Tre ide për ta bërë këtë vit më të mirin në aspektin profesional
Fillimi i freskët i një viti të ri zakonisht ofron të gjithë motivimin që ju nevojitet për të bërë ndryshime në jetën tuaj profesionale.
Gjithsesi, vitet e fundit kanë qenë të vështira dhe është e kuptueshme që mund të mos ndiheni të frymëzuar për punën tuaj.
Sipas raportit të vitit 2022 nga Gallup, të quajtur “State of the Global Workplace”, 60% e të anketuarve raportuan se ishin të shkëputur emocionalisht nga puna dhe 19% raportuan se ndiheshin keq në punën e tyre.
Studimet tregojnë se ndryshimet e vogla në punën dhe në rutinën tuaj përgjithësisht janë të vlefshme. Për më tepër, këto ndryshime mund të jenë pikërisht ato që ju nevojiten për ta orientuar në drejtimin e duhur rrugëtimin profesional.
Këto janë këshillat dhe strategjitë më të mira për të ringjallur motivimin tuaj në punë në vitin 2023.
Përgatituni për sfida
Përgatitja për të përballuar pengesat e pashmangshme në rrugën drejt arritjes së një qëllimi është tepër e rëndësishme.
Gabriele Oettingen, autori i librit “Rethinking Positive Thinking: Inside the New Science of Motivation”, e shpjegoi këtë proces në një shkrim në New York Times: “Mendoni për një dëshirë.
Për disa minuta, imagjinoni sikur dëshira realizohet, duke e lënë mendjen tuaj që të endet ku të dojë. Më pas ndërroni perspektivë. Kaloni edhe disa minuta duke imagjinuar pengesat që do t’ju dalin gjatë rrugës drejt realizimit të kësaj dëshire.”
Nëse po planifikoni t’i kërkoni drejtuesit një promovim, për shembull, imagjinoni disa nga pyetjet që ai mund të bëjë në lidhje me kualifikimet tuaja – dhe si mund t’u përgjigjeni atyre.
Jepuni njerëzve këshilla
Një tjetër strategji e mirë është t’u jepni këshilla personave të tjerë që po përballen me probleme të ngjashme. Mund të tingëllojë e çuditshme që të jepni këshilla për gjërat që edhe vetë nuk mendoni se i zotëroni plotësisht, por studimet tregojnë se kjo gjë ju orienton drejt veprimeve dhe ju jep më shumë besim.
Në një studim, Ayelet Fishbach, profesore e shkencës së sjelljes në Shkollën e Biznesit Booth të Universitetit të Çikagos, u kërkoi nxënësve të shkollave të mesme që t’u ofronin këshilla motivuese nxënësve më të rinj ose të merrnin këshilla motivuese nga mësuesit e tyre.
Ajo zbuloi se nxënësit që jepnin këshilla shpenzuan më shumë kohë duke bërë detyrat e shtëpisë gjatë muajit të ardhshëm sesa ata që merrnin këshilla.
Ajo e përsëriti këtë eksperiment në shumë situata të tjera: njerëzit në vështirësi që jepnin këshilla ishin më të motivuar për të kursyer para, për të kontrolluar temperamentin e tyre, për të humbur peshë ose për të kërkuar një punë të re.
Vendosni vetëm një prioritet çdo ditë
Jini të sinqertë për sasinë e gjërave që mund të bëni.
Në çdo ditë të caktuar, ka të ngjarë të ketë dhjetëra gjëra që janë në mendjen tuaj dhe duhen bërë. Përpjekja për t’u marrë me të gjitha ato është zakonisht një mënyrë për t’u siguruar që të mos bëni asnjërën prej tyre.
Në librin e tyre, “Make Time: How to Focus on What Matters Every Day”, Jake Knapp dhe John Zeratsky këshillojnë që ta filloni çdo ditë duke identifikuar gjënë më të rëndësishme që dëshironi të arrini në 24 orët e ardhshme.
Knapp dhe Zeratsky ndihmuan në konceptimin e procesit të projektimit “sprint” në Google, kështu që ata dinë shumë gjëra lidhur me menaxhimin e kohës.
“Vlerësoni atë që është më e rëndësishme për ju, jo atë që është më urgjente”, shkruan autorët. Dhe “mendoni për atë që ka nevojë për më shumë përpjekje ose punë”.
Ideja është të jeni realist lidhur me sasinë e gjërave që mund të bëni, dhe të minimizoni shpërqendrimet që mund t’ju pengojnë për të realizuar punët më të rëndësishmet për ju. / Business Insider