KESH mbyll shitjen 8.5 milionë euro për gjithë prillin, OSHEE ble me 31.79 euro/MWh

29/03/2018 12:01 AM 0 komente

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH) ka mbyllur së fundmi procedurën për shitjen e të paktën 288 mijë MWh energji me një vlerë totale prej 8.5 milionë eurosh. Çmimi mesatar rezulton 29.6 euro/megavat.

Aktualisht korporata është duke prodhuar me të gjitha kapacitetet e saj në Kaskadën e Drinit duke plotësuar edhe kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për furnizmin me energji të konsumatorëve fundorë kurse tepricat ka vendosur që t’i shesë në tregun e lirë.

Situata në Veri të vendit gjatë javëve të fundit është shfaqur problematike për shkak të reshjeve të shumta të shiut por edhe shkrirjes së borës ndëkorhë që KESH ka bërë me dije se po vijon të bëjë menaxhimin e Kaskadës sipas parashikimeve të Rregullores së Trajtimit të Plotave brenda kuotave të lejuara të operimit për periudhën në të cilën ndodhemi.
Shitja e energjisë në tregun e lirë nga ana e KESH tashmë ka muaj që po vijon duke u përpjekur që në kohë prurjesh të mëdha të prodhojë masivisht për të marrë përfitim nga situata hidrike. Gjatë marsit, në disa ditë të veçanta KESH u detyrua të shkarkonte nga portat e shkarkimit për të ruajtur nivelin që kërkon rregullorja tek liqenet e kaskadës së Drinit.
Në ndryshim nga viti 2017 duket se viti 2018 ka nisur me pozitiv për Korporatën, të paktën në aspektin financiar, kjo pasi janë kryer disa procedura tenderimi duke arkëtuar dhjetra milionë euro nga ankandet.

OSHEE siguron energjinë për biznesin me 31.79 euro/MWh

OSHEE ka përmbushur edhe këtë muaj detyrën e saj si Furnizues i Mundësisë së Fundit duke siguruar sasinë e nevojshme të energjisë që do t’ju shkojë klientëve të lidhur në 35 kilovolt për muajin prill. Këto biznese duhet të kishin dalë në treg të lirë por shumë prej tyre hasën në problematikën e mosgjetjes së një furnizuesi për shkak të sasisë së pakët të energjisë që konsumojnë çka nuk zgjon interes për operatorët e tregut.

Konkretisht OSHEE bleu 2,880 MWh enegji në një vlerë prej rreth 92 mijë euro çka i korrespondonte një çmim mesatar prej 31.79 euro/MWh.
Bizneset që funizohen nga ana e OSHEE do ta blejnë këtë energji 10 për qind më shumë sesa çmimi me të cilën e ka blerë kompania e shpërndarjes si dhe do të paguajnë tarifën e aksesit të rrjetit sipas tarifave të miratuara nga ERE

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of