Flet Armand Skuqi, administrator i “Solares”
Teksa interesi për projektet fotovoltaike ka shënuar rritje të shpejtë, operatorët e tregut shprehen se ka nevojë për më shumë vëmendje nga autoritetet për të mbështetur këtë situatë.
Armand Skuqi, administrator i kompanisë Solares, shprehet se një nxitje më e madhe do të ishte që bilanci i tepricave të bëhej vjetor dhe jo mujor, sikurse është aktualisht. Sipas tij, kjo do t’i bënte investimet që të shiheshin më të leverdishme nga biznesi.
Së fundmi, kriza energjetike ka nxitur një orientim më intensiv të biznesit drejt impianteve fotovoltaike. Ju a keni vënë re këtë tendencë si kompani?
Situata ka ndryshuar kryekëput. Vetëm muajin e fundit kemi pasur një rritje të kërkesës me 60% për projekte fotovoltaike. Janë kryesisht biznese që po shohin mundësinë për të përballuar krizën që ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme çmimet e energjisë në tregje.
Nuk janë vetëm biznese në treg të lirë, por edhe biznese në tregun e rregulluar, por që e shohin me leverdi këtë formë investimi. Sa i takon profilit, në përgjithësi janë agropërpunim dhe industri. Të paktën ne kemi punuar shumë me industrinë e përpunimit të mishit, frutave, magazinimin, përpunimin e peshkut, pijeve dhe lëngjet e frutave. Këto lloj biznesesh kanë investuar dhe po investojnë, duke shtuar kapacitetet pasi rezultatet kanë qenë të mira.
Cilët kanë më shumë interes, bizneset apo familjarët?
Në fakt, bizneset më shumë. Për individët, interesi mbetet i ulët, pasi kostoja e impiantit nuk është gjithmonë fikse për njësi. Nuk është njëlloj si të instalosh 5 kWp dhe një 500 kWp. Detyrimisht për familjarin kostoja është më e lartë dhe kthimi i investimit më i gjatë, sepse çmimi që paguan familjari sot në tregun e rregulluar është 9.5 lekë.
Ky çmim është i leverdishëm dhe ndoshta me llogaritjet që mund të bëjë nuk e sheh të arsyeshme një impiant, nëse nuk e përballon dot investimin fillestar. Mendoj se ka edhe diçka tjetër në këtë aspekt, e cila lidhet me faktin se një pjesë e mirë e popullsisë në zonat urbane jetojnë në apartamente. Në këtë pikë nuk ke mundësi fizike ku ta instalosh impiantin.
Megjithatë mund të bëhet diçka tjetër që me ndërmjetësimin e bashkive të instalohen impiante në tarraca dhe të shërbejnë për konsumin e përbashkët që mund të jetë shkalla, ashensori, pompat e ujit. Format dhe mënyrat janë të shumta për të nxitur tregun vendas drejt fotovoltaikëve, por si fillim duhet të zgjidhen disa aspekte ligjore.
Cilat janë disa nga çështjet që ju shqetësojnë në lidhje me ligjin për burimet e rinovueshme? Ju si grup interesi keni kërkuar rishikimin e disa pikave…
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, pasi gjithmonë kur diskutohet për impiantet fotovoltaike duhet pasur parasysh edhe sesi është ligji në Shqipëri. Ajo që i intereson biznesit kur ndërmerr një projekt është kthimi i investimit. Deri më sot, për çmimet që flasim, kthimi i investimit është 4.5-5 vite maksimumi.
Nëse energjia do të shkojë në 20-25 lekë sikurse e kemi parë nga kriza e fundit, kthimi i investimit do të jetë 2.5 vjet. Ligji për burimet e rinovueshme në vendin tonë parashikon aplikimin e matjes neto (net-mettering). Problemi më i madh që ne kemi me konsumatorët e mëdhenj të lidhur me furnizuesin kryesor është se nuk u njihet diferenca. Matja neto nuk respektohet dhe kjo nuk është e drejtë, pasi ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës.
Në mënyrën sesi funksionon tregu, ka disa operatorët privatë që ofrohen të blejnë diferencat me çmim shumë më të ulët sesa është çmimi i shitjes. Nuk është as 50%. Plani fillestar ishte që çmimi i tepricave të energjisë, në rastin e vetëprodhuesve, të ishte i njëjtë me çmimin e shitjes. Kjo do të ishte logjika e matjes neto por që momentalisht e aplikon vetëm Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Do të ishte shumë favorizuese për bizneset, që montojnë impiante fotovoltaike, që e njëjta metodologji, të aplikohej edhe për Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL) pasi shumë shpejt, një pjesë e konsiderueshme e këtyre bizneseve, do të kalojnë në treg të lirë. E njëjta gjë do të ishte e vlefshme dhe për ato biznese, që aktualisht, janë të lidhur në rrjetin 35 kilovolt. Ne si grup interesi, kemi bërë kërkesë për rishikim pranë ministrisë përgjegjëse, por ende nuk kemi ndonjë reagim.
OSHEE, si problem teknik kryesor në implementimin e këtyre impianteve fotovolatikë ka disbalancën në sistem. Teknikisht, ky shqetësim është i drejtë. Por duhet pasur parasysh që injektimi në rrjet nga fotovoltaiket nuk kap as 1%. Vetëm humbjet në rrjet OSHEE i ka 22%, ndaj mendoj se ka hapësira për këtë tolerancë.
Po sa i takon matjes, sepse ka një kërkesë të unifikuar që ajo të jetë vjetore dhe jo mujore. Cila është leverdia e biznesit në këtë kuadër?
Edhe çështja e matjes është një pikë që ne e kemi ngritur si shqetësim. Ligji e ka përcaktuar që matja të bëhet në bazë mujore. Kjo matje, nga ana tjetër, krijon një handikap, pasi përjashton gati 35% të biznesit nga skema. Për shembull, një hotel që punon në dimër dhe energjinë e konsumon në dimër nuk ka asnjë interes që të instalojë një impiant, pasi në verë kur është edhe maksimumi i prodhimit prej gjatësisë së ditës, ai është i mbyllur.
Me sistemin aktual të matjes, do të rezultonte që e gjithë energjia e prodhuar nga bizneset e mësipërme gjatë verës kur nuk kanë mundësi ta konsumojnë, të sillte përfitim zero për ta. Këto nuk janë vetëm hotele, janë magazina frigoriferike që punojnë me produkte dimërore fjala bie.
Në zonën e Korçës ka shumë frigoriferë që mbajnë mollën apo produkte të tjera dhe nuk kanë konsum në verë, por në dimër. Korça është një zonë e mirë, pasi ka mjaft rrezatim edhe në dimër, por leverdia do të ishte që matja të ishte vjetore dhe të aplikohet për të gjithë, edhe për ata që janë në tension 35 kilovolt dhe kanë dalë në tregun e liberalizuar. Biznesi në tregun e lirë duhet të trajtohet në këtë aspekt, njëlloj si pjesa tjetër dhe duhet të detyrohen operatorët e furnizimit privat që ta njohin diferencën, pasi edhe për privatët, matjet i bën OSHEE.
Edhe disbalancat nuk mund të bëhen shkak për frenim të investimeve. Sigurisht që instalimi në rritje i njësive 500, 200 apo 300 kWp duhet të ndiqet, por është ende shumë larg krijimit të problemeve për rrjetin. Me këtë krizën që po shohim, do të ishte me vend të kishte nxitje më shumë se pengesë dhe një formë e tillë do të ishte aplikimi i matjes neto vjetore.
Kapaciteti maksimal për 500 KW në disa raste nga bisedat që kemi pasur me bizneset është cilësuar i ulët. A e shihni ju këtë si problematikë apo është i mjaftueshëm për vetëprodhimin?
Ne kemi kërkuar rishikim të kapacitetit të instaluar për vetëprodhim. Për aq kohë sa ka biznese, që kanë fuqi të instaluar nga OSHEE, më të mëdha se 500 kw, nuk ka përse të ekzistojë kufizimi për montimin e një njësie gjeneruese energjie.
Përveç kësaj, kemi kërkuar që impiantet, të mund të instalohen edhe jashtë objektit, në një rreze të caktuar, që të mos ketë humbje në transmetim. Për shembull, në një rreze 30 kilometra. Kjo është një kërkesë që rrjedh nga specifikat e këtyre impianteve. Në shumë raste me kapacitete të larta, sipërfaqja e nevojshme për instalimin e paneleve tejkalon sipërfaqen në dispozicion që mund të ketë objekti i bizneseve. Ne kemi kërkesa nga biznese që kanë nevojë me raste edhe për 1.5 deri në 2 MW dhe kufiri prej 500 kWp i përcaktuar në ligj bëhet pengesë.
Biznesi mund të jetë i gatshëm që të blejë një pronë ose ta marrë atë me qira dhe të kalojë atje projektin. Kjo mund të bëhet vetëm me rregullimet përkatëse në ligj dhe të mundësohet bilanci vjetor. Këto ndryshime do të rrisnin interesin për të investuar dhe do të ulin edhe nevojën për import në kushtet kur “hidro” mund të jetë i disfavorizuar nga vitet e thata.
Gjermania ka 48% më pak rrezatim sesa Shqipëria. Lëvizim me 26% me Slloveninë që mund të konsiderohet se jemi në të njëjtën zonë. Kjo tregon se potenciali i energjisë diellore në vendin tonë është shumë i lartë në raport me shumë vende të tjera, aspekt ky që e bën edhe më të favorshëm implementimin e impianteve fotovoltaikë për konsumatorët shqiptarë.
Për shkak të situatës së post-pandemisë janë rritur kostot. Bizneset që importojnë nga Kina u janë rritur në mënyrë drastike çmimet për shkak të transportit. Edhe ata që prodhimin e kanë në Europë janë ekspozuar ndaj shtrenjtimit të lëndëve të para. Ju a e konstatoni diçka të tillë?
Absolutisht që po. Sot që flasim, çmimet e paneleve krahasuar me 6 muaj më parë janë gati 35-36% më të larta. Çmimet e kabllove që janë me përmbajte bakri apo metali në përgjithësi janë gati 60% më shumë. Çmimet e strukturave të montimit alumin janë gati 80% më shtrenjtë në krahasim me më parë. Nuk di të them për eksportin me Kinën, sepse ne punojmë me produkte të BE-së, por rritja është e përgjithshme. Ndoshta janë bazat dhe origjina e nënprodukteve.
Çmimi i transportit nuk na ka ndikuar sikurse pjesën tjetër që nga 4 mijë u ka shkuar 17 mijë USD kontejneri. Nga ana tjetër, kërkesa për panele fotovoltaikë është shumë më e lartë se disponibiliteti një faktor që ka ndikuar në rritjen e çmimit të paneleve dhe kostove të impianteve në përgjithësi.
Aktualisht, impiantet kushtojnë më shumë sesa 6 muaj më parë, por avancimi i teknologjisë dhe rritja e eficencës dhe performancës së paneleve ka reduktuar kohën për kthimin e investimit. Kjo balancon disi koston e rritur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.