Flet Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing Sh.a
Pandemia detyroi edhe institucionet financiare jo banka që të shohin mundësitë për të lehtësuar situatën e klientëve në vështirësi. Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing Sh.a., në një intervistë për “Monitor”, pohon se janë miratuar shtyrje të kësteve të qirasë financiare për klientët, si biznese, edhe individë.
Ajo thotë se 2020 do të jetë një vit i vështirë për të gjithë sektorët. Sa u takon sektorëve që mbështeten nga qiraja financiare, ai i “makinave me qira” është dukshëm më dobët këtë vit.
Si të gjithë sektorët e ekonomisë, edhe tregu i qirasë financiare u ndikua shumë nga pandemia e COVID-19. Ky treg është i lidhur ngushtë me mjetet në lëvizje, kështu që vetë kufizimi i lëvizjes, si për transportin privat dhe atë publik, e çoi kërkesën në nivele minimale.
Si është interesi i individëve dhe bizneseve tani me rihapjen që nisi nga qershori?
Sigurisht që me rihapjen, edhe kërkesa është shtuar. Këtë e shohim më tepër të reflektuar në kërkesat nga individë, që i përkasin sektorit të vetëpunësimit, apo disa biznese të cilat po vazhdojnë me planet e investimit, të nisura përpara fillimit të pandemisë.
Më tepër se gjysma e kërkesave na ka ardhur nga klientë ekzistues. Kërkesat kanë qenë domethënëse edhe për mjete dhe makineri të linjave të prodhimit industrial, ku Raiffeisen Leasing ka ekspertizë tregu dhe pozicion dominues.
Si e prisni në përgjithësi vitin 2020, në lidhje me pasigurinë dhe paqartësinë që ekziston mbi pandeminë?
Viti 2020 padyshim do të jetë unik për vetë natyrën e kësaj situate që po kalon e gjithë bota. Sigurisht që do të ketë një rënie të konsiderueshme të kërkesës, sidomos në tregun e Makina me Qira, i lidhur ngushtësisht me sektorin e turizmit në Shqipëri.
Ne do të jemi tërësisht të përkushtuar në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit afatgjatë me klientët dhe koncesionarët tanë dhe do të vazhdojmë në mënyrë aktive t’ju përgjigjemi nevojave të tyre, me larminë e produkteve dhe shërbimeve tona. Kjo falë edhe mbështetjes nga Grupi Raiffeisen, me një bazë të fortë kapitali.
Nga sektorët, transporti ishte ndër më të goditurit. Si është reflektuar kjo në rinovimin e flotave? Po ndërtimi, si ka qenë në kërkesë, duke qenë se ka vijuar?
Në sektorin e transportit privat, theksin do ta vija sidomos në sektorin e Dhënies së Makinave me Qira që, për mendimin tim, është nga më të goditurit. Ky treg zë një pjesë të konsiderueshme të shitjes së makinave të reja. Dhe për momentin, kërkesa nga këta operatorë është shumë e ulët, ku konsiston më tepër në disa kontrata me numër të vogël mjetesh.
Për sa i përket sektorit të ndërtimit, kemi pasur kërkesa, të cilat janë të lidhura me planet e investimit të klientëve, të cilat kanë filluar përpara COVID-19.
Si ka qenë shuma mesatare e kërkuar për financim, në rritje apo në ulje, në raport me një vit më parë?
Të bësh një krahasim me vitin e kaluar nuk do të ishte shumë e saktë. Viti 2019 ka qenë viti më i suksesshëm për Raiffeisen Leasing që nga fillimi i aktivitetit, kështu që një krahasim me një vit që është mbizotëruar nga një pandemi në nivele globale, nuk do të ishte shumë i drejtë. Por viti 2019 është mbyllur frytshëm, ku Raiffeisen Leasing ka mbajtur pozicionin lider, me rreth 40% të tregut.
Ka më shumë kërkesë për pajisje të përdorura, apo për të reja?
Për ne, kërkesa ka qenë kryesisht për mjete të reja. Por ia vlen të përmendet që, edhe mjetet e përdorura, janë pjesë e portofolit tonë, me disa kushte vjetërsie dhe amortizimi.
A ka ndikuar situata e pandemisë në vështirësi pagese nga palët përfituese dhe si është zgjidhur kjo, duke pasur parasysh elasticitetin që ekziston?
Patjetër që ka pasur, por duke marrë parasysh 2 Moratoriumet dhe ne kemi pasur një periudhë intensive diskutimi bashkë me klientët tanë, në mënyrë që të gjejmë rrugët më efektive që të jetë përfituese për vazhdimin e aktivitetit si për ta, po ashtu edhe për ne.
Janë miratuar pothuajse të gjitha kërkesat për shtyrje të pagesës së kësteve të qirasë financiare, si për individë, edhe për biznese në vështirësi. Rezultati është inkurajues për ecjen përpara dhe dalëngadalë do t’i rikthehemi normalitetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.