Intervistë me Ermal Demaj, Drejtor i Shitjeve, Balfin Real Estate & Hospitality
Pas tërmetit dhe pandemisë, kërkesa po orientohet drejt zonave të shkëputura nga zhurma dhe rrëmuja e qendrave të qytetit.
Ermal Demaj, Drejtor i Shitjeve, Balfin Real Estate & Hospitality pohon se gjatë këtyre muajve ka pasur një interes në rritje në blerjen e pronave të patundshme të çfarëdo lloji ku përfshihen këtu rezidencat e banimit apo edhe rezidencat e pushimit. Ky shtim i kërkesës është reflektuar dhe me një rritje të çmimeve me 5-7%. Z.Demaj thotë se kërkesa pritet e lartë dhe në vijim dhe trendi rritës i çmimeve do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm.
Si është aktualisht kërkesa për apartamente dhe vila në zonat rezidenciale të Grupit Balfin?
Kërkesa për të investuar në projektet rezidenciale të grupit Balfin është rritur shumë. Njerëzit duket që tani po rendin jo vetëm drejt çmimit, por drejt zgjedhjes më optimale dhe shohin shumë faktorë, që janë tregues të fortë për investimin që do të bëjnë.
Vërejmë se kryesisht, ajo çfarë ka ndikuar në rritjen e kërkesave është serioziteti që kemi treguar në projektet tona të mëparshme me cilësinë e ndërtimit, afatin e përfundimit, apo dhe mirë-administrimi që realizojmë pas përfundimit të punimeve në këto projekte, standardi i shërbimit që ofrojmë për klientët tanë, mbështetja që ofrojmë në financim në bashkëpunim me bankat më të mira në vend. Në investime të tilla, për blerësin këta janë faktorë parësorë e të rëndësishëm.
Krahasuar me vjet a ka ndryshuar kërkesa dhe çmimet e shitjes dhe cilët janë faktorët që kanë ndikuar?
Gjatë këtyre muajve ka pasur një interes në rritje në blerjen e pronave të patundshme të çfarëdo lloji ku përfshihen këtu rezidencat e banimit apo edhe rezidencat e pushimit. Tërmeti, por së fundmi dhe pandemia, duket se kanë ndikuar jo pak në rritjen e kërkesës për të investuar në investime të sigurta, në prona brenda vendit. Kjo rritje kërkese sigurisht është reflektuar dhe në shtrenjtimin e çmimeve që krahasuar me vjet ka një rritje prej rreth 5% – 7%.
Çfarë tendence është vënë re pas ngjarjes të tërmetit dhe pandemisë, individët çfarë po kërkojnë më shumë të blejnë?
Si pasojë e tërmetit & pandemisë, si për pronat rezidenciale apo edhe rezidencat e pushimit, vihet re një orientim i kërkesave drejt zonave të shkëputura nga zhurma & rrëmuja e qendrave të qytetit. Kërkesat që vijnë janë kryesisht për prona në projekte e komplekse të mirë-organizuara. Një vëmendje e veçantë tani i kushtohet shumë cilësisë së ndërtimit, shërbimeve plotësuese të projekteve & garancive të ofruara. Ndërtimet e ulëta, me hapësira individuale dhe në periferi, janë gjithashtu në fokusin e blerësve.
Cilat projektet më të reja në ndërtim të Grupit dhe çfarë synon të ofrojë për individët e interesuar që kërkojnë të blejnë apartamente apo vila?
Aktualisht janë disa projekte në ndërtim dhe disa të tjera në faza më të hershme zhvillimi. Krahas projektit turistik më të madh në Shqipëri dhe më gjerë, Green Coast, që po ngrihet në Palasë të Vlorës dhe që ka filluar të popullohet e të funksionojë normalisht gjatë sezoneve turistike dhe jashtë tyre, tashmë kemi dhe disa projekte të tjera që kanë nisur punimet apo edhe disa më të reja, që presim të marrin jetë shumë shpejt.
Bëhet fjalë për komplekse rezidenciale me vila, komplekse me shtëpi pushimi në bregdetin e Adriatikut, njësi banimi dhe shërbimi në një zonë shumë elitare të qytetit të Tiranës, por edhe projekte në periferi të saj, që shumë shpejt do të marrin jetë.
Pra synimi ynë është të vazhdojmë t’i shërbejmë klientelës “high end” tashmë të konsoliduar për ne, por pa lënë jashtë edhe segmentin “low end”, duke e orientuar këtë të fundit drejt çmimit të mirë, standardit dhe zgjedhjeve Smart.
Projektet më të prekshme dhe që kanë nisur tashmë puna për to, janë komplekset rezidenciale që po zhvillohen si Rolling Hills 2 dhe Collina Verde. Këto projekte ofrojnë një numër të kufizuar vilash banimi me organizim të brendshëm dhe funksional, por dhe hapësira të bollshme individuale, për të siguruar dhe ofruar sa më shumë privatësi. Këto komplekse po ndërtohen në periferi të Tiranës.
Kemi pak kohë që kemi filluar shitjen dhe interesi është i lartë, pasi si Rolling Hills 2 ashtu edhe Collina Verde, kanë pikërisht karakteristikat që klientët po kërkojnë. I përshaten pikërisht kërkesave të tregut të evidentuara më sipër. Janë projekte të shkëputura nga zhurma dhe rrëmuja e qendrave të qytetit, komplekse të mirë organizuar, ndërtime të ulëta, me oborre & hapësira individiuale.
Çfarë parashikoni për vitin 2021, pritet të ketë ndryshim të çmimeve?
Jemi vetëm pak ditë larg 2021, ndaj mund të them që do të vazhdohet i njëjti ritëm në lidhje me kërkesat dhe sigurisht dhe ofertat nga investitorët. Kërkesat në rritje dhe realizimi i investimeve për përmbushjen e tyre, janë faktorët kryesorë që ndikojnë në trendin e çmimit. Ndaj nuk do të ketë ndryshime thelbësore të çmimeve, por besoj se trendi rritës i çmimeve do të vazhdojë edhe për vitin në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.