesë të vendit po planifikohet inskenimi i mungesës së produkteve ushqimore.
Me plan parashikohet që të boshatisen të gjitha dyqanet, marketet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave.
Mësohet gjithashtu se për të hënën është planifikuar të organizohet konferencë me medie në veri të Mitrovicës, ndërsa janë ftuar edhe ato të Beogradi, ku njerëz të caktuar do ta pasqyrojnë “gjendjen e rëndë, katastrofën humanitare në pjesën veriore të Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur deklaratën që Kosova ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”. Siç ka thënë ai në një konferencë për media, pas mbledhje së Qeverisë, në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen.
Kryeministri Haradinaj, ka theksuar që ekzistojnë tendenca që Kosova të shtyhet që t’i mbyllë sytë përballë kontrabandës.
“Nuk guxojmë që ta lejojmë këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor, por për shkak të kontrabandës, sepse në atë mënyrë mund të barten edhe narkotikët, armët dhe produktet tjera. Kemi detyrim që ta vendosim rendin dhe ligjin në veri”, ka thënë Haradinaj.
Kosova, në nëntor të vitit të kaluar, ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.
Kurse në fund të muajit maj Policia e Kosovës ka ndërmarrë nja aksion në veri të vendit, me ç’rast janë arrestuar 19 zyrtarë të policisë, prej të cilëve 11 të përkatësisë serbe, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë, nën dyshimin për pjesëmarrje në grup kriminal, keqpërdorim të pozitës zyrtare, kontrabandë me mallra dhe dhënie të mitos.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.