KESH shet 800 mijë euro energji me 66.1 euro MW/h

08/08/2019 11:01 PM 0 komente

Korporatat Elektroenergjetike Shqiptare finalizoi procedurën e shitjes së energjisë për datat 5-9 gusht. Sipas burimeve zyrtare, sasia e energjisë së shitur ishte 12,200 MW/h dhe shuma e përfituar ishte mbi 800 mijë euro.
Një MW/h u shit me çmim mesatar 66.1 euro, një kuotë e njëjtë me Bursën e Hungarisë e cila është referencë për ankandet e shitje dhe blerjes së energjisë nga kompanitë publike shqiptare të energjisë.

Pas reshjeve të forta të pranverës dhe reshjeve të javës së kaluar baseni i Fierzës është aktualisht në nivele të admirueshme për periudhën. Për nëse vendi do të përballet me mungesë reshjesh si vitin e kaluar, atëherë nevojat për të blerë energji nga OSHEE do të rriten.

Vitin e kaluar, prodhimi i përgjithshëm i vendit ka qenë në nivelin 8.5 TWh, më i larti që nga viti 1985 prej të cilave vetëm 68.31% është prodhuar nga Shoqëria publike e gjenerimit, pjesa tjetër është prodhuar nga centralet private koncesionare.

Prodhimi i energjisë elektrike në vendin tonë ka varësi totale nga HEC-et, ndaj dhe mungesa e reshjeve ndikon drejtpërsëdrejti volumin e prodhimit.
Për shkak të reshjeve të shumta në vitin 2018 është realizuar vlerë më e lartë e eksportit në sasinë 913 GWh, krahasuar me 10 vitet e fundit ose gati 11% të prodhimit total.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e parë 2019 ka rënë me rreth 2,5 herë, duke arritur vlerën 1.281 GWh nga 3.213 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2018.
Ky prodhim i energjisë elektrike u realizua nga hidrocentralet publike në masën 53,6%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,1% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,3% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Ulja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e parë të vitit 2019, ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 7,9 herë dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 14,3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of