Kërkesat për fonde për bujqësinë, kryesojnë investimet në ferma

01/02/2020 10:03 PM 0 komente
Frida Krifca, kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

Frida Krifca, kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural: Sipas analizës paraprake, sepse jemi herët të dalim në konkluzione, kërkesa ka qenë më shumë për investime në fermë dhe diversifikimin e fermës

Në datën 15 janar u mbyllën aplikimet për fondet IPARD II, i cili është Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD), me qëllim zhvillimin e sektorit agroushqimor. Thirrja e parë e këtij programi vinte në dispozicion 50.33 milionë euro, nga të cilat 75 %, ose 37.74 milionë euro, kontribut i BE-së dhe 25 %, ose 12.58 milionë euro, kontribut i buxhetit të shtetit. Ndërsa thirrja e dytë vuri në dispozicion 57.68 milionë euro, nga të cilat 75 %, ose 43.26 milionë euro, kontribut i BE-së dhe 25 %, ose 14.42 milionë euro, kontribut i buxhetit të shtetit.

Në takimet me fermerët dhe agropërpunuesit është bërë e ditur se, subjektet e skualifikuara në thirrjen e parë, kanë mundësinë e riaplikimit.
Një risi e shpallur me hapjen e thirrjes së dytë, që më 30 tetor, është ofrimi i mekanizmave lehtësues në këtë proces, i cili mendohet se ka “penalizuar” shumë fermerë, që nuk arritën të përfundonin dokumentacionin e kërkuar në thirrjen e mëparshme.

Kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, znj. Frida Krifca, thotë se risitë në thirrjen e dytë ishin disa mekanizma lehtësues si:

  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 5,000,000 në 12,000,000 euro, për sa i përket masës 3.
  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 1,000,000 në 2,400,000 euro, në lidhje me masën 7.
  • Aplikimi në më shumë se një sektor brenda një mase.
  • Afati për dorëzimin e dokumenteve nga 15 ditë kalendarike bëhet 15 ditë pune.

Në një intervistë të fundit me revistën “Monitor”, znj. Krifca shton se, në këtë thirrje të dytë ka pasur 371 aplikime, 17 % më shumë se në thirrjen e parë.

 

Intervista/ Flet Frida Krifca, kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

“Mbyllet thirrja e dytë e IPARD II, 17% më shumë aplikime”

 

Në 15 janar 2020 u mbyllën aplikimet për fazën e dytë të fondeve IPARD II. Çfarë interesi ka pasur këtë vit gjatë nisjes së thirrjes së dytë të fondeve IPARD?

Në këtë thirrje të dytë nga Programi IPARD II është vënë re rritje e ndërgjegjësimit të fermerëve dhe sipërmarrësve në zonat ruale, që nga takimet informuese me grupet e interesit në 12 qarqet e vendit.

Të gjithë të interesuarit janë njohur nga drejtues të programit, unë personalisht kam qenë në të gjitha takimet, dhe është bërë i njohur i gjithë dokumentacioni i kërkuar, si dhe janë adresuar problematikat e hasura në thirrjen e parë. Interes i shtuar dhe pjesëmarrje e lartë është vërejtur në takimet informuese dhe promovuese të Programit IPARD II (mbi 1 300 persona), në periudhën 15/10/2019 deri më 29/10/2019.

Kjo thirrje vjen me lehtësira në procedura, me qëllim përmbushjen  e kritereve të përgjithshme dhe specifike për përfitimin e fondeve IPA, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare.

Informacioni i dhënë ka qenë shterues në lidhje me përgatitjen e dokumentacionit, në mënyrë efektive dhe në kohë, në ndihmë të aplikantëve të interesuar.

Falë kësaj qasjeje është vënë re rritje e ndërgjegjësimit për aplikime në programet mbështetëse, perceptim pozitiv në publik i realitetit dhe mundësive të ofruara për fondet e bujqësisë, finalizuar me përfundimin e thirrjes së dytë, datë 15 janar, me 371 aplikime, 17% më shumë se në thirrjen e parë.

 

Ku ka qenë fokusi i kërkimit të mbështetjeve?

Sipas analizës paraprake, sepse jemi herët të dalim në konkluzione, kërkesa ka qenë më shumë për investime në fermë dhe diversifikimin e fermës. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoritetin Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në përputhje me politikat bujqësore të BE-së dhe qeverisë shqiptare, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit në fushën “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (IPARD) synon të përmbushë objektivat e programit për mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor, me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit.


A ka pasur problematika këtë vit në aplikime?

Është herët të gjykojmë cilësinë dhe problematikën në këtë thirrje, sepse sapo ka filluar procesi i shqyrtimit të dosjeve. Megjithatë, me lehtësirat që ne bëmë këtë thirrje dhe referuar çështjeve dhe problematikave të adresuara nga fermerët dhe agropërpunuesit, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural bashkë me Autoritetin Menaxhues i kanë kërkuar Zyrës së Bujqësisë në BE ndryshimet, të cilat janë miratuar për zbatim në thirrjen e dytë.

Ndryshime në dokumentacion në thirrjen e dytë:

  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 5,000,000 në 12,000,000 Euro; Për masën 3
  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 1,000,000 në 2,000,000 Euro; Për masën 7
  • Aplikimi në më shumë se një sektor brenda një mase;
  • Afati për dorëzimin e dokumenteve nga 15 ditë kalendarike bëhet 15 ditë pune;
  • Si dokument i vlefshëm pronësie shërben kontrata e qirasë/kontrata e huapërdorjes/kontrata e përdorimit me afat 10-vjeçar;
  • Preventivi për punimet e ndërtimit, pjesë e planit të biznesit.

 

Cilat mund të jenë masat e mëtejshme për mbështetjen e prodhimit vendas gjatë vitit 2020?

Me investimet e reja në bujqësi dhe në sektorin e agropërpunimit, si dhe nga përfituesit e thirrjes së parë (100 kontrata të lidhura deri tani) jemi në rrugë të mbarë. Kjo synon zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të ekonomisë rurale.

Masat mbështetëse nga fondet kombëtare janë komplementare të programit IPARD II.

Fokusi është gjithmonë te fermerët e vegjël për të rritur masën e përfitimit të tyre. Skemat kombëtare do të jenë të fokusuara në mbarështimin e tufës në nivel ferme. Do të ketë mbështetje për matrikullim për tufën bazë për lopë, të imta si dhe bletari.

Masa e financimit për krerë do të jetë më e lartë krahasuar me vitin 2019 , si dhe fokus kryesor do të jetë shtimi i krerëve në fermat blegtorale.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of