Ndër agjencitë klasifikuese, “Fitch” ishte e para që deklaroi se klasifikimi amerikan po rrezikohej. Vendimi pritet të merret së shpejti. Sipas tyre falimentimi i mundshëm i “super-komisionit” thekson vështirësitë ku gjendet Uashingtoni për të arritur konsensusin mbi rrugët që duhet të zgjidhen, për të ulur deficitin federal dhe për të bërë që financat publike të kenë ecuri pozitive në terma afatmesëm.
Ndërkaq, “Standard & Poor’s” ka vendosur që ta mbajë të pandryshueshëm vlerësimin për besueshmërinë e Thesarit amerikan
(Aa+), por konfirmon se perspektiva vazhdon të mbetet “negative”. Kujtojmë këtu se ekonomisë amerikane iu hoq vlerësimi historik i A-së së trefishtë në muajin gusht, për shkak të mosmarrëveshjeve mes republikanëve dhe demokratëve. Për momentin “Fitch” e vlerëson ekonominë amerikane si të “qëndrueshme”, ndërsa “Moody’s” me “negative”.
Një në tre amerikanë është i varfër
I famshmi slogan “99%” që i drejtohej të gjithë të indinjuarve të botës, në të cilin deri më sot përfshiheshin të varfrit, e ashtuquajtura “klasa punëtore” dhe shtresa e mesme, nënvizon Nona Willis Aronowitz në revistën “Good”, rrezikon paradoksin, të bëhet i vjetruar në momentin më të madh të suksesit.
Këtë e kanë konfirmuar edhe shifrat e habitshme mbi varfërinë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë dalë nga zyra e Censusit në Uashington. Sipas tyre, një në tre amerikanë është i varfër ose rrezikon të bëhet i tillë. Kjo gjendje po përfshin gjithnjë e më shumë njerëz të shtresës së mesme, madje edhe ata që kanë pronë, makinë dhe një kontratë në kohë të pacaktuar.
Në muajin shtator, zyra e Censusit publikoi të dhënat për vitin 2010, sipas të cilave 15.2% e popullsisë amerikane jetonte nën nivelin e varfërisë, shifra më e lartë që nga viti 1993. Shifrat llogariteshin sipas kritereve fikse të përcaktuara në vitet ‘70. Mjaftoi një reformë në kriteret e llogaritjes e pagëzuar me emrin “Supplementary Poverty Measure”, (matjet shtesë për varfërinë) dhe shifra u rrit në 16%.
Kjo rritje e ka çuar numrin e amerikanëve që jetojnë në vështirësi në 100 milionë ose një në tre vetë.
Një shtëpi në pronësi, familja, celulari, ngrënia e të gjitha vakteve nuk mjaftojnë më për ta larguar varfërinë.
Sipas të dhënave të sondazhit të fundit, 28% e personave që kanë një punë fikse është i varfër ose rrezikon të bëhet i tillë.
Të ardhurat e atyre që rrezikojnë të bëhen të varfër llogariten në vit në 51,000 dollarë (rreth 38,000 euro).
Nëse pavarësisht këtyre kushteve ju rrezikoni varfërinë, sqarojnë ekspertë të sistemit të ri të matjes, kjo vjen për faktin se tashmë nuk merret në konsideratë vetëm prona dhe të ardhurat, por edhe ushqimi, kreditë, taksat, programet e ndryshme mbështetëse që ofron qeveria, interesat e hipotekës, shpenzimet mjekësore, figuracionet etj. Të gjitha, mbi të ardhurat e disponueshme.
E përditshmja “New York Times”, që ka analizuar të dhënat e zyrës së Censusit, tregon një histori të veçantë. Ajo quhet Pyllis Pendleton, një punonjëse sociale që punon në Uashington, ka një celular BlackBerry, dy makina, është e martuar me një portier, ka dy vajza njëra 13 vjeçe dhe tjetra 11, një shtëpi që vlen 230,000 dollarë dhe një rrogë prej 51,000 dollarësh në vit, por që sipas sistemit të ri të matjes “Supplementary Poverty Measure” shkon në shifrën 40,000 dollarë në vit.
Që nga momenti kur Pyllis jeton në një zonë ku niveli i varfërisë është përcaktuar në nivelin 31,000 dollarë, ajo dhe familja e saj nuk kanë ndonjë diferencë shumë të madhe nga ky nivel. “Mjafton të na vijë një faturë më e kripur dhe ne marrim fund, thotë ajo për “Times”, atëherë do të duhet të bëjmë ‘hedhje vdekjeprurëse´ për të gjetur para për të paguar kurset shkollore të fëmijëve”. Fjalë që trondisin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku deri tani ndihej ‘era´ e sigurisë ekonomike për shtresën e mesme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.