Ndërkohë që disa vende europiane po hapin sitet kulturore, si pjesë e daljes graduale nga lockdown, autoritetet në Itali po gjejnë mënyra inovative për t’u dhënë siguri vizitorëve ndërkohë që shohin monumentet e muzetë…
Katedralja shekullore në Firence, Santa Maria del Fiore, Duomo madhështor, u hapën për vizitorët më 22 maj, pasi mbyllën dyert më 10 mars për shkak të lockdown. Për t’u dhënë siguri, në hyrje të kompleksit të katedrales, vizitorët pajisen me një sensor ‘wearable’ që vihet në qafë për të ruajtur distancimin social dhe për t’i ndihmuar që të qëndrojnë larg njëri-tjetrit ndërkohë që vizitojnë veprat e artit të Rilindjes së muzeut dhe mrekullitë arkitekturore.
Sensori i vogël do t’u ofrohet vizitorëve sapo të mbërrijnë, pa kosto shtesë. Ai do të japë një alarm akustik, do të vibrojë dhe do të lëshojë dritë nëse shkelen rregullat e distancimit fizik, ose ndryshe nëse vizitorët do të gjenden brenda rrezes prej dy metrash njëri nga tjetri.
Këta sensorë janë anonimë, nuk gjurmojnë të dhënat personale dhe do të dezinfektohen nga një përdorim te tjetri – konfirmoi muzeu në një deklaratë. Një hyrje të kompleksit, vizitorëve do t’u matet gjithashtu temperatura.
Përveç sensorëve të distancimit social, Duomo u kërkon gjithë vizitorëve që të vënë maskën. Dezinfektuesit do të jenë të disponueshëm brenda gjithë kompleksit. Për të shmangur kontaktet, vizitorët duhet t’i blejnë biletat online dhe t’i shfaqin ato në smartphone.
Lorenzo Luchetti, drejtori i përgjithshëm i Opera di Santa Maria del Fiore, i cili administron katedralen, tha se rihapja shënon një moment historik për Italinë, pas pandemisë së koronavirusit, e cila u ka marrë jetën më shumë se 33 mijë personave.
Drejtuesi i Muzeut të Duomos, Timothy Verdon, tha se katedralja është e para në botë që përdor një pajisje të tillë brenda në muze dhe shtoi se numri i vizitorëve do të jetë i reduktuar, në përputhje me masat e vazhdueshme të distancimit social. Duomo është një nga atraksionet më të vizituara në Itali, e cila bën pjesë edhe në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.
Ndërkohë në Romë, ndërsa muzetë kanë filluar të mirëpresin vizitorët, kryebashkiakja Virginia Raggi tha se rezervimet online dhe maskat do të jenë të detyrueshme. Vizitorëve po ashtu do t’u matet temperatura para se të hyjnë.