Komisioni Europian miratoi planin e shpenzimeve të Greqisë për pjesën e saj nga fondi i rimëkëmbjes nga pandemia, ngritur nga Bashkimi Europian.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi miratimin e planit “të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë” së Greqisë gjatë një vizite në Athinë.
BE ka caktuar 30.5 miliardë euro nga fondi i rimëkëmbjes për Greqinë, nga të cilat 12.7 miliardë euro në kredi dhe 17.8 miliardë euro në grante nga viti 2021 deri në 2026.
“Sot, unë jam shumë e lumtur të njoftoj se Komisioni Europian ka vendosur t’i japë dritën jeshile planit të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë së Greqisë, njohur si Greqia 2.0”, tha von der Leyen.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se plani përbëhet nga “175 investime vendimtare, projekte dhe reforma, në katër sektorë: mjedis, reformë dixhitale, punësim dhe investime private”.
Fondi i rimëkëmbjes prej 750 milionë euro i Bashkimit Europian u krijua vitin e kaluar për të ndihmuar vendet të përballen me tkurrjen e konsiderueshme të ekonomisë nga kufizimet dhe masat e tjera të vendosura për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Programi ynë i fondit të rimëkëmbjes është i pakonkurueshëm në shkallën dhe ambicien e tij,” tha von der Leyen.
“Është një përgjigje e jashtëzakonshme, natyrisht për një krizë të jashtëzakonshme. Ne jemi duke riformuar kontinentin tonë për dekada përpara. ”
Udhëtimi i Von der Leyen drejt Greqisë erdhi një ditë pasi ajo vizitoi Spanjën dhe Portugalinë për të miratuar planet e shpenzimeve të atyre vendeve.
Deri më tani, 23 nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë paraqitur planet e tyre të shpenzimeve tek autoritetet e Brukselit, të cilat i kontrollojnë ato për t’u siguruar që janë në përputhje me qëllimet e politikës së bllokut. /Associated Press