Flet Eliana Bakiri, administratore e “Top Tour”
Pas pandemisë dhe situatës së krijuar me prodhuesit e automobilave, që deri diku dhanë ndikim dhe te tregu i qiradhënies së makinave, si paraqitet situata sot në vendin tonë? A kemi hyrë në një cikël më të qetë?
Mund të themi që sot kemi një lloj stabiliteti në kuptimin që nuk jemi më të frikësuar, nëse do të kemi apo jo klientë.
Për ne është e qartë që kërkesa është në rritje dhe këtë e shohim nga rezervimet.
Sa u takon mjeteve është një gjendje e përgjithshme në Europë dhe më gjerë, pasi ka disi vakum por kompanitë që janë të mëdha, kanë përparësi edhe te tregtarët e automobilave.
Ne kemi rritur flotën e përgjithshme me 10%, ndërkohë duke qenë se operojmë në 9 shtete, kemi dhe fleksibilitetin që të zhvendosim mjetet nga njëri treg në tjetrin sipas kërkesës.
Për shembull, në muajin mars ne kemi sjellë në Shqipëri flotën që kemi në Austri, duke lënë pak mjete këtu.
Do t’i kthejmë sërish në tetor. Kjo lëvizje erdhi në një kohë kur tregu austriak nuk është më aq interesant, pasi ka rritje të kostove dhe çmimet nuk justifikojnë shpenzimin. Shqipëria, nga ana tjetër, ka një rritje të shpejtë të kërkesës si efekt i turizmit.
Cilat janë arsyet, që sipas gjykimit tuaj, kanë sjellë këtë rritje të tregut të makinave me qira dhe cilat janë destinacionet që parapëlqehen ?
Ky vit nisi mirë për tregun e makinave me qira që në muajt e parë. Në Tiranë kishte rezervime të shumta gjatë marsit, ndërsa prilli ka pasur edhe më shumë.
Ka qenë atipik sa u takon rezervimeve pasi ndër vite ata që vinin dhe merrnin makina me qira ishin emigrantët por nga ajo që ne shohim, këtë prill, dominuan turistët nga Europa. Kjo ka ndodhur për faktin se Turqia dhe Spanja që dikur ishin tregje shumë tërheqëse në këtë periudhë, janë bërë shumë të shtrenjta.
Për Turqinë vlen edhe faktori i tërmetit. Ndaj europianët e shtresës mesatare që u drejtoheshin këtyre dy destinacioneve kanë zgjedhur Shqipërinë apo Kroacinë.
Shumica kanë qenë vizitorë nga Europa Veriore. Këtë kërkesë të lartë që në muajt e parë të vitit e shohim si një sinjal që tregu do të jetë aktiv me rezervime për një periudhë 10-mujorë ndryshe nga sa ndodh zakonisht që përqendrohet në verë, të cilën këtë vit e parashikojmë me fluks dhe ndoshta do të na duhet që të sjellim të tjera mjete nga një tjetër vend ku operojmë, siç është Rumania.
Aktualisht destinacionet më të kërkuara në Shqipëri janë Tirana por edhe Jugu i vendit, kryesisht Saranda.
Ka një tendencë në botë për të shkuar drejt makinave elektrike ndoshta për ata turistë që janë të ndjeshëm ndaj mjedisit, apo për ekoturizmin. A keni menduar të investoni në këtë drejtim dhe cilat janë pengesat që shihni?
Ne kemi investuar në makina elektrike dhe flota e kësaj natyre përdoret në disa degë më specifike të turizmit. Por mund të them që europianët nuk janë shumë të predispozuar për të marrë me qira një mjet të tillë, pasi nuk ka shërbim të disponueshëm për këtë lloj mjeti, përveç faktit që stacionet elektrikë të karikimit mungojnë.
Ju si kompani me zyra në disa vende si e shihni situatën sa u takon forcave të punës? A hasni vështirësi?
Është bërë shumë e vështirë për të gjetur punonjës. Kjo nuk vlen vetëm për Shqipërinë. Është në përgjithësi tregu i punës i pastabiluzar, një tendencë që u pa pas pandemisë pasi ndryshimet që pësoi kultura dhe mentaliteti i punës ishte domethënës.
Nëse flasim sot për një çmim mesatar në treg për një makinë me qira, sa llogaritet ajo?
Në përllogaritjen e një çmimi hyjnë shumë elemente si lloji i mjetit apo kohëzgjatja. Gjithsesi çmimi mesatar nis nga 20 euro/dita.
Klientët kërkojnë makina të cilës kategori, ekonomike, luksoze apo miqësore me mjedisin (elektrike)?
Janë dy lloj klientësh. Klientët që e njohin turizmin dhe dinë të udhëtojnë nuk i preferojnë makinat luksoze. Në Shqipëri vijnë të marrin diçka tjetër.
Por ka dhe klientë që duan pjesën më luksoze dhe kjo kryesisht është e lidhur me Ballkanin.
Pjesa më e madhe duan makina ekonomike dhe që mund të jenë makina familjare. Ne vetë në flotën tonë nuk kemi makina luksoze.
Kërkesat më të veçanta që duan shërbime ekstra gjithë sezonin mund të jenë dhjetë dhe ata që duan pjesën luksoze kërkojnë edhe shofer në dispozicion për të qenë më të qetë dhe për të marrë më të mirën nga eksperienca e tyre e udhëtimit në vend.
Cili është klienti tipik i huaj që zgjedh makinat me qira flasim këtu për profilin (familje, çifte, grupe shoqërore) dhe sa është kohëzgjatja mesatare e qiramarrjes?
Klientët si moshë fillojnë nga 19 vjeç deri në 73 vjeç por sezoni i sivjetshëm është shumë i përqendruar te të rinjtë . Mendoj se ndikim kanë dhënë festivalet që kanë nisur të organizohen, ku kryesisht shkojnë të rinjtë.
Ndërkohë kur flasim për pushime të ndërmjetme që mund të jetë në periudhën e Pashkëve apo disa festa të tjera ata që vijnë drejt Shqipërisë janë familjarët. Edhe në verë dominojnë familjarët, ata që marrin makina me qira.
Sa i takon kohëzgjatjes së marrjes së një makine me qira, ajo fillon minimalisht nga tre ditë kur dikush planifikon të kalojë një fundjavë këtu dhe shkon mesatarisht deri në një javë. Këtu flasim për pushime të ndërmjetme.
Në verë kohëzgjatja mund të shkojë edhe dy javë maksimalisht. Realisht, Shqipëria nuk ka diversitet aq të madh sa të të mbajë më shumë se kaq për shkak se i mungojnë shërbimet e tjera mbështetëse dhe aktivitetet argëtuese.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.