Katër sektorët me potencial për investimet

06/12/2019 10:06 PM 0 komente

Agropërpunimi, turizmi, burimet natyrore dhe zonat e lira ekonomike janë cilësuar si sektorë me potencial, ku qeveria duhet të orientojë vëmendjen për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte. Sot, në letër janë projekte me vlerë 2 miliardë euro, që kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik, por më pak se 1/3 e kanë përfituar atë. E teksa mundësitë janë të shumta dhe investitorët janë të ndërgjegjshëm për këtë, ata kërkojnë plotësimin e disa kushteve, së pari qëndrueshmëri më të madhe të politikave

 

Shqipërisë po i mbaron “oksigjeni” i Gazsjellësit Trans Adriatik dhe ai i hidrocentraleve mbi lumin Devoll, duke e lënë vendin në një udhëkryq për faktin se si do të mbështetet rritja ekonomike në vijim. Banka Botërore do ta vinte theksin, për herë të parë, gjatë vitit 2011, në një botim special se modeli ekonomik duhet të ndryshonte me urgjencë, duke u orientuar drejt eksporteve.

Për Bankën, në atë kohë, Shqipëria kishte nisur të lulëzonte mbi model koncesionesh HEC-esh dhe fokusi ndoshta duhet të zhvendosej te rritja e produktivitetit në ekonomi, duke mbështetur më shumë investime që, në finale, jepnin produkte me vlerë të shtuar për eksport. Nga ai moment e në vazhdim, këshillat e institucioneve financiare kanë qenë të njëjta, duke kërkuar me këmbëngulje një model ekonomik më të qëndrueshëm.

Qeveritë e kanë bërë veshin shurdh, duke zgjedhur që përparësi të politikave të kenë sërish koncesionet, këtë herë të “reformuara” nën emërtimin Partneritete Publike-Private. Sot, teksa rezultatet e këtyre nismave janë të dukshme me një kosto të jashtëzakonshme për taksapaguesit shqiptarë dhe me një kontribut negativ në ekonomi, duket se debati po shkon sërish drejt pyetjes: Ku do të orientohet rritja ekonomike dhe kanalizimi i Investimeve të Huaja Direkte?

 

Këshilli i Investimeve nxjerr katër sektorë prioritarë

Sekretariati i Këshillit të Investimeve vlerësoi së fundmi në një dokument analitik se pak sektorë mund të shërbejnë si një ofertë e hapur për ata që duan të investojnë në Shqipëri. Analiza e Sekretariatit u hartua në bazë të takimeve të zhvilluara me sipërmarrës dhe drejtues të rëndësishëm kompanish në vend, duke marrë prej tyre përshtypjet mbi sektorët që shihen me më shumë potencial.

 

Agropërpunimi

I pari është agropërpunimi. “Agropërpunimi perceptohet si një sektor ku ekzistojnë potenciale për investime të reja si p.sh. në investime në përpunimin e produkteve dhe fruta-perime “niche” me vlerë të shtuar për eksport dhe për tregun vendas (Made in Albania), apo përpunimi në vend i bimëve mjekësore etj. Vitet e fundit, vërehet rritje e eksportit të bimëve, rrënjëve, luleve dhe gjetheve zbukuruese, çajit dhe erëzave si dhe rritje e eksporteve në produktet bujqësore të përpunuara, si përpunimet e zarzavateve dhe frutave” – nënvizon Këshilli i Investimeve.

 

Turizmi

I dyti në sektorët e renditur me potencial është turizmi. Ky i fundit, i nxitur nga shifrat në rritje të turistëve të huaj drejt Shqipërisë, është mbështetur me një paketë speciale që lehtëson barrën e taksave për investitorët, sidomos ata që cilësohen si brand name apo marka. Pavarësisht zhvillimeve të përgjithshme në letër, operatorët e sektorit të turizmit kanë theksuar se problematika më e madhe që hasin është infrastruktura, çka bën që Shqipëria të humbë pikë në sytë e turistëve të huaj, ndërkohë që gjendja të papërgatitur për një fluks të lartë turistësh ka bërë që shërbimi të cilësohet shpesh si i dobët.

Këto përshtypje i ka marrë edhe vetë Sekretariati i Këshillit të Investimeve. “Turizmi përbën 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri. Ndërkohë, sfida e turizmit kundrejt arritjes së potencialit që përfaqëson, kushtëzohet nga progresi i infrastrukturës, ruajtja e ekosistemeve, kapacitetet akomoduese, cilësia e shërbimeve, oferta dhe produkti turistik. Theksojmë se këta faktorë kanë frenuar disi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, duke i lënë vend një zhvillimi të pakontrolluar e kaotik që faktikisht e ka mbajtur në këmbë këtë industri, por duke rrezikuar ndoshta qëndrueshmërinë e tij në terma afatgjatë” – thuhet në dokument.

 

Burimet natyrore

I treti ndër sektorët që shfaq potencial në vend janë burimet natyrore. Teksa për hidrokarburet dhe hidrocentralet, Shqipëria tashmë ka një listë të gjatë investitorësh, disa raste suksesi e disa dështimi, listës i janë shtuar edhe mundësi të reja. Përftimi i energjisë nga dielli apo era janë sot më afër realizimit të projekteve konkrete. Kjo lidhet më së shumti me një detyrim të Shqipërisë për të siguruar që deri në vitin 2020, të paktën 38% e energjisë do të vijë nga burimet e rinovueshme.

Në sektorin e hidrokarbureve vlerësohet se ka ende mundësi për zhvillim dhe se pasuria e nëntokës mund të optimizohet më mirë. “Eksplorimi dhe nxjerrja e burimeve të tilla është e kushtueshme (duke kërkuar investitorë të rëndësishëm dhe seriozë), fuqi punëtore të kualifikuar dhe një formulë të kombinuar që optimizon sasinë e nxjerrë, të ardhurat për buxhetin e shtetit dhe fitimet për kompanitë. Sektori është thelbësor për ekonominë, pasi është një nga kontribuuesit kryesorë në eksportet shqiptare. Sektori privat është mjaft unik në fushën e tij të operimit dhe potencialit. Kjo është arsyeja pse, është një moment unik, që vizioni i sektorit të përditësohet dhe të harmonizohet me institucionet përkatëse shtetërore, duke synuar të përmirësojë nivelin e tyre edhe profesionalisht, edhe financiarisht”. Sektori i fundit është grupuar në një dhe lidhet me zonat e lira ekonomike dhe dixhitalizimin.

 

 

Zonat e lira ekonomike dhe dixhitalizimi

Prej vitesh, zonat e lira ekonomike, edhe pse nxirren për shprehje interesi mbeten fusha djerrë, pa ndonjë finalizim projekti. Si ajo e Spitallës, edhe ajo e Koplikut, mbeten pa ndonjë investim, por për të parën ka pasur edhe garë e cila ka përfunduar dyerve të gjykatave. Gjithsesi, Këshilli i Investimeve nënvizon se aktualisht ka interes nga aktorë të ndryshëm në disa sektorë për të marrë në përdorim këto zona. “Megjithëse legjislacioni në këtë fushë konsiderohet i kompletuar, nuk ka ndonjë industri aktive të lehtë që funksionon në zonat e lira ekonomike, duke qenë një mundësi e jashtëzakonshme për investitorët e rinj.

Paketa e incentivave të ofruara (ligjore, administrative dhe fiskale) përbën një bazë solide, e cila duhet të shoqërohet me investime në infrastrukturë nga Shteti. Nga konsultimet direkte, na rezulton se aktualisht ka interes nga aktorë të ndryshëm në sektorin e përpunimit (p.sh. sektorë si agro, gjysmëprodukte të gatshme, apo edhe të teknologjive të informacionit dhe dixhitalizimit etj.) për të shfrytëzuar potencialet që ofrojnë zonat e lira ekonomike” – thuhet në dokument.

Një tjetër sektor me rëndësi që paraqet potencial për investime është dixhitalizimi. Qeveria ndërmori një vit më parë një nismë për uljen e tatimfitimit për kompanitë që prodhojnë software në 5% nga 15%. Ende nuk është i qartë efekti që ka pasur kjo nismë por sfidë, sipas Këshillit të Investimeve, mbetet mbajta në vend e “trurit” që sot është përfshirë në një valë largimi drejt Perëndimit.
“Sektori po përballet me disa problematika, si mungesa e një institucioni përgjegjës koordinues dhe politikëbërës në nivel qendror për inovacionin dhe dixhitalizimin.

Ndërkohë, theksojmë nivelin e rritur të përdorimit të internetit në Shqipëri çdo vit me 10-15%, por depërtimi i broadband mbetet në nivele të ulëta, afërsisht 38% të familjeve të lidhura me internet. Duke qenë se sektori është në zhvillim, por aktualisht kemi largim kapacitetesh drejt vendeve të zhvilluara, mbetet sfidë përgatitja e specialistëve të fushës dhe edukimi i vazhdueshëm i të rinjve (profesional dhe universitar) në mënyrë që të zvogëlohet hendeku dixhital (zonat rurale përbëjnë 40% të popullsisë, por vetëm 1% nga kjo është e lidhur me internet)” vlerësohet në dokument.

 

BURIMI: SEKRETARIATI I KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

 

Sugjerimet në nivel strategjik

Këshilli i Investimeve ka bërë sugjerimet e tij në nivel strategjik, duke e konsideruar si të rëndësishëm nisjen e debatit mbi modelin ekonomik të Shqipërisë dhe sektorët më prioritarë që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm e që mund të konsiderohen si “niche unike” për vendin në 10-15 vitet e ardhshme. “Ndërkohë, theksojmë që për vetë specifikat e ekonomisë shqiptare, a) mbështetja e SME-ve të jetë fokusi kryesor i modelit dhe i politikave mbështetëse për zhvillim të qëndrueshëm, b) miradministrimi fiskal të jetë faktor thelbësor në përmirësimin e klimës së biznesit në vend” thuhet në dokument. Po ashtu duhet të bëhet saktësimi i vizionit mbi fokusin e prioriteteve. “Për shembull, Vizioni ‘Shqipëria 2030’ – të përcaktohen sektorët që konsiderohen si potencialet unike dhe motorët e rritjes.

Së pari, nënvizohet konteksti specifik për vendin (transparenca dhe finalizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore / integrimi në BE); Vendet e rajonit po konsolidojnë përpjekjet në tregun rajonal / Konkurrencë agresive. Së dyti, qasje strategjike të tërheqjes së IHD-ve në koherencë me sektorët prioritarë dhe hartimi i një modeli ekonomik të matjes së ndikimit të IHD me synim rritjen e vlerës së shtuar në vend dhe integrimin në tregun e teknologjisë dixhitale moderne. Së treti, evidentohet mungesa e të dhënave koherente dhe të agreguara, kapaciteteve njerëzore e financiare për analiza të thelluara dhe matjen e impaktit.

Ndaj rekomandohet krijimi i një platforme ekspertësh, me një plan konkret veprimesh që të evidentojë të dhënat e munguara, të mundësojë analiza të detajuara për impaktin e investimeve (si p.sh. opsionet e zëvendësimit apo reduktimit të importeve kryesore, opsionet e rritjes dhe diversifikimit të eksporteve, etj.), në indikatorët kryesorë ekonomikë në koherencë me sektorët kryesorë.
Së katërti, evidentimin e mundësive të targetimit p.sh. sektorët e shërbimeve (duke qenë se problematika e pronës mbetet pengesë thelbësore për tërheqjen e investimeve serioze).

 

BURIMI: SEKRETARIATI I KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

 

Sugjerimet në nivel sektorial

Në nivel sektorial, Këshilli i Investimeve ka nisur me energjinë duke theksuar se mbetet me rëndësi plotësimi i kuadrit ligjor për pjesën e energjisë së rinovueshme (Miratimi i Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë prodhuar nga fotovoltaikët, prodhuesit konsumatorë, sipas Udhëzimit të MIE, Nr. 33, datë 20.6.2019). Po ashtu, edhe bërja efektive e tregut të liberalizuar të energjisë dhe Bursës së Energjisë apo investimi në rrjetin e shpërndarjes së energjisë për të përmirësuar aksesin teknik për prodhuesit vendorë të energjisë diellore dhe të erës.

Lidhur me agropërpunimin, konsiderohet me rëndësi të vlerësohen masa nxitëse mbi defragmentizimin e tokës bujqësore dhe nxitjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas. Bërja transparente e a) informacionit dhe progresit mbi politikat mbështetëse për sektorin e bujqësisë/agropërpunimit nga donatorët dhe b) ecurisë së investimeve të dhëna me kontrata shtet – privat në sektor.

Në aspektin dixhital, dokumenti cilëson me rëndësi fokusimin në krijimin e kushteve rregullatore për shërbime cilësore në fushën e komunikimeve elektronike (broadband/5G). “Plotësimi i kuadrit rregullator dhe promovimi i FINTECH. Ngritja e një institucioni / platforme që të mundësojë koordinimin ndërsektorial e të shtyjë përpara axhendën dixhitale, kërkim dhe zhvillim dhe rritjen e kapaciteteve drejt sofistikimit të biznesit (p.sh., Maqedonia e Veriut, Gjermania, Irlanda). Kjo platformë të përbëhet nga ekspertë të fushës, të adoptojë një filozofi ekosistemi ose zinxhiri vlerash (të ketë ndërveprim mes telekomunikacionit, medias, industrisë IT, infrastrukturës, përdorueshmërisë)
– të bashkëveprojë me një rrjet aktorësh: Akademi, biznes, shoqëri civile, startup, qeveri, media me fokus impaktin e dixhitalizimit në Shqipëri në arsim, ekonomi, punësim, aspekte sociale etj.” – vlerëson dokumenti. Në fund arsimi profesional, me fokus IT, duhet të mbështetet me politika konkrete incentivuese.

 

Sugjerime mbi Edukimin dhe Punësimi

Këshilli i Investimeve vlerëson si të rëndësishëm tre hapa për edukimin dhe punësimin që shihen sot nga sipërmarrësit si një sfidë. Së pari, qasje sektoriale mbi përshtatjen e politikave të punësimit dhe përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore në drejtim të sektorëve prioritarë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kjo duhet bërë përmes një kuadri të qartë rregullator, por edhe përmes vendosjes së standardeve e kritereve për implementim, sikurse dhe përmes instrumenteve incentivuese.
Së dyti, krijimi i një formati (platforme) bashkëpunimi sistematik mes shkollave dhe bizneseve me qëllim që të krijohen konsorciume me aktorë bizneset – ofruesit e shërbimeve profesionale – shoqëri civile, zyra pune, zyra karriere etj. që operojnë në sektorët prioritare. Së treti, qeveria të mundësojë dhënien me qira të godinave shtetërore në suport të krijimit të qendrave të trajnimit për ridimensionimin e aftësimit të fuqisë punëtore në përputhje me kërkesat e tregut.

 

Investimet strategjike, në pritje vlerë 2 miliardë euro

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve njoftoi se janë më shumë se 2 miliardë euro investime në pritje për të kaluar në analizë lidhur me aplikimet që kanë bërë kompanitë për të përfituar statusin e investitorit strategjik. Deri më tani, kanë përfituar këtë status kompani që kanë vlerën kumulative të investimeve mbi 690 milionë euro. “Ndërsa legjislacioni për investimet strategjike është plotësuar me akte nënligjore përkatëse, ndikimi i tij i perceptuar do të vlerësohej shumë. Investimet janë përqendruar kryesisht në turizëm (7) dhe në bujqësi (4)” thuhet në raport.

Në total, nga Këshilli i Investimeve Strategjike janë aprovuar 13 projekte të investimeve strategjike, nga të cilat 8 kanë përfituar statusin e investitorit strategjik/procedurë e asistuar dhe 5 statusin e investitorit strategjik/procedurë e veçantë. Lidhur me sektorët, 7 projekte janë në sektorin e turizmit, 4 në sektorin e bujqësisë, 1 në sektorin e energjisë dhe 1 në sektorin e zonave me përparësi zhvillimin.

Kurse për ecurinë vlerësohet se në zbatim janë 7 projekte në turizëm, 2 në bujqësi dhe 1 në sektorin e zonave me përparësi zhvillimi.
“Aktualisht, 4 projekte janë në fazë aplikimi, nga të cilat 3 në sektorin e turizmit dhe 1 në sektorin e bujqësisë. Ndërkohë 15 projekte janë në fazë konsultimi, nga të cilat 5 janë në bujqësi, 6 në turizëm dhe 4 në energji. Sipas të dhënave nga AIDA, vlera totale e investimeve të propozuara është 2,007,090,406 euro, ndërsa vlera totale e investimeve të miratuara është 692,826,000 euro” nënvizon Këshilli i Investimeve.

 

Investitorët duan qëndrueshmëri, imazh të mirë të vendit dhe luftë ndaj korrupsionit

Të pyetur nga Këshilli i Investimeve, investitorët kanë renditur se cilët janë aspektet që ata konsiderojnë si problematikë dhe duhet të shihen me kujdes. Qëndrueshmëria e politikave kryeson listën e gjërave që duhet të korrigjohen. “Pavarësisht ekzistencës së dokumenteve strategjike, të cilët përcaktojnë drejtimet e politikave, në praktikë evidentohet se fokusi nuk është gjithmonë i qëndrueshëm në kohë dhe në projektet mbështetëse” thuhet në dokument.

I njëjti dokument nënvizon se ndryshimet e shpeshta dhe jo të studiuara mirë me efekt afatgjatë janë identifikuar vazhdimisht nga shoqatat e bizneseve dhe kompanitë, si premisa për trajtim të padrejtë. Ata kanë krijuar disi pasiguri në kontekstin e një administrate të paqëndrueshme dhe jo plotësisht profesionale për të transpozuar në mënyrë të duhur dhe në kohë vullnetin e ligjeve. Kjo është një çështje me prevalencë madhore në rastet e procedurave me ndikim financiar për bizneset” thuhet në dokument. Më pas, si problematika urgjente për ndërhyrje renditen korrupsioni, klientelizmi dhe imazhi politik i vendit. Në këtë kontekst, sillen në vëmendje edhe rastet specifike sektoriale të pasigurisë ligjore për bizneset si rezultat i vendimeve polemike të diskutueshme. Për këtë të fundit, Këshilli i Investimeve referon rastin e mënyrës sesi u veprua me hidrocentralet deri në 15 megavat, për të cilët ndryshoi çmimi me të cilin u blihej energjia. Po kështu edhe problemet me sistemin gjyqësor sillen në vëmendje.

“Janë me mijëra kërkesa për seancë gjyqësore në Gjykatat Administrative, të cilat prej vitesh tani kanë dështuar misionin që nga themelimi i tyre për zgjidhjen e çështjeve brenda 60 ditësh. Më shumë se 30,000 çështje janë në pritje në Gjykatën e Lartë. Një pjesë e mirë e këtyre shifrave lidhen me çështjet gjyqësore të nisura nga bizneset dhe investitorët drejt institucioneve të administratës publike. Mungesa e vendimeve gjyqësore përfundimtare ka penguar unifikimin e praktikave administrative ndaj bizneseve, duke lënë hapësirë për vendime arbitrare dhe diskrecionale nga administrata, duke rritur pasigurinë ligjore. Në anën tjetër, mungesa e filtrit gjyqësor pengon vetë administratën drejt vetë-përmirësimit dhe rregullimit më të mirë” thuhet në dokument.

 

POTENCIALET PRIORITET DHE FOKUS

Agropërpunim

  • Fruta-perime
  • Made in Albania
  • Bimët mjekësore
  • Nxit bashkimin dhe krijimin e fermave dhe vlerën e shtuar në vend

Turizëm

  • Kontribut direkt 8,5% të PBB
  • 7,7% të forcës së punës në Shqipëri
  • 7,5% të Investimeve në vend dhe numri i sipërmarrjeve u rrit me 26%.
  • 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri.
  • Sektor me incentiva dhe fokus
  • Burime ende të pashfrytëzuara

Burime

  • Natyrore
  • Burimet e rinovueshme të energjisë (kuadër rregullator i ri momentum – mundësi për diversifikim të burimeve, treg i sigurt)
    Hidrokarbure (burime ende të paoptimizuara, zhvillim-kërkime në zona të reja, renta minerare, impakt në buxhet)

TEDA

  • Kuadër ligjor komplet dhe incentiva
  • Nevojë për targetim investitorësh dhe investime në infrastrukturë nga ana e shtetit

Dixhitalizim

  • Treg i liberalizuar, zgjerim i përdorimit të internetit, përmirësimi në shërbimet publike elektronike dhe MAP REA
  • Institucionet rregullatore

Burimi: Këshilli i Investimeve

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of