Flet Behar Male, Investitor i “Maritim Hotel Plaza, Tiranë”
Rritja e numrit të markave që po qasen çdo vit e më shumë në tregun shqiptar nuk shihet me shqetësim për operatorët e tregut.
Investitori i “Maritim Hotel Plaza, Tiranë”, Behar Male, shprehet se ka ende hapësira për rritjen e kapaciteteve, pasi ato po ndjekin ritmin e rritjes së përgjithshme të sektorit të turizmit.
Sipas z. Male, risk mund të kishte vetëm nëse elementet e tjera të ekonomisë dhe turizmi specifikisht nuk do të kishin më këtë ritëm. Prania e sa më shumë markave, sipas tij, është pozitive, pasi do të rrisë standardin dhe cilësinë e shërbimit.
Krahasuar me vitin e kaluar, është më mirë. Në 6 muajt e parë të vitit 2021 ishim ende nën efektin e pandemisë, madje në 4 muajt e parë ishim nën kufizime të pandemisë, jo vetëm Shqipëria dhe rajoni, por edhe Europa.
Ndaj këtë vit, për hotelerinë në Tiranë, por dhe në përgjithësi në vend, shifrat janë më mirë. Në përqindje, shifrat janë gati 40-50% më lart se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Cilat janë tregjet që po frekuentojnë Shqipërinë nga ajo që konstatoni nga rezervimet në strukturën tuaj akomoduese?
Këtë periudhë, në vend të parë janë shqiptarët nga Kosova dhe vendasit që lëvizin, por kanë filluar të vijnë vizitorë edhe nga Perëndimi. Ende nuk po ndihet efekti i Lindjes së Mesme, për shkak të vizave, sepse deri më 1 prill e kanë pasur me sistem vizash. Gjatë prillit nuk dihet efekti, edhe për shkak të Ramazanit.
Mendoj se gjithçka do të jetë e qartë pas muajit qershor. Vitin e shkuar, nga korriku deri në mes të dhjetorit, mund të them se ka qenë një vit shumë i mirë dhe me të dhëna të rëndësishme për të gjithë sektorin.
Besoj se këtë vit mund të ketë pak ndikim negativ në tërësi, sidomos lufta në Ukrainë, edhe për shkak të turistëve që na vinin nga Bjellorusia, Ukraina, Polonia dhe Rusia, që tani janë në zemër të konfliktit. Ndoshta kjo mungesë mund të kompensohet nga burime të tjera, por nëse dhe sivjet do të jemi në shifrat e vitit të kaluar, pra në 6-mujorin e dytë të vitit 2021, atëherë do të jemi shumë mirë.
Pati një lloj ndalimi të turizmit të konferencave dhe takimeve të biznesit për shkak të pandemisë. A shihni një lloj ndryshimi apo rigjallërimi këtë periudhë të këtyre aktiviteteve?
Gjatë pandemisë, konferencat apo takimet e biznesit ishin në nivelin zero. Ka disa sinjale që ka filluar dhe ka disa kërkesa, flasim gjithmonë në raport me vjet.
Tregu i konferencave dhe aktiviteteve të tjera ende nuk është në treg normal dhe kjo nuk është vetëm te ne, por e përbotshme. Sinjalet janë të mira. Për tre muajt e parë, deri diku, janë disa shifra optimiste dhe shpresojmë që kjo të vijojë, pasi kemi kërkesa për muajt maj, qershor, korrik, për aktivitete të kësaj natyre.
Ka pasur rritje çmimesh në disa segmente që ju prekin direkt edhe ju, të lidhura me ushqimet, detergjentët, energjinë. Si kanë ndikuar këto në biznesin tuaj?
Në raport me tregun, nuk kam informacion të plotë, ose ai informacion që kam për sa u përket çmimeve të akomodimit nuk ka pasur lëvizje, pra efekti është zero. Kjo është edhe për një arsye të thjeshtë, pasi hoteleria nuk ka vetëm një produkt.
Në akomodim, ka disa kategori dhe ajo që shitet më shumë (dhomat më të lira) nuk kanë ndonjë ndryshim në raport me kategoritë e tjera të produktit. Ka pak lëvizje tek ushqimet, që është ndikuar më shumë nga lëvizjet e kostove, por në tërësi, çmimet në struktura nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Rritja e çmimeve, ose aspekteve të tjera, ka gërryer më tepër fitimin e kompanisë sesa ka shkuar te kosto finale që i faturohet klientit.
Ju jeni ndër strukturat e para që morët një markë si “Maritim”. Çfarë përfitimesh shihni nga ky hap sot, pas dy vjetësh?
Për fat të keq, marrja e një marke për ne ndodhi në të njëjtën kohë me pandeminë. Kishim vetëm 6 muaj që e kishim marrë. Gjithsesi, deri më tani, përfitimin më të madh e kam sa i takon trajnimit, sepse marrëveshja parashikon që disa herë në vit, ata të dërgojnë trajnerë për rritjen e nivelit të shërbimit të stafit.
Kjo është sinergjia apo përfitimi më i madh që kam pasur. Po të ishim në kushte normale, sigurisht që do të përfitoja nga emri i markës, apo nga produkti që mund të ofronte, për shkak të emrit dhe seriozitetit, si një markë gjermane me emër. Në këto kushte, nuk mund ta mas efektin, por te trajnimet më ka dhënë shumë ndihmë.
Një sërë markash kanë hyrë në vendin tonë te strukturat akomoduese dhe tashmë nuk është më vetëm Tirana, por po shkojnë drejt bregdetit. Ju si e shihni praninë e kaq shumë emrave në treg?
Besoj që sa më shumë marka të hyjnë, aq më mirë do të jetë për tregun. Mendoj që do të rrisë standardet dhe cilësinë e shërbimit, por mbi të gjitha standardet tërësore të sektorit. Është një sinergji, që besoj se tregu do ta ndiejë në afatmesëm. Në afatshkurtër, mund të duket si rritje e kostove, sepse markat nuk janë falas, duhet t’i paguash.
Hyrja e sa më shumë markave është shumë mirë, sepse do të thotë që do të kemi disa struktura, të cilat do të rrisin nivelin e shërbimit dhe cilësinë e bërjes së turizmit në përgjithësi, sepse krijon kushtet e përshtatshme.
Për shembull, nëse ne do të krahasojmë kohën kur ishte “Sheraton”, ishte i vetmi në treg dhe e kishte të pamundur të mbijetonte, ndërkohë, në momentin që janë disa marka, kjo është diçka e mirë për gjithë sektorin. E vlerësoj shumë pozitivisht, pavarësisht kostove që në fazën e parë, disa edhe mund t’i mërzitë dhe bezdisë.
Falë lehtësive që u morën pak vite më parë, në funksion të tërheqjes së markave hoteliere, duket se shumica e tyre është përqendruar në Tiranë. Mendoni se tregu i Tiranës është i mbingopur, a shini një tepri të strukturave apo ka vend për të gjithë?
Nëse e shohim nga pikëpamja konservatore, duket sikur do shtohet stoku i dhomave të hotelerisë dhe mund të krijojë probleme. Unë nuk e shoh kështu. E shoh me optimizëm, sepse mendoj se jemi të destinuar të rritet tregu i turizmit dhe ky treg s’ka të bëjë vetëm me strukturat akomoduese.
Tregu i turizmit ka të bëjë me rritjen në tërësi të ekonomisë, infrastrukturës dhe gjithë standardeve të vendit duke filluar nga portet, aeroportet, infrastruktura rrugore, mjekësore dhe ajo e sigurisë. Rritja e gjithë këtyre do të çojë në rritjen e sektorit të turizmit dhe besoj se Tirana në veçanti, por edhe i gjithë vendi, ka potencial për t’u rritur dhe për të shkuar të paktën në nivelet e rajonit.
Këtu kam parasysh Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Nuk po them të krahasohemi me Kroacinë dhe Greqinë, por të paktën të shkojmë në nivelet e vendeve të tjera të rajonit. Nëse shkojmë aty, jemi mirë dhe mendoj se kemi ende shumë rezerva për të shkuar në nivelet e tyre.
Në këtë prizëm, këto struktura akomoduese mund të kalojnë në krizë, jo për shkak se po shtohet numri, por nëse nuk vazhdojnë të rriten elementet e tjera. Rritja e tyre, mendoj se shkon në linjë me rritjen e strukturave akomoduese.
Nuk mendoj se përbën problem shtimi i kapaciteteve në kuptimin e 1 mijë shtretërve. Në momentin që bota do të kthehet në situatë normale, mendoj që ky shtim mund të jetë madje mundësi. Sot, në shumë evente, Tirana nuk përzgjidhet pikërisht për shkak të mungesës në kapacitete.
Për shembull, kemi një aktivitet në datë 24-25 maj, që është finalja e Europa League. Ne nuk kemi shtretër në Tiranë, për të pritur një aktivitet të tillë. Pavarësisht se është pandemi, Tirana do të jetë në vështirësi dhe një pjesë e madhe e tifozëve do të vijnë dhe ikin brenda ditës, pasi s’kemi kapacitet. Llogariten të vijnë 10-15 mijë vetë dhe nuk kemi struktura që mbështesin aktivitete të tilla.
Ndaj në kushtet aktuale, nuk mendoj se ka për të shkaktuar ndonjë problem numri i markave në rritje, përveçse do t’i bëjë mirë. E shoh optimist në dy aspekte. Së pari, me strukturat e reja akomoduese dhe me hyrjen e markave, do të rritet cilësia e shërbimit dhe besoj se Tirana do të ndërkombëtarizohet, do të bëhet më e njohur.
Markat dihet që e japin efektin, sepse hyn në tregun global, me të mirat e të këqijat që ka ai. Së dyti, e shoh që në raport me rajonin, jemi ende mbrapa në këtë sektor.
Në kushtet që jemi, cilat janë sfidat që ju shihni për sektorin?
Sfidat do të jenë shumë të mëdha, me efekte që kanë nisur që prej pandemisë. Bota kaloi një situatë jo të lehtë, madje më të vështirën në 100 vitet e fundit, edhe pse ne shpesh e neglizhojmë dhe nuk e marrim në konsideratë. Janë efekte që po ndodhin në tregjet globale, për shkak të prishjes së zinxhirit ekonomik dhe shumë produkte po ndikohen.
Këtu kam parasysh energjinë, metalet, naftën. Do të fillojnë drithërat dhe shumë produkte të tjera. Sidomos tani dhe me luftën që po shkon më shumë se dy muaj, dyshoj që do të ketë një ekonomi të re në botë, do ketë ndryshime të shpejta dhe të fuqishme, do jetë një presion shumë i madh i tregut, forcave që mund t’i llogarisim dhe atyre që nuk mund t’i llogarisim. Do të ketë sfida shumë të mëdha, jo vetëm për sektorin e turizmit, por për gjithë ekonominë.
Lajmi i mirë është që përderisa përballuam pandeminë, duke u izoluar në kushte shtëpie, këtë do ta përballojmë më lehtë dhe do të na bëjë më të fortë dhe besoj se për të gjithë do të ketë mundësi shumë më të mëdha, pavarësisht ndonjë pasoje negative në afatshkurtër në biznese të caktuar, apo në individë të caktuar. Në tërësi, situatën e shoh optimiste. Vështirësitë do të jenë shumë të mëdha, por mundësitë edhe më të mëdha.
Ka një lloj konsolidimi të turizmit dhe strukturave akomoduese, a shihni të njëjtin konsolidim tek industritë mbështetëse të sektorit?
Për fat të mirë, dhe ato po ecin dhe madje, mirë. Unë çdo vit dhe në çdo kohë shoh fenomene që ndodhin vetvetiu në treg, që nisen nga kërkesa dhe oferta dhe vërej disa sinjale pozitive. Po ju jap vetëm një shembull.
Kur hapa Plaza-n, reçelin dhe mjaltin i merrja si produkte nga Italia dhe nuk i gjeja në treg, as në paketimin e duhur, as në cilësinë e garantuar. Thjesht nuk ishin. Lajm i mirë është që tashmë i gjej shumë lehtë dhe në disa variante e forma.
Ky është një lajm i gëzueshëm. Po kështu, janë dhe disa produkte të tjera të industrisë mbështetëse të hotelerisë, që kanë filluar të zhvillohen jo në përmasa gjigante. Në formën e biznesit të vogël, por ama kanë nisur të krijohen dhe ky është një lajm thuajse fantastik.
LEXONI EDHE:
Dyndja e markave të hoteleve pas lehtësimit nga taksat, a ka vend për të gjitha?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.