KE: Konsolidimi fiskal nga 2016 zhvendoset në sektorin e shpenzimeve, ja shkurtimet

24/06/2015 8:43 AM 0 komente
Përtej vitit 2015, programi konsolidimit buxhetor nuk parashikon masa të mëtejshme në të ardhurat, por synon të mbajë shpenzimet në kontroll. Sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Europian konsolidimi nw krahun e shpenzimeve do shtrihet në dy vitet e ardhshme 2016-2017.
Raporti i KE referon se, është planifikuar që pjesa e shpenzimeve të personelit të ulet me rreth 1 pikë përqindje të PBB deri më 2017.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjithashtu pritet të bien në terma relativë nga 2.7% e PBB-së në vitin 2015 me 2.3% në 2017, përkundër nevojave të mëdha të mirëmbajtjes të paplotësuara, sidomos në sektorin rrugor.
Shpenzimet do të shkurtohen edhe për asistencën sociale dhe skemat e përfitimit të aftësisë së kufizuar. Këto shpenzime në vitin 2017 pritet të bien me 1.2 % të PBB, si rezultat i reformave për heqjen e abuzuesve nga skemat, referon raporti i KE.
Brenda zarfit shpenzimeve, investimeve publike janë e vetmja kategori e madhe që pritet të regjistrojë një rritje relative, nga 6% e PBB në vitin 2015 në 6.4% në 2017. Megjithatë eksperiencat në të kaluarën e afërt do të thotë se, alokimi i tyre sipas parashikimeve në buxhet ka qenë e pamundur.
Në vitin 2014 dhe 2015, buxheti ka synuar rregullimet në kahun e të ardhurave, i fokusuar më së shumti në rritjen e përformancës nga administrimi fiskal. Rritja e pritshme në raportin e të ardhurave ndaj PBB-së për këtë vit është e njëjtë si në 2014, dmth 1.9  pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm. Megjithatë, në buxhetin e vitit të kaluar rritja e taksave ka ndikuar në rritjen me 1.5% te të ardhurave raport me PBB, ndërsa rritja e këtij viti pritet të ndikojë në 1 për qind të BB pjesa tjetër është parashikuar nga zbutja e informalitetit, me një rol më rëndësishëm se në vitin 2014.
Administrata tatimore ka planifikuar reforma të gjithanshme, duke përfshirë zbatimin e një sistemi të ri të IT për të lehtësuar proceset e pagesës së taksave dhe  duke reduktuar mundësitë për korrupsion.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of