Rikthimi në punë pas pushimeve mund të jetë i mundimshëm… Lexoni më poshtë disa këshilla për t’u kthyer në punë me energji dhe për të rinisur një vit të ri pune me entuziazëm
Lamtumirë det, zhytje dhe mbrëmje të bukura me miqtë… Tryeza e punës është plazhi i ri për t’u eksploruar…Është e vërtetë, rikthimi në realitet, në një vend të mbyllur pas pushimeve nuk është i thjeshtë. Sjell stres dhe “sindromën e rikthimit”. Një situatë jo e thjeshtë që duhet ta përballoni me energjinë e duhur, duke menduar që mund të ketë edhe të papritura…. Lexoni më poshtë si si mund t’i mbijetoni nostalgjisë së kujtimeve të nxehta nën diell…
Si ta përballoni ditën e parë të punës pas pushimeve
Pasi të kaloni hapin e parë – zilen e zgjimit, mëngjesi i shpejtë, kërkimi i parkimit dhe hyrja në zyrë, – nisni të punoni, pa shumë nxitim, merrini hapat me radhë. Nuk mund të zhyteni menjëherë në një ritëm të çmendur me telefonata, duke iu përgjigjur gjithë email-eve menjëherë dhe takimeve të shumta. Rikthimi në rutinë dhe përgjegjësitë mund t’i shkaktojnë krizë dhe shok trupit tuaj. Duhet të përshtateni dalëngadalë. Nëse keni mundësi, merrni një ditë pushim dhe kalojeni në shtëpi… Mos shkoni menjëherë pas pushimeve në punë. Një ditë për të boshatisur valixhet, të vini rrobat për të larë lavatriçe, të sistemoni shtëpinë, para se të riktheheni në punë.
Objektiva të vogla, pastroni email-in dhe bëni një plan të detyrave
Merrni një letër dhe një stilolaps. Bëni një listë të punëve që duhet të bëni. Niseni nga puna më e rëndësishme tek ajo më pak urgjente. Për çdo gjë që përfundoni, vërini kryqin. Të njëjtën gjë bëni dhe me email-in. Lexoni email-et që janë më urgjente. Por mbi të gjitha bëni pauza të shkurtra… Pini kafe, hani fruta dhe bëni ushtrime të vogla stretching për të relaksuar muskujt në zyrë. Sekreti i ditës së parë në zyrë? Merrni një vazo me lule dhe vëreni në tryezën tuaj të punës. Ngjyra e gjelbër, lulet dhe natyra ju japin gjithnjë energji.
Bisedoni për aventurat tuaja me kolegët
Kur të ktheheni në punë do të përqafoni sërish kolegët tuaj. Tregojuni atyre për vendet e mrekullueshme që keni vizituar, për aventurat dhe se sa jeni kënaqur. Jepuni atyre këshilla të dobishme për destinacionet që keni vizituar. Për një moment ju do ta katapultoni mendjen tuaj në këto vende.
Marcel Proust fuste një biskotë me gjalpë në formë guaske, “Madeleine”, në çaj dhe kthehej menjëherë në kujtimet e fëmijërisë. Një veprim i ngjashëm me atë të shkrimtarit francez është që të planifikoni menjëherë një fundjavë jashtë qyteti. Mjaftojnë disa “arratisje” të vogla në vende të veçanta.
Ushtrime dhe sport në natyrë…
Përpiquni ta ruani edhe në përditshmëri këtë energji pozitive. Nëse gjatë pushimeve keni bërë shumë ushtrime fizike apo jeni marrë me sport, mos e braktisni. Është e rëndësishme të kujdeseni për regjimin tuaj, edhe nëse nuk keni me humor të mirë në rikthim. Hani shëndetshëm, sallata, fruta të freskëta të sezonit. Mos qëndroni brenda katër mureve por bëni shëtitje të gjata në parqe, veçanërisht pas pune. Dhe nëse keni kohë regjistrohuni në kurse joga apo në palestër.
Burimi: Pianetadonna