Kërkohet një… Guvernator

27/03/2012 4:05 PM 0 komente

Mbaron mandati i Shkëlqim Canit. Cili është bilanci i tij? Disa pretendentë për kreun e institucionit më të rëndësishëm monetar të vendit. Kush janë zotërinjtë që aspirojnë të ulen në kolltukun 7-vjeçar?! Shkëlqim Cani ia arriti të thyejë një rekord përgjatë këtij tranzicioni 14-vjeçar. Ai bëhet i pari Guvernator, i cili arrin të mbarojë një mandat të plotë 7-vjeçar në krye të institucionit më të rëndësishëm, atij të politikës monetare. Paraardhësit e tij nuk e kanë pasur këtë fat, duke qenë kështu të kushtëzuar nga humori politik dhe krizat e herëpashershme që janë përsëritur në mënyrë ciklike. I pari kre i Bankës së Shqipërisë në erën e demokracisë ishte Ilir Hoti. Mirëpo ai nuk qëndroi më shumë se 2 vjet në këtë post. Madje, fati i tij nuk ishte aspak i këndshëm, pasi nën akuzën e të qenit protagonist dhe përgjegjës i një skandali financiar, ai vuajti disa vite burg. Hoti do të zëvendësohej nga Dylber Vrioni, i cili nga ana e tij do të thyente rekorde të tjera, sikurse është pushtimi i institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, edhe pse ishte me profesion inxhinier mekanik. Vrioni nuk do të rrinte më shumë sesa 1 vit në krye të Bankës së Shqipërisë, pasi ai do të emërohej ministër i Financave në vitin 1994. Pas tij, radhën për t u ulur në kolltukun e Guvernatorit do ta kishte Kristaq Luniku, të cilin viti 1995 e gjeti me statusin e zëvendësguvernatorit. Emërimi i tij ishte i pakontestueshëm dhe i mirëpritur, madje edhe i reklamuar, pasi ai përfaqësonte një të ri të përkushtuar e të apasionuar me sistemin bankar. Mirëpo zhvillimet e mëpasme, rënia e piramidave që solli humbjen e kursimeve të popullsisë, katastrofa e sistemit financiar në të cilin u gjet vendi, ishin një epilog aspak i këndshëm për karrierën e Guvernatorit Luniku. Edhe pse ai është munduar herë pas here të shkarkojë përgjegjësinë e tij, duke iu referuar korrespondencës me zyrtarë të lartë të qeverisë e të shtetit të asaj kohe me pretendimin se kishte paralajmëruar tragjedinë piramidale. Ikja e Lunikut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijoi vakum në drejtimin e Bankës së Shqipërisë. Qamil Tusha ishte njeriu që do të mandatohej në vitin 1997 si Guvernatori i katërt i Bankës së Shqipërisë. Mirëpo nuk do të rrinte më shumë se 6 muaj në këtë post. Humbja e zgjedhjeve nga ana e forcës politike që e kishte emëruar krijonin një rrethanë të pafavorshme edhe për Tushën, edhe pse mandatin ai e kishte 7-vjeçar, ashtu sikurse edhe paraardhësit e tjerë të tij. Ndaj, për vetë klimën që kishte ekzistuar deri në atë kohë, ku emërimet dhe lëvizjet ishin të shpeshta, si dhe për situatën e re që sillte rotacioni politik, ishte mëse e logjikshme që socialistët do të sillnin një Guvernator të ri në krye të Bankës së Shqipërisë. Kështu, më 31 gusht 1997 mori udhë mandati i Shkëlqim Canit. Janë pra 7 vite të plota në krye të Bankës së Shqipërisë, çka konfirmon edhe një herë se jetëgjatësia në poste të tilla varet shumë edhe nga stabiliteti politik i vendit. Në këtë kuptim, Cani duhet t i jetë mirënjohës edhe faktit të ripërtëritjes së mandatit të socialistëve, në zgjedhjet e vitit 2001, çka siguroi vazhdimësinë e postit të tij. Bilanci i Guvernatorit Cani Tani që duhen edhe rreth 40 ditë që Shkëlqim Cani të mbyllë mandatin, pyetja më e natyrshme dhe e logjikshme që mund të bëhet në këtë rast, ka të bëjë me bilancin e tij. Pra, cilat ishin arritjet dhe defektet që manifestoi ky Guvernator? Është e qartë se nën drejtimin e Canit, Banka e Shqipërisë arritje kryesore të saj ka kontrollin mbi inflacionin. Duke qenë një objektiv primar për këtë institucion, inflacioni në Shqipëri, si një nga treguesit kryesorë makroekonomikë, ka qenë gjithmonë në nivelet e parashikuara. Asnjëherë në Shqipërinë ekonomike të këtyre 7 viteve, inflacioni nuk doli nga shinat. Madje, ai ka qenë edhe refren i fjalimeve të qeveritarëve të ndryshëm apo përfaqësuesve të FMN-së në vendin tonë, kur ka qenë fjala për raportim suksesesh. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë u bë më transparente kundrejt publikut. Përpjekjet e këtij institucioni ishin sistematike në drejtim të zhdukjes së abstraktizmit, pra tingëllimit të Bankës si një institucion pa lidhje me qytetarin e publikun. Përkundrazi, banka u bë më e hapur, me raportime të vazhdueshme dhe me zgjerim të treguesve të raportuar publikut. Po kështu, nga ana e Bankës së Shqipërisë janë bërë përpjekje edhe për të rritur shkallën e kuptimit të treguesve të raportuar. Një arritje tjetër e Bankës së Shqipërisë mund të konsiderohet edhe përpjekja e saj për pavarësi, pavarësisht se përpjekjet për pavarësi nuk kanë shkuar në të njëjtin sens dhe me të njëjtin intensitet me përpjekjet për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë. Por 7 vitet e Canit në krye të Bankës përmbledhin në vetvete edhe një sërë dështimesh e skandalesh. I pari ishte ai i thesarit të Krrabës. Gjithkush që sjell në mend atë situatë në vitet 1998-1999, i kujtohet Shkëlqim Cani me cilësinë e magazinierit, i cili nuk dinte se çfarë kishte magazina, që ai kishte marrë në ngarkim. Dhe sado që faji hidhej si top futbolli ndërmjet formacioneve politike, prapë se prapë përgjegjësia e Guvernatorit në atë kohë dhe për atë problem ishte një fakt thuajse i pakontestueshëm, edhe nga vetë zgjedhësit e tij. Thesari ia la më pas vendin një tjetër skandali, sikurse ishte ai i kartëmonedhave dhe për të cilin, zëvendësi i Canit, Dhame Pite u burgos. Thelbi i këtij skandali ishte ndryshimi i kontratës me firmën franceze «François-Charles Oberthur Fiduciare», kundrejt një kostoje shtesë prej 600 mijë dollarësh, për të shtuar elemente të tjerë sigurie në kartëmonedhat e reja, që do të prodhoheshin dhe emetoheshin. E megjithëse një nga drejtuesit e lartë të Bankës u ndëshkua, përsëri ky skandal përbën një njollë të errët në CV-në e Canit në krye të Bankës së Shqipërisë. Jo pak herë Cani ka devijuar edhe nga funksioni bazë i tij, duke marrë atributet e kryetarit të një shoqate konsumatorësh. Dhe kjo është bërë e mundur nëpërmjet një praktike të re që themeloi Banka e Shqipërisë dy vitet e fundit, si sensibilizuese dhe monitoruese e çmimeve, në prag të festave të mëdha të fundvitit. Mos blini shumë për festa, sepse kërkesa e lartë, sjell rritje të çmimit – predikonte Cani dy fundvitet e fundit. Por konsumatorët blinin aq sa dëshironin dhe tregtarët shisnin aq sa duhej të shisnin, pa pyetur për fushatat sensibilizuese. Kështu, institucioni kundër inflacionit kthehej vetë në një institucion të inflacionuar, përderisa roli i tij në këtë histori ishte me efekt zero. Por, edhe Banka e Shqipërisë në kuptimin hierarkik administrativ nuk pati konsolidim të theksuar. Ndërsa Guvernatori arriti ta mbarojë mandatin e tij, kjo nuk mund të thuhet për strukturën e një mori departamentesh. Shkarkime dhe emërime, lëvizje të shumta, ndryshime strukturash ishin monolog i vazhdueshëm. Po kështu edhe pagat kanë qenë një tjetër drejtim ku ka spikatur destabiliteti i brendshëm i Bankës së Shqipërisë. Janë me dhjetra vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të saj për këtë problem. Duke vërtetuar kështu se, 7 vite nuk mjaftuan për ta bërë Bankën e Shqipërisë institucionin mëse solid. Kush janë kandidatët për kreun e Bankës së Shqipërisë? E natyrshme është edhe pyetja tjetër, që lidhet me kandidatët më të mundshëm për t u ulur në kolltukun 7-vjeçar. Kush janë ata? Cilët janë emrat që pëshpëriten poshtë e lart për këtë post. Në Shqipëri është themeluar një traditë. Sa herë që ka udhëkryqe të tilla drejtimi, klima e thashethemeve përmirësohet shumë. Sigurisht, që Guvernatori aktual është një kandidaturë potenciale. Mbarimi i njërit mandat nuk do të thotë mospasje e të drejtës për ta ripërtëritur atë edhe për 7 vite të tjerë. Është e sigurt se Cani në autoanalizën e tij gjen me dhjetra argumente se pse ai duhet të rizgjidhet në krye të institucionit që drejtoi për disa vjet. Në këtë këndvështrim, është gjithashtu e sigurt se gara për kolltukun e Guvernatorit do të ketë si një nga protagonistët e tij edhe Shkëlqim Canin. Por i gjithë problemi është se si do t iu rezultojë mandatuesve, bilanci i veprimtarisë së mëparshme të tij, duke abstraguar nga përkatësia politike. Në rast se ai do të jetë pozitiv, atëhere nuk është çudi, që Cani të jetë sërish në krye të Bankës së Shqipërisë. Sa herë që krijohen vakume për poste të rëndësishme në institucionet financiare, emri i Ardian Fullanit del si një kandidaturë e rëndësishme dhe me shumë probabilitet. Kështu ndodhi disa kohë më parë, përpara se Kastriot Islami të zgjidhej ministër i Financave të Qeverisë Nano 4. Kështu, po ndodh edhe tani me rastin e Guvernatorit. Siç duket, veprimtaria e tij profesionale deri më tani e aklimatizuar me kulme, si shumë vite punë në Bankën e Shqipërisë apo Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës Italo-Shqiptare e përkthejnë Fullanin një kandidaturë potenciale për poste të tilla. Jashtë garës së zhvilluar nuk qëndron edhe Genc Ruli. Edhe ky me një CV të pasur në drejtim, dikur ministër i Financave të Shqipërisë. Ndërsa prej më shumë se 10 vitesh, drejtor i Institutit të Studimeve bashkëkohore. Rutina në këtë funksion duket se ka krijuar uri të re për një post të rëndësishëm publik, për Genc Rulin. Por si një institucion, kreu i së cilës do të zgjidhet prej mazhorancës socialiste, kjo e fundit ka edhe disa figura të tjera potenciale për këtë post. Njëri prej tyre, dhe sigurisht më i spikaturi është ministri aktual i Financave, Arben Malaj. Prej disa vitesh ai përfaqëson fytyrën profesionale në ekonomi të socialistëve. Serioz, i përgjegjshëm në maksimum, Malaj përbën në të njëjtën kohë një kandidaturë mëse të përshtatshme për të qenë në krye të Bankës së Shqipërisë. E gjithë çështja qëndron tek përllogaritjet e tij, nëse ka projektuar konkurrimin apo jo, ndonëse përfoljet janë të tilla që tregojnë për interes të tijin në këtë post. Atëhere kush do të jetë në krye të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2004-2011?

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of