Mali i Dajtit është pjesa më atraktive e Kryeqytetit për fundjavat në natyre, por së fundmi disa projekte po kthejnë turizmin e organizuar në zonë me gjasë rritjen e vlerës së fitimeve. Pas itinerareve të të ecjes, shtigjeve për biçikletat është bërë aktiv këtë verë parku i aventurave dhe shumë shpejt do të funksionoje edhe hedhja me parashutë. Projektet janë iniciuar nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, e cila ka në proces realizimi krijimin e një zone për hedhjet me parashutë në pjesën e “Ballkonit të Dajtit”.
Në ditët e sotme, aeronautika, hedhjet me parashutë dhe të gjitha sportet ajrore po konsiderohen gjithmonë e më shumë si sporte jo ekstreme dhe më shumë si aktivitete rekreative për brezat e rinj.
Momentalisht ekzistojnë 5 Aero-Clube dhe Federata të Aerodinamikës. Rritja e dashamirësve të këtij sporti e bën të domosdoshme ndërtimin e një zone fluturimi. Në këtë kontekst APR propozon Ballkonin e Dajtit si një vend ideal, të zgjedhur nga specialistët për një sërë arsyesh si; afërsinë me qytetin e Tiranës, kushtet e favorshme atmosferike dhe mundësitë e shumta të akomodimit. Në fund të muajit të kaluar është përuruar Parku i Aventurave i pari i këtij lloji në vendin tonë.
Parku i aventurave ofron 7 kurse të nivele të ndryshme për fëmijë dhe të rritur me nivele të ndryshme vështirësie.
Përveçse se një ofertë mjaft argëtuese për të apasionuarit e turizmit të aventurës, parku i aventurës do të çojë të ardhura të konsiderueshme, bashkisë së Tiranës.
Argëtimi për dy orë i një fëmije kushton 1 mijë lekë ndërsa për një të rritur bileta është 1 mijë e 400 lekë.
Në Dajt tashmë ka edhe një zyrë informacioni të posaçme për turistët për të informuar ata për shtigjet dhe mënyrat e tjera argëtuese për të kaluar kohen e lirë.
Kryeqyteti është i pasur me burime turistike në rrethinat e saj, të cilat ende nuk janë maturuar. Por vitet e fundit tendenca për të zëvendësuar fundjavat në Durrës me udhëtime eksploruese ka shpresë për shndërruar këto zona në objekte të mirëfillta turistike edhe me leverdi ekonomike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.