“Katastrofë shëndetësore”, mjekët reagojnë ndaj rritjes së rasteve të koronavirusit në Serbi

07/08/2020 10:02 PM 0 komente

Me qindra mjekë në Serbi kanë dhënë sinjalin e alarmit pas një rritje të rasteve me COVID-19. Duke e cilësuar situatën si një “fatkeqësi shëndetësore”, ata i bënë thirrje qeverisë të shkarkojë personelin e saj që menaxhon koronavirusin.

Grupi prej 350 mjekësh ka dërguar një letër të hapur duke kërkuar nisjen e një hetimi mbi vendimet që ata besojnë se kanë shkaktuar një shpërthim të ri të sëmundjes. “Braktisja totale e masave për të luftuar epideminë në periudhën parazgjedhore (mitingje, ndeshje sportive, turne, festime) shkaktoi humbjen e kontrollit të situatës epidemiologjike dhe kjo nuk mund të justifikohet me arsye profesionale”, shkruan ata.

Revoltimi vjen pasi qeveria serbe së fundmi mohoi akuzat se ka fshehur shkallën e vërtetë të ndikimit të COVID-19, në një përpjekje për të vazhduar me zgjedhjet parlamentare. Rastet filluan të rriten pas votimit të 21 qershorit, ku Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, fitoi me një shumicë të thellë.

Serbia imponoi një karantinë të rreptë më 15 mars. Ajo i lehtësoi kufizimet në fillim të majit për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj izolimit dhe pavarësisht paralajmërimeve të mjekëve se ishte shumë herët. Pasi rastet kulmuan pas zgjedhjeve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi nisjen e një karantine të re, të cilën pastaj e tërhoqi pas protestave.

Sipas të dhënave zyrtare, 491 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në këtë vend me 7 milionë banorë, por kritikët e qeverisë e kanë akuzuar atë se e ka ulur këtë shifër. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) zbuloi se Beogradi e kishte zvogëluar numrin e vdekjeve të raportuara nga COVID-19 me gati 400, midis 19 marsit dhe 1 qershorit.

Mjekët që shkruan letrën e hapur shtuan se dëshironin të shpreheshin “publikisht sepse nuk shohim zgjidhje tjetër për fatkeqësinë e shëndetit publik që po përjeton aktualisht vendi ynë”. Njësia e krizës i shpërfilli këto kritika.
“Të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre”, u përgjigj epidemiologia Darija Kisic në një konferencë për shtyp. “Fatkeqësisht, në letër, ne nuk shohim asnjë emër të një mjeku i cili është specializuar për sëmundjet ngjitëse”.

Njësia e krizave më parë e kishte pranuar se numri i vdekjeve ishte “pa dyshim më i lartë” sesa numri zyrtar, sepse pacientët mund të kenë vdekur “pa u testuar”. Sistemi shëndetësor serb po vuan nga një eksod masiv, ku stafi mjekësor i kualifikuar, por i papaguar mjaftueshëm, ka emigruar jashtë, sidomos drejt Gjermanisë. Sipas portalit të informacionit ekonomik novaekonomija.rs, në vend mungojnë 3.500 mjekë dhe 8,000 infermierë.

Protestat

Më 7 korrik, në Beograd shpërthyen protesta masive pasi presidenti Aleksandër Vuçiç njoftoi se qeveria do të impononte sërish një karantinë të rreptë në vend, për shkak të rritjes së rasteve të koronavirusit. Kjo ndodhi vetëm dy javë pasi Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiç fitoi zgjedhjet parlamentare jodemokratike, të cilat Bashkimi Europian i pranoi me gatishmëri.

Policia ushtroi forcë brutale ndaj protestuesve, duke sulmuar me gaz lotsjellës dhe duke arrestuar protestues të paarmatosur dhe paqësorë, madje duke rrahur edhe kalimtarë pasivë. Mediat në Serbi dhe në Perëndim i cilësuan menjëherë protestat si revoltë kundër karantinës, por kjo nuk ishte aspak e vërtetë.

Shkaku i menjëhershëm i protestave ishte zemërimi i qytetarëve ndaj vendimit të Vuçiç për të hequr karantinën fillestare në maj dhe për të krijuar idenë se e kishte frenuar me sukses përhapjen e virusit përpara zgjedhjeve të 21 qershorit, duke arritur kështu përfitime politike, por gjithashtu duke lejuar rritjen e rasteve të koronavirusit dhe numrit të vdekjeve.

Por rrënjët e mosbindjes masive civile burojnë nga vite të tëra pakënaqësie midis serbëve të të gjitha sferave të jetës, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës korrupsioni, shtypja e mediave, politikat neoliberale dhe tendencat autoritare të sundimit të Vuçiç. Kjo rezistencë civile është shumë e ngjashme me revolucionin që përmbysi Sllobodan Millosheviçin në tetor 2000.

Në fillim, përgjigjja e Serbisë ndaj pandemisë ishte me ndërgjegjësim dhe sistematike. Një karantinë e plotë dhe kontrolle të rrepta kufitare u vendosën më 15 mars, kur rastet e konfirmuara ishin ende të pakta.
Më pak se dy muaj më vonë, në prag të zgjedhjeve të qershorit, qeveria i dha fund gjendjes së jashtëzakonshme pa ndonjë sqarim të qartë epidemiologjik.

Menjëherë, Serbia kaloi nga një prej karantinave më të rrepta në botë, në evente masive që nxisin përhapjen e virusit, përfshirë një ndeshje gjysmëfinale e Kupës së Futbollit të Serbisë me 20,000 tifozë. Së bashku, zhvendosja e papritur nga karantina në tubime të mëdha dhe rënia e rreme e rasteve të COVID-19, i shërbenin një gënjeshtre të thjeshtë: Qeveria e kishte mposhtur virusin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of