Shirat e ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në kaskadën e Drinit duke bërë që të ketë rritje të prodhimit.
Të dhënat e fundit të raportuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare mëngjesin e kësaj të premte tregojnë për një situatë të qëndrueshme ku shkarkime po bëhen vetëm nga hidrocentrali i Vaut të Dejës në nivelin e 300 metër3/s.
Referuar të dhënave zyrtare aktualisht, KESH ka një prodhim ditor 1180 MWh energji nga hidrocentrali i Fierzës, 11 239 MWh nga ai i Komanit dhe 4300 MWh nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Prurjet në Fierzë janë rritur dukeshem duke kapur nivelin 1530 m3/s ndërkohë që në Koman prurjet anësore janë 920 m3/s kurse në Vaun e Dejës 750 m3/s.
Nivelet e liqeneve në hidrocentrale janë për Fierzën 276.64 metra nga 296 metra që është maksimalja.
Hidrocentrali i dytë që është ai i Komanit ka një nivel 173.47 metra aktualisht, kur në fakt niveli maksimal i këtij liqeni është 175 metra. Hidrocentrali i tretë i kaskadës në radhë është ai Vaut të Dejës me një nivel 76 metra si kuotë maksimale por në fakt sot niveli i tij është 74.54 metra.
Menaxhimi i kaskadës më të madhe në vend bëhet përmes e Rregullores së Trajtimit të Plotave dhe vendimmarrjet që lidhen mbi të i bën Komisioni i Posaçëm KESH sh.a që operon kaskadën duke mbajtur në kontroll nivelin në liqenet ujëmbledhëse sipas kuotave të lejuara për secilën periudhë.
Vendi është përfshirë ditët e fundit nga reshje të shumta shiu që sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Mjedisit dhe Ujit pritet të jenë intensive edhe në ditët në vazhdim duke parashikuar kështu rritje të dukshme të prurjeve në lumenj në të gjithë vendin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.