Përpjekjet për t’i bërë zinxhirët e furnizimit “të qëndrueshëm” ka të ngjarë të dështojnë. Dhe mund të jenë të kushtueshme, shkruan The Economist
Napoleon Bonaparti nuk kishte në mendje zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues kur deklaroi se “vuajtja e masave paraprake shpesh i tejkalon rreziqet që duhen shmangur”.
Por thënia e tij është ende e vërtetë në ditët e sotme, 200 vite më vonë.
Qeveritë dhe kompanitë tani thonë se duan të mbrohen nga ndërprerjet, qofshin këto peripecitë e tregjeve globale apo shantazhet e qëllimshme nga udhëheqës si Vladimir Putin.
Ata kanë frikë se në çdo çast, Kina mund të provojë diçka të ngjashme, duke penguar furnizimin e Perëndimit me mallra apo përbërës thelbësorë.
Megjithatë, në praktikë, nxitja për të ndryshuar zinxhirët e furnizimit do të ketë shumë më tepër kosto sesa përfitime.
Plani përshkruhet në mënyra të ndryshme, por në thelb është i njëjtë. Disa politikanë duan të “shkëputen” nga Kina. Të tjerë flasin për “ulje rreziku”, duke i përqendruar përpjekjet në një të tretën e tregtisë së përgjithshme që shihet si “strategjike”.
“China-plus-one” është një slogan i ri, sipas të cilit, një biznes duhet të plotësojë një furnizues kinez me një rezervë jokineze. Afrimi i pikave të prodhimit mund të ndihmojë në arritjen e këtyre qëllimeve.
Këto plane synojnë të ndryshojnë një sistem tregtar global, i cili, në vitet para pandemisë, ishte përqendruar vetëm në efikasitet dhe e arriti këtë me sukses. Në Britani, çmimi mesatar i mallrave të qëndrueshme si televizorët dhe tavolinat, të cilat kryesisht importohen, ra me 15% nga viti 2001 në 2016.
Mallrat më të lira të konsumit rritën të ardhurat reale, veçanërisht për të varfrit. Tregtia gjithashtu zgjeroi shumëllojshmërinë e mallrave të ofruara.
Disa thonë se efikasiteti erdhi në kurriz të elasticitetit. Kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Para pandemisë, zinxhirët e furnizimit ishin gjithnjë e më elastikë.
The Economist shqyrtoi çmimet për rreth 300 importe amerikane nga viti 2005 deri në vitin 2019.
Paqëndrueshmëria e çmimeve, e matur me rritjen e kostos së diçkaje gjatë një periudhe gjashtëmujore, po binte.
A ndikoi pandemia
A u prish kjo qëndrueshmëri gjatë pandemisë, siç argumentohet zakonisht? Në vitin 2020 dhe 2021, shumë mallra, nga çipat kompjuterikë te gazi natyror, ishin në mungesë, duke shkaktuar rritje të çmimeve.
Disa kompani e kishin të vështirë të gjenin lëndë të para. “Edhe pse zinxhirët globalë të furnizimit janë bërë më të larmishëm dhe më efikasë, – tha Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, vitin e kaluar, – ata gjithashtu janë bërë jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj goditjeve globale që prekin shumë sektorë në të njëjtën kohë”.
Megjithatë, kjo pikëpamje është kryesisht e gabuar. Është e rëndësishme që të bëhet dallimi midis dështimit të vërtetë të zinxhirit të furnizimit dhe vonesave të shkaktuara nga një rritje e jashtëzakonshme e kërkesës.
Marrim si shembull dezinfektuesit e duarve. Ndoshta asnjë mall tjetër nuk ka pasur rritje aq të lartë të kërkesës gjatë karantinave. Në vitin 2019, Britania importoi 16,000 tonë lëndë dezinfektimi dhe bizneset paguanin 2,90 dollarë për kilogram.
Në fillim të vitit 2020, pati mungesa. Por tregjet u përgjigjën shpejt. Brenda pak ditësh, fabrikat po e prodhonin atë në sasi të mëdha. Gjatë vitit 2020, Britania importoi 86,000 tonë dhe çmimi mesatar u rrit në vetëm 3,50 dollarë.
Në vitin 2021, kompanitë globale të gjysmëpërçuesve dërguan 1.2 trilion njësi, 15% më shumë se një vit më parë. Në vitin 2021, importet amerikane të gjysmëpërçuesve u rritën me 30% gjatë vitit 2020.
A kishte vërtet një problem furnizimi, apo industria iu përgjigj me efikasitet të arsyeshëm një rritjeje të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme të kërkesës?
Ndërkohë, një korrje e fortë e grurit në vitin 2022 uli shpejt çmimin e ushqimit, i cili ishte rritur pas pushtimit rus të Ukrainës. Europa u largua shpejt nga gazi rus dhe gjeti furnizime alternative, pasi Putini shkaktoi rritjen e çmimeve.
The Economist shqyrtoi 17,000 mallra të ndryshme që Amerika importoi nga viti 1989 deri në vitin 2022. Për çdo vit, ne numëruam numrin e mallrave ku sasia fizike e importeve ra nga viti i kaluar.
Kjo matje tregon rastet kur një zinxhir furnizimi “dështon” vërtet.
Në vitin 2020, shkalla e dështimit ishte vetëm paksa mbi mesataren. Edhe në mes të një pandemie që ndodh një herë në një brez, shumica dërrmuese e zinxhirëve të furnizimit vazhduan normalisht.
Frika nga kontrolli i Kinës
Shumë të tjerë kanë frikë se Partia Komuniste kineze mund të shfrytëzojë pozicionin mbizotërues të Kinës në zinxhirët e furnizimit, për të arritur qëllime politike.
Për shembull, Kina mund të pushtojë Tajvanin dhe të detyrojë mbylljen e fabrikave të gjysmëpërçuesve në ishull (të cilat prodhojnë dy të tretat e çipave në botë). Çmimi i tyre sigurisht që do të rritej.
Edhe pa pushtuar Tajvanin, Kina ka kontroll në shumë industri. Ajo është përgjegjëse për rreth 80% të prodhimit të lëndëve të para të përdorura për qelizat solare, por edhe të vetë qelizave dhe moduleve në të cilat ato montohen.
The Economist shqyrtoi të dhënat e eksportit për 120 industri prodhuese globale. Në vitin 2005, Kina po shënonte rritje (pra ishte përgjegjëse për mbi një të tretën e eksporteve globale) në 10% të industrive. Në vitin 2020, kjo arriti në 30%, një shifër rekord.
Sot Kina zë 50% të tregut global ose më shumë, në rreth 20 industri, duke përfshirë këtu pajisjet e komunikimit dhe instrumentet optike.
Prandaj, me ndihmën e subvencioneve, kompanitë perëndimore po përpiqen të ulin varësinë ndaj Kinës. Një mundësi është përqendrimi i prodhimit në vend.
Në Amerikë, shpenzimet e ndërtimit në sektorin e prodhimit, në raport me PBB-në janë në rritje (shih grafikun). Shpenzimet reale australiane për ndërtimet jorezidenciale janë 10% më të larta se një vit më parë.
Britania po ndërton objekte të reja industriale 50% më shpejt se në vitet 2010.
Një mundësi tjetër është kalimi nga një mënyrë prodhimi me sloganin “fiks në kohë”, në një metodë me sloganin “në rast nevoje”.
Vitin e kaluar, kompanitë në vendet e pasura kanë blerë si rezervë pjesë këmbimi, me vlerë sa rreth 1% e PBB-së, sa dyfishi i normës para pandemisë, duke i dhënë kështu siguri vetes në rast se zinxhirët e furnizimit dështojnë.
Të tjera dëshirojnë një “integrim vertikal”, duke blerë furnizues për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm të materialeve.
Një shembull i tillë është Tesla, një kompani makinash e cila kohët e fundit bleu një fabrikë të përpunimit të litiumit në Teksas. Integrimi vertikal në të gjithë sektorin e prodhimit të vendeve të pasura, i matur nga pjesa e prodhimit bruto që gjenerohet brenda asaj industrie, po rritet, pasi u fundos në vitin 2012.
Ndryshimet më të mëdha po ndodhin në skenën ndërkombëtare. Kompanitë po gjejnë partnerë të rinj tregtarë, që nuk janë kinezë.
Nga viti 2018 deri në vitin 2021, importet “strategjike” nga Kina në Perëndim (duke përfshirë sistemet e armëve, pjesët kompjuterike dhe produktet optike), ranë nga 33.5% e totalit, në 31.9%.
Importet kineze sot kapin vlerën 6% të kostos së mallrave të shitur në S&P 500, nga 8% në vitin 2018. Disa analistë besojnë se së shpejti, Apple do të zhvendosë 20% të prodhimit të celularëve iPhone, nga Kina në Indi.
Por edhe nëse pranojmë argumentin se shkëputja ose ulja e rrezikut është e nevojshme, vendet e pasura do të hasin tri probleme të mëdha ndërsa tërhiqen.
Së pari, detyra është mjaft e madhe. Ashtu si Gjermania, Australia po shkëputet me entuziazëm nga Kina. Megjithatë, sipas prirjeve të tanishme, do të nevojiten 35 vjet për të tërhequr vetëm gjysmën e totalit të Investimeve të Huaja Direkte që vendi ka atje.
Do të duhet shumë kohë për të larguar konsumatorët perëndimorë nga furnizimet e prodhuara në Kinë. Ndërkohë, teknologjia kineze vazhdon të përhapet në Perëndim, veçanërisht në Europë.
Problemi i dytë është se shumë alternativa ndaj Kinës janë gjithashtu të papëlqyeshme. Në vitin 2022, për herë të parë, Tajlanda dhe Vietnami së bashku morën më shumë Investime të Huaja Direkte sesa Kina.
Eksportet e mallrave nga Vietnami në vendet e pasura janë rritur me 50% që nga viti 2019. Por të dyja janë vende jodemokratike. Demokracia në Indi, një tjetër përfitues ku po rriten Investimet e Huaja Direkte është gjithashtu me shumë të meta.
Aleatët e vendeve perëndimore nuk kanë përparuar shumë në ndryshimin e zinxhirëve të furnizimit. Prirjet në Investimet e Huaja Direkte në Meksikë nuk janë mbresëlënëse.
“Faktorët e brendshëm”, duke përfshirë produktivitetin e ulët, “e bëjnë të papëlqyeshme idenë e ndërtimit të pikave të prodhimit atje”, thotë banka JPMorgan Chase. Punësimi në prodhim po rritet jo më shpejt se para pandemisë.
Mesatarisht, autokracitë po përfitojnë më shumë se sa demokracitë nga afrimi i pikave të prodhimit. Që nga viti 2019, eksportet nga autokracitë drejt vendeve të pasura janë rritur me 30%, por me vetëm 25% nga demokracitë.
Nga viti 2018 deri në 2021 (të dhënat më të fundit të disponueshme), kompanitë në vendet demokratike e rritën stokun e Investimeve të Huaja Direkte në autokracitë me 16%, por me vetëm 8% në demokracitë e tjera (shih grafikun).
Dhe ka një problem të tretë. Importet e drejtpërdrejta kanë rënë, por Perëndimi po importon shumë më tepër nga vendet që mbështeten gjithnjë e më shumë në eksportet kineze.
Amerika shpenzon tri herë më shumë për importet nga industria vietnameze e kompjuterëve sesa në vitin 2016.
Megjithatë, në të njëjtën periudhë, importet kineze në Vietnam të makinerive të përdorura për prodhimin e kompjuterëve, u rritën me tre të katërtat.
Ndodhia e fundit me zinxhirët e furnizimit zbulon një të vërtetë të rëndësishme. Kur ndodhin gjëra të këqija, tregjet mund të përshtaten mjaft mirë. Në të kundërt, siç ka vërejtur Napoleoni, planifikimi për më të keqen ka të ngjarë të jetë i kushtueshëm.
Për të garantuar qëndrueshmërinë e çdo zinxhiri furnizimi, duhet të jeni në gjendje të parashikoni se çfarë mund të ndodhë me kërkesën dhe më pas të keni aftësinë për ta përmbushur atë menjëherë.
Dhe duhet të siguroheni që armiqtë tuaj nuk mund ta prishin atë në asnjë çast. Rezultati është se, pavarësisht se flitet për një revolucion në zinxhirët e furnizimit, bota do të mbetet kryesisht e ndërvarur.
Ndryshimi më i dukshëm do të jetë rritja e kostos së të bërit biznes./ Përktheu: Lira Muça
Ulje e varësisë apo rritje e kostove
Ndodhia e fundit me zinxhirët e furnizimit zbulon një të vërtetë të rëndësishme. Kur ndodhin gjëra të këqija, tregjet mund të përshtaten mjaft mirë. Në të kundërt, siç ka vërejtur Napoleoni, planifikimi për më të keqen ka të ngjarë të jetë i kushtueshëm. Për të garantuar qëndrueshmërinë e çdo zinxhiri furnizimi, duhet të jeni në gjendje të parashikoni se çfarë mund të ndodhë me kërkesën dhe më pas të keni aftësinë për ta përmbushur atë menjëherë. Dhe duhet të siguroheni që armiqtë tuaj nuk mund ta prishin atë në asnjë çast. Rezultati është se, pavarësisht se flitet për një revolucion në zinxhirët e furnizimit, bota do të mbetet kryesisht e ndërvarur. Ndryshimi më i dukshëm do të jetë rritja e kostos së të bërit biznes