Intervistë e Agron Hetoja, Administrator i KESH, dhënë revistës “Monitor”
Pyetje: Z. administrator, është me interes publik të na ofronit një panoramë të gjendjes së përgjithshme të shoqërisë KESH, duke filluar nga muaji tetor kur ju erdhët në krye të kësaj shoqërie. E kam fjalën për gjendjen e saj financiare, marrëdhëniet me të tretët, detyrimet që kanë shoqëritë e tjera ndaj KESH, por edhe detyrimet e KESH ndaj kompanive nënkontraktore?
Tashmë dihet publikisht që i gjithë sektori i energjisë është përfshirë në një situatë të vështirë financiare dhe funksionale, si rrjedhojë e akumulimit të detyrimeve të ndërsjella midis aktorëve të këtij tregu (KESH, OST, CEZ, prodhuesit e pavarur të energjisë). Normalizimi i situatës së vështirë financiare të KESH kërkon stabilizimin e marrëdhënieve kontraktuale midis KESH dhe CEZ Shpërndarje sa i takon pagesës së detyrimeve nga ana e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH për energjinë që kjo e fundit lëvron për të mbuluar nevojat e konsumatorëve tariforë. Ky stabilizim krijon mundësitë për normalizimin e marrëdhënieve kontraktuale midis KESH dhe HEC-eve koncesionarë dhe atyre të privatizuara sa u takon detyrimeve që KESH duhet të shlyejë për energjinë e blerë nga këta prodhues energjie, si dhe me furnitorët e tjerë të shoqërisë për shërbimet dhe punimet e kryera për KESH.
Sipas modelit aktual të tregut, CEZ Shpërndarje është partneri/klienti kryesor në aktivitetin e shoqërisë KESH. Detyrimet e prapambetura janë akumuluar që nga viti 2011 dhe përfshijnë faturat e papaguara për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve tariforë, për mbulimin e humbjeve dhe importin e realizuar për CEZ Shpërndarje si dhe penalitetet për vonesat në pagesë.
Edhe pas kalimit të CEZ Shpërndarje në administrim shtetëror në janar 2013, vetëm për periudhën janar-shtator 2013, detyrimet e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH janë rritur dhe me afro 27% të totalit të detyrimeve të akumuluara deri në dhjetor 2012. Gjatë periudhës mars-shtator 2013, pagesat e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH kanë qenë mesatarisht në nivelin 44% të vlerës së faturës korrente. Detyrimi i vendosur nga ERE (në cilësinë e tij si rregullator i tregut), që minimumi i pagesave mujore të bëra nga CEZ Shpërndarje të ishte jo më pak se fatura korrente e furnizimit me energji nga ana e KESH, deri në shtator 2013 nuk është zbatuar.
Secili prej operatorëve të licencuar për të ushtruar veprimtaritë përkatëse në sektorin e energjisë elektrike është pjesë integrale e këtij sistemi, i cili furnizon me energji elektrike konsumatorin vendas dhe bashkëvepron me vendet e tjera të rajonit nëpërmjet linjave të interkonjeksionit në operacionet e import-eksportit. Kjo do të thotë se, nëse njëra nga hallkat e zinxhirit të sistemit energjetik nuk funksionon, i gjithë sistemi bëhet jofunksional. Mosarkëtimi i faturave të energjisë elektrike krijon probleme për operatorët e tjerë të sektorit si KESH dhe OST dhe një pjesë e problemeve të këtyre të fundit u transferohet prodhuesve të vegjël dhe të pavarur të energjisë elektrike.
Përgjithësisht dhe në vartësi të eksportit të realizuar, 80-90% e të ardhurave të veta vjetore KESH i siguron nga shitja e energjisë elektrike për CEZ Shpërndarje, për rrjedhojë veprimtaria e KESH është shumë e varur nga performanca teknike dhe financiare e CEZ Shpërndarje. Në kushtet kur situata aktuale financiare e KESH vazhdon të jetë kritike dhe nuk normalizohet (pa u rritur niveli i pagesave nga CEZ Shpërndarje minimalisht në nivelin e vlerës së faturës korrente), KESH e ka shumë të vështirë – për të mos thënë të pamundur – për të përballuar aktivitetin e shoqërisë, çka do të thotë nuk do të mund të shlyejë detyrimet ndaj buxhetit të shtetit, ndaj bankave të nivelit të dytë, ndaj donatorëve për projektet që ata kanë financuar dhe KESH është kredimarrës, ndaj furnizuesve të vegjël të energjisë elektrike (HEC-e privatë/koncesion), ndaj kontraktorëve për kontratat e investimeve apo shërbimeve, si dhe përballimin e një importi të mundshëm për periudhat që vijnë, pavarësisht nga situata e mirë hidroenergjetike që paraqitet aktualisht.
Pyetje: E veçova jo pa qëllim, CEZ Shpërndarje, shoqërinë çeke nën administrim publik. Cila është marrëdhënia me këtë shoqëri? A ka një strategji të shoqërisë që administroni me administratorin e CEZ Shpërndarje, apo me partnerët çekë? Nëse janë publike, cilët janë treguesit financiarë të ndërsjellë dhe a janë vënë në rrugën e zgjidhjes problemet e mbartura nga administrimi i kaluar i saj?
Marrëdhënia ndërmjet KESH dhe CEZ Shpërndarje është një nga problematikat më të rëndësishme që shoqërojnë mosmarrëveshjet midis CEZ a.s., Pragë, dhe qeverisë së mëparshme. Në dijeninë time, Ministria e Energjisë dhe Industrisë është e angazhuar fuqishëm në zgjidhjen e kësaj problematike. Detyra jonë në këtë situatë, si dhe një ndër prioritetet e punës që ditën e parë që më është besuar administrimi i KESH, është rakordimi i detyrimeve të prapambetura mes këtyre dy shoqërive dhe përmirësimi i fluksit të pagesave nga ana e CEZ Shpërndarje.
Gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2013, pagesat e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH kanë qenë mesatarisht në nivelin 60% të vlerës së faturës korrente. Kjo demonstron vullnetin e administratës së re të CEZ Shpërndarje për të përmirësuar fluksin e pagesave mujore ndaj KESH sido që është e domosdoshme që të bëhen përmirësime të mëtejshme. Çështja e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura do të kërkojë një qasje të ndryshme, meqenëse vlera e akumuluar e tyre përmban fatura të periudhës së menaxhimit përpara vitit 2013 dhe është objekt shqyrtimi i grupit të punës të ngritur në MEI për qëllim të zgjidhjes së konfliktit me CEZ a.s. Pragë.
Pyetje: Shqiptarët, si publiku, por sidomos edhe sipërmarrjet, janë gjithnjë të interesuara për sigurimin e energjisë elektrike dhe mosmungesën e saj në treg. A janë mundësitë që furnizimi të bëhet pa ndërprerje: dhe këtu e kam fjalën për gjenerimin e energjisë elektrike. Cilat janë kapacitetet aktuale, gjendja e kaskadës, gjendja financiare për të përballuar importin e energjisë, sipas përcaktimeve të bëra edhe në kontratën me CEZ Shpërndarje etj.?
Kuadri rregullator aktual përcakton qartë përgjegjësinë e operatorëve të sistemit energjetik. KESH, nën funksionin e furnizuesit publik me shumicë, është përgjegjës për të plotësuar kërkesën e CEZ Shpërndarje për furnizimin e konsumatorëve tariforë me energji elektrike të prodhuar nga kaskada e Drinit, blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vegjël të dhënë me koncesion apo të privatizuara dhe, nga importi në rast se prodhimi vendas nuk mjafton për të mbuluar kërkesën e CEZ Shpërndarje. Ndërkohë, CEZ Shpërndarje, ka përgjegjësinë për të administruar rrjetin e shpërndarjes nga pikëpamja teknike dhe tregtare, të importojë energji elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, të shesë energjinë elektrike tek klientët tariforë dhe arkëtojë faturat e energjisë elektrike.
KESH i është përgjigjur me përpikëri kërkesës së CEZ Shpërndarje duke prodhuar energjinë elektrike të nevojshme për furnizimin e konsumatorëve tariforë.
Gjendja në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit për nga pikëpamja e gatishmërisë teknike të agregatëve dhe rezervës energjetike është e kënaqshme. Aktualisht, po prodhohet për të plotësuar kërkesën e parashikuar nga CEZ Shpërndarje, ndërkohë që kjo e fundit po realizon importimin e energjisë për të mbuluar humbjet në rrjetin e shpërndarjes. Po ndjekim mbi baza ditore ecurinë e kërkesës për energji elektrike në vend, duke siguruar që të përmbushim kërkesën e CEZ Shpërndarje për furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve tariforë.
Në vijim të prezantimit të problematikës që shoqëron përpjekjet tona për të mundësuar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike dhe, pa dashur të ndërhyj në aspektin e menaxhimit të rrjeteve, përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje konsumatorëve tariforë që, krahas së drejtës së tyre për furnizim të pandërprerë me energji elektrike, të përmbushin detyrimin kontraktual për pagesën e faturave të konsumit të energjisë elektrike, si dhe të ushtrojnë përgjegjshmërinë komunitare në funksion të vetëndërgjegjësimit në lidhje me racionalizimin e konsumit të energjisë elektrike dhe shpërndarjen e tij në kohë, me qëllim reduktimin e ngarkesës në pik dhe eliminimin e ndërprerjeve për shkak të ngarkesës.
Pyetje: Një pyetje që lidhet në tërësi me administrimin e shoqërisë suaj. Ju keni aktualisht një numër të caktuar kontratash me gjenerues të vegjël të energjisë elektrike, pra me prodhues të energjisë, vendas apo të huaj. Cilat janë problemet që keni identifikuar me këta prodhues? Cilat janë zgjidhjet që keni ofruar?
Modeli i tregut, i miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2008 detyron KESH (furnizuesin publik me shumicë) që të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike dhe prodhues të pavarur të energjisë elektrike, bazuar në marrëveshjen standard për shitjen e energjisë të miratuara nga ERE (në cilësinë e tij si rregullator i tregut).
Sipas kuadrit rregullator në fuqi për këtë treg të rregulluar, KESH sh.a. e blen këtë energji me çmim preferencial (feed–in tariff) të miratuar prej ERE-s (që arrin deri në 9.37 lekë/kWh) dhe e shet këtë energji së bashku me energjinë e prodhuar nga kaskada e Drinit për CEZ Shpërndarje, me çmim të rregulluar prej 2.2 lekë/kWh.
Skema e mbështetjes për prodhuesit e vegjël dhe të pavarur të energjisë garanton për ta: (i) një çmim gjithnjë më të lartë se çmimi i vendosur nga mekanizimi kërkesë-ofertë në tregje; (ii) treg të garantuar pasi KESH ka detyrimin për të blerë këtë energji; (iii) prodhim më të drejtë përparësie në tregtim dhe konsum.
Në gjykimin tim, modeli i tregut dhe kuadri përkatës rregullator ka zgjidhur aspektet formale dhe tregtare të marrëdhënieve mes operatorëve, por nuk ka trajtuar siç duhet aspektet funksionale të këtij tregu dhe, për këtë arsye, ky treg është më shumë disfunksional sesa i rregulluar. Problematikat sociale në konsumin e energjisë nuk mund të zgjidhen duke “shtrydhur së tepërmi” kapacitetet publike të gjenerimit të energjisë elektrike.
Pavarësisht rezervave që KESH ka për modelin e tregut dhe anën funksionale të tij, marrëdhënien tregtare me prodhuesit e vegjël dhe të pavarur të energjisë e kemi trajtuar me kujdes dhe në përputhje të plotë me parashikimet e kuadrit rregullator. Gjatë dy muajve të fundit kemi përmirësuar shlyerjen e detyrimeve ndaj prodhuesve të vegjël dhe të pavarur të energjisë. Nëse në tetor 2013, totali i detyrimeve të KESH ndaj prodhuesve të vegjël dhe të pavarur të energjisë ishte afro 1,72 miliardë lekë dhe i përkiste një periudhe 6-mujore, në mesin e dhjetorit 2013, totali i detyrimit për t’u paguar për këta prodhues është 1,57 miliardë lekë dhe i përket një periudhe 4-mujore, pra kemi ulur vlerën dhe vjetërsinë e detyrimeve të prapambetura.
Aktualisht KESH ka kontrata shitblerjeje me 49 prodhues të vegjël e të pavarur të energjisë, të cilat operojnë 88 hidrocentrale me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 223 MW. Vetëm gjatë vitit 2013, janë vënë në punë 19 hidrocentrale të reja, me fuqi të instaluar prej 81 MW dhe tendenca për periudhën në vijim është për t’u lidhur edhe rreth 50 MW të tjerë.
Jo pa qëllim ju bëra këtë paraqitje – duket qartë se me këto ritme të rritjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vogla dhe prodhuesit e pavarur, rritet edhe presioni financiar i tyre ndaj KESH. Me gjithë respektin që kemi për investimet private në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, mendoj se ka ardhur koha që të rishikohen politikat e mbështetjes së këtyre investimeve. Natyrisht kjo kërkon që të gjithë aktorët e sistemit të përfshihen në një proces të gjerë konsultimi dhe arsyetimi logjik, të drejtë dhe transparent mbi sistemin e tarifimit dhe lidhjen e tij me koston dhe efektivitetin e prodhimit. Jemi të mendimit që politikat zhvillimore dhe mbështetëse për promovimin e investimeve jopublike në energji të rinovueshme duhet të përqendrohet në ato burimeve energji të rinovueshme që janë komplementare me aktivitetin e korporatës publike (KESH) dhe që divesifikojnë burimet dhe rrisin sigurinë e sistemit energjetik. Jemi duke punuar për t’ia bërë të ditur Ministrisë së linjës propozimet tona konkrete lidhur me këto ndryshime të domosdoshme.
Pyetja: Z. administrator, më lejoni t’iu bëj edhe një pyetje të fundit, që, në fakt, ka rëndësi për të ardhmen e shoqërisë KESH. E kam fjalën për një vizion që ju, së bashku me stafin tuaj, keni për miradministrimin e kësaj shoqërie të rëndësishme. Çfarë risie do të sillni në drejtimin e saj, cila gjë do të jetë e ndryshme nga paraardhësit tuaj, cili do të jetë imazhi që pritet të ndryshoni për këtë shoqëri të rëndësishme për tërë jetën ekonomike të vendit, për sot dhe të ardhmen?
Unë dhe stafi im po punojmë në planin strategjik, taktik dhe operativ që ta transformojë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare në një shoqëri tregtare-publike ekonomikisht eficiente nëpërmjet ripozicionimit të saj në tregun vendas të energjisë, në mënyrë të tillë që, krahas përmbushjes me përgjegjshmëri të funksionit të saj publik (furnizim pa ndërprerje të konsumatorëve tariforë), partneritetin me operatorët e tjerë të tregut, Shoqëria ta ndërtojë mbi bazën e përfitimeve reciproke në një treg të ndershëm dhe transparent. Gjatë dekadës së fundit dhe për shumicën e saj, shoqëria është drejtuar në funksion të një axhende afatshkurtër, është konsideruar si “valvul presioni” dhe asnjëherë nuk është menduar dhe administruar në funksion të karakterit të saj tregtar dhe të interesave të publikut. Dy pasuritë e mëdha të shoqërisë (veprat kolosale hidroenergjetike dhe personeli inxhiniero-teknik) përgjithësisht janë shfrytëzuar në mënyrë arkaike, ndërkohë që optimizimi i shfrytëzimit të burimeve hidrike të kaskadës apo vlerësimi i performancës së personelit, vlerësimi i nevojave për trajnim dhe ofrimi i mundësive për avancim në karrierë, nuk trajtoheshin në asnjë plan strukturor apo organizativ.
Është lehtësisht e verifikueshme që, në të kaluarën, Shoqëria është privuar nga ushtrimi i së drejtës së saj statutore për të zgjeruar e modernizuar objektet energjetike të prodhimit apo për të ndërtuar burime të reja gjeneruese duke parandaluar ndikimet negative në mjedis dhe komunitet.
Për këto arsye dhe shumë të tjera si këto, një nga risitë e planit të ristrukturimit që po jetësojmë gjatë këtyre dy muajve të fundit është edhe ngritja e një divizioni të veçantë që të këshillojë dhe asistojë administrimin eficient të shoqërisë brenda kuadrit aktual rregullator dhe ndërkohë, nën një këndvështrim strategjik, të analizojë dhe projektojë alternativa të ndryshme që mundësojnë daljen e shoqërisë nga situata e vështirë institucionale dhe financiare në të cilën ndodhet sot, si rrjedhojë e diskriminimit që i bëhet nga modeli aktual i tregut të energjisë. Këto ndryshime rrënjësore kërkojnë pjesëmarrjen aktive dhe konstruktive të të gjithë aktorëve të sektorit të energjisë elektrike, kërkojnë ndryshime thelbësore në ligjin primar për sektorin e energjisë elektrike dhe, më tej, në të gjithë aktet rregullatore. Të gjitha këto ndryshime ligjore, të shoqëruara me reformat tarifore, nën detyrimin për të adoptuar kërkesat e direktivave të BE-së për energjinë, energjitë e rinovueshme dhe eficencës së energjisë, do të krijojnë kushtet për liberalizimin e tregut sipas synimeve të parashikuara në traktatin e komunitetit të energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.