Sportistët e mëdhenj mësojnë nga e kaluara, përqendrohen tek e tashmja dhe përgatiten për të ardhmen.
Sipërmarrësit dhe pronarët e bizneseve të vogla duhet të adoptojnë të njëjtin qëndrim në momentin që do të vendosin se çfarë do të bëjnë gjatë pandemisë së koronavirusit. Shumë mund të dalin nga kriza më mirë dhe më të zgjuar nëse do të zbatojnë strategjinë e Michael Jordan.
Dy javët e fundit, ESPN ka transmetuar 4 pjesët e para të dokumentarit për Michael Jordan, “The Last Dance”, që e merr emrin nga cilësimi që i bën në mënyrë jozyrtare, sezonit të tij të fundit me Chicago Bulls, trajneri Phil Jackson në vitin 1997 – ’98 para se të jepte dorëheqjen.
Shikuesit mund të shohin pas skenave konfliktet, përpjekjet dhe sigurisht momentet e mrekullueshme të suksesit. Ata sigurisht mund të nxjerrin mësime të vlefshme prej mendësisë së një prej sportistëve më të mëdhenj në historinë e sportit.
Episodi i parë na çon në dhomat e zhveshjes pasi Bulls fituan kampionatin e tyre të pestë (në shtatë sezonet e fundit). Më 1 nëntor 1997, stadiumi i mbushur plot i United Center në Chicago po çmendej kur Bulls u prezantuan në Ceremoninë e Unazës së Kampionit.
Shampanja rridhte lumë, tifozët bërtisnin prej gëzimit, fishekzjarrët ndriçonin në qiell. Dhe më pas erdhi momenti i ndeshjes së parë të sezonit në shtëpi. Jordan mori komandën, mblodhi skuadrën dhe u tha: “Le të përqendrohemi te kjo ndeshje dhe të bëjmë atë bëmë herën e fundit”. Jordan nuk shikonte pas. Ai ishte shumë i përqendruar në fitimin e trofeut të gjashtë. Suksesi në të ardhmen nënkuptonte vënien në lojë të gjithçkaje.
Kontrolloni të tashmen
Pak ditë më parë, pyeta një CEO të suksesshëm se si po përballet me paqartësitë që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Edhe pse vazhdon t’i paguajë punonjësit e tij, ai nuk ka asnjë vizion për fitimet e ardhshme. Ai është optimist dhe pret që gjërat të shkojnë pozitivisht, por askush s’e di se kur do të ndodhë rimëkëmbja dhe sa e fortë do të jetë ajo.
CEO ka një avantazh psikologjik. Ai është rreth të 60-ave dhe u ka mbijetuar – dhe ka kapërcyer – disa kriza ekonomike gjatë rrugëtimit të tij profesional. Këshilla e tij është kjo:
“Gjëja më e mirë që mund të bëni është të kontrolloni atë çfarë mundni në të tashmen dhe ta menaxhoni për të ardhmen”. Çfarë po bëni për ta kontrolluar të tashmen dhe për ta menaxhuar për të ardhmen? Nuk mund t’i numëroj dot më tashmë miqtë, familjet, bashkëmoshatarët që kujtojnë “ditët e lavdisë” vetëm dyzet ditë më parë. “Punët po shkonin aq mbarë” – më thonë.
Të mbash zi për të kaluarën nuk ju ndihmon. Është humbje energjish. Të shqetësohesh për të ardhmen nuk ju ndihmon. Është humbje energjish. E vetmja gjë që mund të kontrolloni, është se çfarë po bëni tani.
Planifikoni sot të:
- Bëni një takim
- Të bëni ushtrime fizike
- Të dilni vullnetar dhe të ndihmoni njerëz në nevojë
- Të mësoni një aftësi të re
- Të lexoni një libër biznesi.
Flisni me një klient, jo për të shitur ndonjë gjë, por për ta pyetur se si po i shkojnë punët.
“Nëse po përpiqeni të arrini diçka, do të hasni pengesa në rrugën tuaj. Unë i kam ndeshur, çdokush është përballur me to. Një herë, Michael Jordan ka thënë. “Pengesat nuk kanë pse ju ndalin. Nëse përpara keni një mur, mos u ktheni pas dhe mos hiqni dorë. Përpiquni të gjeni një rrugëzgjidhje se si të ngjiteni dhe ta kapërceni”.
Jordan pati të njëjtin mentalitet… Qëndrimi i tij ka pasur ndikim edhe tek guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.
“Jam një fans i madh i Michael Jordan” – tha Cuomo në një konferencë për shtyp, në lidhje me pandeminë më 21 prill. Ai [Jordan] u godit shumë herë pas shpine. U zhgënjye. Po çfarë bëri? Punoi më fort, u stërvit më shumë. Michael Jordan, jo thjesht lindi. Ai e diti të bëhet lojtari i madh që është”
Cuomo e mbylli fjalimin duke iu referuar mendësisë së Jordan.
Ju do të goditeni pas krahëve, do të ndodhë – tha Cuomo. Pyetja është, a do të ngriheni dhe nëse do të ngriheni, çfarë njeriu do të jeni, dhe a keni mësuar ndonjë gjë nga kjo goditje? Në të ardhmen do të zhvillohet një tjetër kampionat. Përgatituni që sot!
Pak fjalë mbi dokumentarin-serial “The Last Dance”
Deri më 18 maj, Netflix do të transmetojë dy episode në javë – kuriozitete dhe të fshehtat e një fenomeni, jo vetëm sportiv
“Ishte Zoti i maskuar si Michael Jordan”. Ishte 20 prilli i vitit 1986 dhe këto fjalë i tha Larry Bird, i cilësuar nga shumë si basketbollisti i bardhë më i mirë i të gjitha kohërave. Bird, i cili disa javë më vonë do t’i dhuronte Boston Celtics, titullin e 16, pak më parë kishte mundur në ndeshjen e dytë të Playoff, Chicago Bulls. Mbase do të ishte më korrekte të thuhej që Celtics kishin mundur Michael Jordan, që atë mbrëmje, përballë kampionëve të ardhshëm, kish shënuar 63 pikë, një rekord që ende sot nuk është thyer në fazën playoff në NBA.
“The Last Dance”, dokumentari-serial me dhjetë episode, është një bashkëpunim i ESPN nën drejtimin e Jason Hehir. Ai do të transmetohen çdo të hënë në Netflix (2 episode) deri më 18 maj. Dokumentari nis shumë më vonë, kur Michael Jordan kishte shumë tifozë dhe adhurues në të gjithë botën, në fillim të sezonit 1997/’98.
“It’s the last dance” u thotë Jackson shokëve të skuadrës, kërcimi i fundit, para përshëndetjeve. “Shijojeni çdo moment” shton trajneri, i cili pak vite më vonë do të çonte drejt fitores edhe Lakers të Shaquille O’Neal dhe Kobe Bryant.
“The Last Dance” premton kënaqësi për çdo të tifoz të Jordan. Por jo vetëm për çdo adhurues të Jordan, të Bulls apo të basketbollit, por për këdo që kërkon të kuptojë se si një ndërthurje e pazakontë e talentit, vendosmërisë, teknologjisë (ishte në atë kohë kur ngadalësimi dhe xhirimet televizive i dhanë mundësi botës të magjepsej përballë aftësive akrobatike të atletëve) e shndërruan një atlet dhe skuadrën e tij në një paradigmë të përsosmërisë dhe marketingut, duke arritur një ndër majat më të larta të sportit, duke kapërcyer ndasitë sociale, kufijtë gjeografikë dhe epokat.
*CARMINE GALLO, BURIMI INC
& IL SOLE 24 ORE