Sektori bankar ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin neto financiar në katër muajt e parë të këtij viti, duke kaluar edhe nivelet e para krizës pandemike.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fitimi në fund të katërmujorit 2021 arriti në rreth 6.6 miliardë lekë, nga 2.76 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u rritur me 138%.
Ky është fitimi më i lartë që sektori bankar raporton për këtë periudhë të vitit që nga viti 2017 dhe njëkohësisht i dytë më i madh në dekadën e fundit. kjo rritje vjen pas tkurrjes së rezultatit financiar në katërmujorin 2020, me fitimet që u përgjysmuan, teksa sektori bankar filloi të ndjente pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia, që nisi në mesin e marsit të vitit të kaluar.
Këto të dhëna mbështeten në standardet e raportimit të aplikuara nga Banka e Shqipërisë. Fitimet sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, që janë edhe standardi ligjor i raportimit të bankave, publikohen me frekuencë tremujore. Rezultati financiar mes dy standardeve mund të ketë diferenca të konsiderueshme, për shkak të parimeve të ndryshme që ndiqen në llogaritjen e fondeve rezervë për humbjet nga kreditë me probleme.
Raporti i kredive me probleme ka ndjekur një tendencë rënieje të lehtë në muajt e parë të këtij viti, çka përkthehet në më pak shpenzime për provigjione. Ecuria e provigjioneve zakonisht është faktori me ndikimin kryesore në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare.
Nga ana tjetër, gjatë këtij viti sektori ka shfaqur një performancë në përmirësim edhe për sa i takon bazës së të ardhurave. Të ardhurat neto nga interesat janë në rritje, falë zgjerimit të bazë së aseteve, që është shprehur në rritje të portofolit të kredisë dhe të investimeve në tituj. Në krahun tjetër, shpenzimet për interesa paraqiten në rënie, fenomen ky i lidhur sidomos me zhvendosjen e kursimeve kryesisht në depozita pa afat dhe llogari rrjedhëse, ku interesat që paguajnë bankat janë edhe më të ulëta. Në fund të tremujorit të parë të vitit, llogaritë dhe depozitat pa afat përbënin më shumë se 60% të depozitave, nga 55% që përbënin një vit më parë.
Gjithashtu, këtë vit bankat kanë rritur të ardhurat nga komisionet krahasuar me një vit më parë, kur kufizimet e mëdha të lëvizjes dhe orareve të biznesit sollën edhe rënien e ndjeshme të veprimeve bankare në degë dhe agjenci.
Kthimi nga kapitali i sektorit bankar, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të muajit prill ishte në nivelin 11.98%, nga 5.28% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Niveli i kthimit mesatar nga kapitali njëkohësisht ka arritur nivelin më të lartë të periudhës së pandemisë. Prej dhjetorit 2020, kthimi nga kapitali i sistemit po qëndron në nivele dyshifrore. Edhe kthimi i mesatarizuar nga aktivet u përmirësua në 1.28%, nga 0.62% që kishte qenë një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.