KEK-u dhe Shoqata e Bankave ndajnë 137 mijë euro për Shqipërinë

27/11/2019 2:39 PM 0 komente

Korporata Energjetike e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë, pas tërmeteve që i lanë të vdekur 26 persona e shkaktuan shumë dëme materiale. Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media nga ky institucion.

Po ashtu është KEK-u ka bërë të ditur se ka dërguar edhe ekipin e specializuar për intervenime emergjente (kërkim-shpëtim) të cilët po i dalin në ndihmë autoriteteve shqiptarë për nxjerrjen e viktimave nga gërmadhat e krijuara pas tërmetit.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndarë 100 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë pas tragjedisë që ndodhi ditën e martë si pasojë e termeteve. Me kërkesë të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, Njazi Thaçi dhe me aprovim të Bordit të Drejtorëve, kjo shumë është dedikuar për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të ndihmuar familjet që pësuan nga kjo tragjedi”.

Kurse, bordi i Drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës, përmes një njoftimi për media thotë se sot ka marrë vendim të ndajë 37.000 euro për Shqipërinë.

Kjo në kumtesë thuhet se bëhet si ndihmë për të prekurit nga fatkeqësia natyrore që ka goditur Shqipërinë.

“Duke u solidarizuar me viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj fatkeqësie, Shoqata e Bankave të Kosovës në emër të komunitetit bankar në Kosovë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre ndërkaq apelon që të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të tejkaluar këtë situatë tragjike”, thuhet në njoftim.

Në mesazhin e ngushëllimit Shoqata e Bankave të Kosovës në mes tjerash thuhet se në këto kohë të vështira për kombin shqiptarë, të gjithë duhet të bëhemi bashkë.

“Në këto kohë të vështira për kombin shqiptarë, të gjithë duhet të bëhemi bashkë për të dhënë kontributet tona, në mënyrë që edhe kjo vështirësi të kalohet në unitet dhe solidaritet”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of