KESH: Rezerva energjetike 740 GWh, 3.1 miliardë lekë investime

24/07/2020 10:06 PM 0 komente

Viti 2020 nuk hyn te vitet e mbarë dhe nuk flasim këtu vetëm për situatën e përgjithshme të pandemisë. Për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, ky është viti i dytë me vështirësi hidrike. Kjo do të thotë se është dashur të ndiqet me kujdes situata e prodhimit dhe transaksioneve me tregun e parregulluar për të krijuar rezervë energjetike të nevojshme për verën.

Plani i investimeve gjithashtu nuk ka ndjekur trajektoren e parashikuar në fillim, duke qenë më i ulët, me një vlerë prej 3.1 miliardë lekësh në total. Për vitin 2020, edhe pse një vit i vështirë, KESH synon të përfundojë vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe studimin e fizibilitetit për Hidrocentralin e Skavicës dhe impiantin fotovoltaik mbi liqenin e Vaut të Dejës në kaskadën e Drinit, tha kompania në një prononcim zyrtar.

 

Si ka qenë situata e KESH në 6 muaj të parë të këtij viti sa i takon prodhimit të energjisë në kaskadën e Drinit?

Për të dytin vit radhazi, KESH u përball me një situatë të vështirë hidrike shoqëruar me prurje 40% nën mesataren shumëvjeçare. Për këtë arsye, duke filluar nga muaji mars, Korporata nisi të operojë me programe të reduktuara gjenerimi, duke ruajtur njëkohësisht balancën e duhur ndërmjet prodhimit vendas dhe importit me çmime shumë të ulëta, për shkak të koniunkturës së favorshme në tregun e parregulluar.

Për rrjedhojë, në vetëm tre muaj, niveli i rezervës energjetike të kaskadës u rrit me 740 GWh, rezervë e mjaftueshme për të përballuar pjesën më të madhe të kërkesës në rritje për energji elektrike në muajt e verës, si dhe për të reduktuar maksimalisht importin me çmime të larta. Me gjithë rrethanat aspak të favorshme hidrike, Korporata garantoi në çdo kohë furnizim të qëndrueshëm, të pandërprerë, me cilësi të lartë dhe kosto të arsyeshme për konsumatorët, si dhe garantoi operim të sigurt të sistemit elektroenergjetik të vendit.

 

Sa është prekur aktiviteti i kompanisë së gjenerimit nga kufizimet dhe vështirësitë që solli COVID-19 në ekonomi në përgjithësi? 

Nën kushtet e pandemisë dhe emergjencës së deklaruar nga qeveria shqiptare, aktiviteti i KESH ka vijuar normalisht duke ndjekur me përpikëri protokollet e O&M (Operimi – Mirëmbajtje), duke respektuar kërkesat për ruajtjen e shëndetit në punë.

 

Si e ka përshtatur punën e tij KESH në këtë kohë pandemie, duke respektuar protokollin e sigurisë, por dhe duke vijuar aktivitetin normal?

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, si e vetmja kompani publike për prodhimin e energjisë elektrike në vend, pas situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19, ka marrë të gjitha masat për të vijuar me kapacitet të plotë, për të siguruar energjinë e nevojshme në këto ditë të vështira për të gjithë.

Gjithashtu janë marrë të gjitha masat në zbatim të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe Sekretariatit të Energjisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit, si dhe sigurimin e shëndetit të të gjithë punonjësve dhe familjarëve të tyre në të tre Hidrocentralet në administrim të KESH. Në zbatim të planit të masave të miratuar, si pasojë e shpalljes së pandemisë, të gjithë strukturat e KESH sh.a. po vijojnë punën në përmbushje të të gjitha detyrimeve dhe në përgjigje të kërkesës së sistemit energjetik.

Falë masave të marra, si dhe zbatimit rigoroz të tyre nga ana e personelit të hidrocentraleve, deri tani, fatmirësisht, nuk kemi asnjë punonjës të dyshuar me COVID-19.

 

Si kanë qenë transaksionet e optimizimit ekonomik?       

Si rrjedhojë e regjimit të prodhimit të realizuar në 6-mujorin e parë dhe për pasojë dhe të furnizuar për mbulimin e kërkesës për klientët fundorë, por edhe në funksion të kujdesit të ushtruar nën klimën e masave kundër COVID 19, transaksionet e KESH për optimizim të portofolit ekonomik kanë qenë të shumë të kufizuara. Ndërsa periudha e verës krijon më shumë mundësi në kushtet e një prodhimi me të lartë, por që sërish kushtëzohet nga ecuria e çmimeve të energjisë elektrike në bursën HUPX (bursa referente për rajonin e Ballkanit).

 

Si ka qenë ecuria e planeve tuaja të investimit dhe projektet ku jeni fokusuar këtë vit? Sa është vlera e investimeve?

Ecuria e planit të investimeve për vitin 2020 është ndikuar gjithashtu nga masat e ndërmarra për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia globale. Rrjedhimisht, aktivitetet e investimeve janë përqendruar kryesisht në ato që lidhen me sigurinë e veprave dhe disponibilitetit të agregateve për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike për vitin ushtrimor. Këto investime arrijnë në 3,118,028,000 lekë. Gjithashtu, gjatë këtij viti, janë duke u realizuar dhe Studimi i Fizibilitetit dhe Vlerësimi i

Ndikimit Social-Mjedisor për dy projekte të rëndësishme, të cilat janë: Hidrocentrali i Skavicës dhe Impianti fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës. Përfundimi i plotë i këtij procesi është parashikuar të realizohet brenda vitit 2020 dhe do të mundësojnë nisjen e realizimit të investimeve për ndërtimin e këtyre veprave në vitin e ardhshëm.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of