Shqipëria ka shënuar progres të konsiderueshëm në negociatat me BE-në për Kapitullin 9, “Shërbimet Financiare”. Sipas një vlerësimi krahasimor, edhe referuar progresit të bërë nga vendet e tjera të rajonit, rezulton se Kapitulli 9 është i vetmi ku Shqipëria lë pas të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Malin e Zi e Serbinë, që i kanë hapur negociatat shumë vite përpara vendit tonë.
Përgjithësisht në kapitujt e tjerë vendet e Ballkanit Perëndimor janë thuajse në stade të ngjashme përafrimi, në vlerësimin më të fundit të dhënë nga Komisioni Evropian, përmes Paketës së Zgjerimit dhe Raporteve të Progresit, të publikuara ditën e djeshme.
Referuar “Shërbimeve Financiare”, ku përfshihen sektori bankar, ai i sigurimeve, pensioneve vullnetare, si edhe shërbimet e investimeve dhe tregjet e kapitalit, Komisioni Evropian, në Progres Raportin e fundit ngriti me një shkallë vlerësimin për Shqipërinë sa i përket avancimit në procesin përafrues dhe harmonizues me kuadrin ligjor e nënligjor të BE-së.
Kështu, nga “mesatarisht i përgatitur”, shkalla e pestë e vlerësimit, nga 9 shkallët në total, Shqipëria referuar këtij kapitulli është ngjitur në shkallën e gjashtë të vlerësimit, “mesatarisht i përgatitur/nivel i mirë përgatitjeje”. Vlerësimet për shtetet e tjera të rajonit në këtë kapitull variojnë nga shkalla e katërt e vlerësimit në shkallën e pestë.
Negociatat për këtë kapitull përgjatë viteve të fundit janë drejtuar nga Ministri aktual i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, në periudhën kur drejtonte Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Ministri e mbajti detyrën e Negociatorit për Kapitullin 9 deri në 14 shtator 2023.
Delegacioni shqiptar mori pjesë në takimet për procesin e screening të kapitujve vitin e kaluar, si edhe në Takimet Bilaterale Shqipëri-BE për kapitullin 9 në shkurt të këtij viti. Ekspertët e Komisionit Evropian vlerësuan progresin e konsiderueshëm të realizuar nga Shqipëria në fushën e “Shërbimeve Financiare”, sa i përket plotësimit të rekomandimeve dhe përafrimit ligjor e rregullator në Kapitullin 9.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ministri Mete shkruan se “Përparimi i ndjeshëm në Kapitullin 9 Shërbimet Financiare e vendos Shqipërinë përpara gjithë vendeve të tjera të rajonit në këtë fushë, referuar gjetjeve të Progres Raportit të Komisionit Evropian.
Me avancimin nga “mesatarisht i përgatitur” në “mesatarisht i përgatitur/nivel i mirë përgatitjeve”, Kapitulli 9 është i vetmi ku Shqipëria rezulton më e avancuar edhe krahasuar me vendet që i kanë hapur më herët negociatat e anëtarësimit. Kënaqësi e posaçme ushtrimi i detyrës së Negociatorit të Kapitullit 9 deri në shtator 2023, aty ku tashmë Shqipëria vlerësohet për progresin e kryer në harmonizimin e kuadrit ligjor e rregullator me acquis të BE-së”, përfundon qëndrimin e tij Ministri i Financave dhe Ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.