Raporti i Komisionit Evropian për telekomunikacionet: Frekuencat për celularët dhe ndryshimet e bordit të AKEP me ndërhyrje politike
Cullen International 2014: Vodafone dominon tregun, Autoriteti i Konkurrencës evidentoi shqetësimet por nuk e gjobiti
Një projekt i Komisionit Evropian në vendet që aspirojnë integrimin evropian ka publikuar raportin e tretë dhe të fundit mbi monitorimin e rregullimit të telekomunikacionit dhe shoqërisë së informacionit. Projekti mbulon vendet si Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Islanda, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Turqia dhe njihet si Cullen International.
Për Shqipërinë, sipas raportit, telefonia fikse dhe penetrimi i internetit janë ndër më të ulëtat në rajon. Albtelecom mbetet dominant i telefonisë fikse me 89% të tregut sipas trafikut dhe 67% të tregut sipas të ardhurave Konkurrenca është rritur në tregun e internetit me linja fikse pasi operatorët alternativë zotërojnë rreth 58 % të tregut me infrastrukturën e tyre.
Në dyshim pavarësia e enteve rregullatore
Raporti i Cullen International[1] vlerëson se “ndryshe nga zhvillimet pozitive në legjislacionin e autoriteteve rregullatore të tregut të komunikimeve elektronike, statuquo-ja aktuale institucionale në vendet në zgjerim paraqet një rënie të nivelit të pavarësisë financiare dhe operacionale të autoriteteve rregullatore kombëtare. Gjithashtu, sipas raportit, kapacitetet administrative të autoriteteve politikë-bërëse në shumicën e vendeve mbeten të kufizuara dhe paraqesin një tjetër shqetësim.
Tekstualisht raporti në fq. 136 për Shqipërinë shprehet se “Autoriteti rregullator kombëtar AKEP është krijuar në vitin 1998 si një entitet ligjor i pavarur. Gjithsesi pavarësia e tij në praktikë është vulnerabël pasi parlamenti në mënyrë të përsëritur ndryshon gjithë bordin me nismën e qeverisë. Menaxhimi i spektreve dhe rregullimi i tarifave ka qenë objekt i influencave të forta politike”.
“Ndërhyrjet politike, -vijon raporti, për të zëvendësuar në mënyrë individuale anëtarët e bordit të AKEP janë shfaqur menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2013 dhe pasqyrojnë në të dyja rastet ndryshmet politike në nivelin e qeverisë” (shënim i autorit, për sqarim, dalja e LSI-së nga koalicioni me PD para zgjedhjeve të 23 qershorit ndryshoi kreun e AKEP i cili u rikthye pas zgjedhjeve, kur LSI hyri në koalicion me PS-në). Kapacitetet administrative dhe burimet e rregullatorit dhe ministrisë mbeten të dobëta.
Frekuencat me ndërhyrje politike
Raporti i Komisionit Evropian për telekomunikacionet vlerëson se për Shqipërinë liberalizmi i aksesit në frekuenca ka ecur ngadalë dhe është ndikuar nga ndërhyrjet politike. Shqipëria ka 4 operatorë celularë: tre nga ato janë në frekuencat 900 MHz, 1800 MHz dhe 2 GHz bands, ndërkohë që operatori i katërt ka vetëm spektrin e frekuencave 900 MHz 1800 MHz.
Dominimi i Vodafone dhe hetimi
Sipas Komisionit Evropian sektori i telefonisë celulare është i dominuar nga Vodafone (42% të abonentëve dhe 46% të të ardhurave, pjesët e tregut janë rritur si për abonentët dhe të ardhurat) dhe AMC (40% e abonimeve dhe 29% e të ardhurave). Interneti mobile është në fazat fillestare të zhvillimit.
Kur flet për bashkëpunimin e rregullatorëve me Autoritetin e Konkurrencës, raporti nënvizon për vendin tonë se “në Shqipëri, në mars 2013 Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës hapi një investim të thelluar për dyshimin e abuzimit me pozitën dominuese të Vodafone Albania në tregun e telefonisë celulare me pakicë. Fokusi i investigimit ka qenë diferenca e tarifave brenda dhe jashtë rrjetit (on net –of net) kanë shkaktuar efektin “club” që kufizon konkurrencën duke i mbyllur klientët në një rrjet të vetëm. Hetimi u mbyll në janar 2014 duke konkluduar se Vodafone nuk ka abuzuar me pozitën dominuese në tregun e telefonisë celulare. Gjithsesi, përfundon raporti, Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se strategjia e ndjekur nga Vodafone “ka krijuar shqetësime për konkurrencën në tregun celular dhe mund të ketë efekte negative për konkurrentët më të vegjël në afat gjatë” .
Parashikimet
Në parashikimet për të ardhmen raporti nënvizon se tregu i telefonisë celulare ka pasur rritje të stimuluar nga konkurrenca mes katër operatorëve. Por operimi i internetit nëpërmjet rrjeteve celulare mbetet i dobët për shkak të hyrjes së vonuar të shërbimeve 3G dhe masa të tjera rregullatore kërkohen për të plotësuar shpërndarjen e spektrit të frekuencave 900 dhe 1800 MHz për shërbimet mobile broadband 3G dhe 4G.
Raporti i BE-së për telekomunikacionet, rritet pjesa e tregut të operarorit lider të tregut
Celularët, rritet përqendrimi i tregut
Total i abonentëve në nëntë vendet e përfshira në procesin e zgjerimit ka rënë me 295 mijë duke arritur në nivelin 93.93 milionë. Sipas raportit të Cullen International 2014 të publikuar në kuadër të një projekti të Komisionit Evropian rezulton se pesha e operatorëve kryesorë të tregut celular ka rënë në të gjitha vendet me përjashtim të Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës. Pra Shqipëria hyn në rastet përjashtimore ku lideri i tregut të telefonisë së lëvizshme e ka rritur pjesën e tregut dhe dominimin nga viti në vit.
Rritja e dominancës
Raporti Cullen vë theksin në rritjen e konkurrencës në tregjet e vendeve kandidate ose potenciale për anëtarësim në BE pasi ka rënë pesha në treg e operatorëve kryesorë. Sipas raportit “operatorët lider në treg kanë humbur pjesë tregu (matur sipas abonentëve) në të gjitha vendet në zgjerim në vitin 2012, me përjashtim të B-H dhe Shqipërisë”. Për Shqipërinë ka ndikuar standardizimi i përcaktimit të abonentëve aktivë (më parë ishte thjesht numri i abonentëve) që ka çuar në uljen e pjesëve të tregut për operatorin e tretë Eagle Mobile dhe rritjen e peshës për Vodafone Albania dhe AMC.
Indeksi, që mat përqendrimin e tregut, i njohur me emrat e autorëve, Herfindahl-Hirschmann Index (HHI), dhe që llogaritet si shuma e katrorëve të pjesëve të tregut, është gjerësisht i përdorur për vlerësimin e shkallës së përqendrimit në tregje sipas ligjeve të konkurrencës. Indeksi i përqendrimit HHI për tregun e telefonisë celulare vlerësohet si në termat e abonentevë ashtu dhe për ato të të ardhurave dhe sipas të dhënave të raportit përqendrimi në tregje ka rënë në shumicën e vendeve në procesin e zgjerimit. Përjashtim, bën Shqipëria, ku indeksi tregon rritje të shkallës së përqendrimit. Kjo sepse ndarjet e tregut sipas pjesëve për vitin 2012 janë rillogaritur bazuar në një metodologji të re, më strikte që merr parasysh abonentët aktivë të cilët rezultojnë se janë më pak sesa raportoheshin për operatorët e vegjël dhe më shumë sesa raportoheshin për operatorët e mëdhenj.
Numri total i abonentëve të telefonisë celulare në fund të vitit 2012 në Shqipëri rezulton të ketë qenë 3.54 milionë me një rënie prej 1.7 milionë abonentë ose rreth 32 për qind krahasuar me një vit më parë. Në fakt kjo vjen si pasojë e korrigjimit të shifrave për abonentët, duke llogaritur vetëm përdoruesit aktivë (që kanë rimbushur numrin të paktën një herë gjatë 3 muajve të fundit) ndërkohë që të dhënat e mëparshme ishin vetëm për abonimet aktive me rimbushje të kartës për të paktën një herë në 12 muajt e fundit.
Pjesët e tregut me kontratë kundrejt atyre me parapagim janë rritur në të gjitha vendet në zgjerim gjatë vitit 2012. Trendi sugjeron maturimin e kushteve të tregut por është edhe rezultat për mosllogaritjen e abonentëve joaktivë në disa vende, kryesisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.
Frekuencat për 3G
Menaxhimi i frekuencave përfshin dy detyrime, ndarjen e frekuencave duke përfshirë miratimin nga autoritetet kombëtare të planit të frekuencave që specifikon bandën e frekuencave për shërbime specifike dhe autorizimin individual për përdorimin e spektrit të frekuencave. Në Shqipëri janë katër operatorë celularë nga të cilët 3 kanë marrë të dyja spektret 2 G dhe 3 G. Në dhjetor 2013 AKEP konkludoi procesin e konsultimit për licencën e mbetur 3G në bandën 2 GHz.
Gjithashtu AKEP po konsulton një draft propozim për të amenduar autorizimin e spektrit të frekuencave për operatorin e katërt celular që lejon përdorimin e teknologjive 3 G dhe 4 G në bandat 900 MHz dhe 1800 MHz.
Në grafikun më lart paraqiten tarifat e terminimit (të tregut të shumicës) sipas operatorëve dhe vendeve ku rezulton se Shqipëria është mbi nivelin mesatar të 27 vendeve anëtare të BE-së, 1.9 centeuro për minutë.
Tarifat me pakicë
Operatorët e telefonisë celulare ofrojnë një gamë të gjerë të tarifave dhe është e vështirë të llogaritësh një mesatare. Konsumatorët duhet të marrin parasysh një numër domethënës përfshirë abonimin mujor, tarifat peak dhe jashtë peak-ut, telefonat pa pagesë dhe sms, thirrjet brenda ose jashtë rrjetit, thirrjet drejt fiksit etj.
Referuar çmimeve të pakicës, ato që paguan konsumatori, rezulton se ka një rënie të fortë të çmimeve për të gjithë operatorët për Shqipërinë për shportën e përdoruesve të lartë të telefonisë celulare.
J.B
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.