Këshillat e ekspertëve për qeverinë: Ku të orientohet rritja

28/02/2016 8:02 AM 0 komente

Ekspertë ndërkombëtare dhe vendas bien në një mendje që burimet aktuale të rritjes po shterojnë dhe vendi duhet orientuar drejt një modeli të ri rritjeje. Në prononcimet e tyre për Monitor, Shefi i FMN-së, Bankës Botërore, BERZH dhe analistë të tjerë japin këshillat e tyre se ku duhet të përqendrohet qeveria. Bujqësia, turizmi, energjia cilësohen si sektorë me interes të veçantë, ndërsa e vënë theksin te rritja e konkurrueshmërisë së vendit përmes realizimit të reformave strukturore, që do nxiste jo vetëm eksportet por dhe zhvillimin e qëëndrueshëm në vend.

 

 

Flet Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri

Bujqësia dhe turizmi me interes të veçantë

Është ndoshta e vërtetë që ndërtimi dhe sektori me material përpunuesi (“FACON”) nuk ka të ngjarë të orientojnë rritjen ashtu siç kanë bërë në të kaluarën. Në të ardhmen e afërt, bujqësia dhe turizmi po tregojnë interes të veçantë. Megjithatë, duhet theksuar se ekonomia shqiptare ka potencial të madh rritjeje në të gjitha sektorët. Realizimi i këtij potenciali rritjeje kërkon një përmirësim të qëndrueshëm në klimën e biznesit, duke forcuar zbatimin e ligjit dhe cilësinë e administratës publike. Ne nxisim qeverinë që të vazhdojë me reforma të rëndësishme strukturore për këtë qëllim.

 

Flet Tahseen Sayed, Menaxhere e zyrës së BB në Shqipëri

Të përdoren me eficientë avantazhet krahasuese të vendit

Ne besojmë se Shqipëria ka një potencial të lartë rritjeje, nëse marrim në konsideratë pozicionin e saj gjeografik dhe strukturën e popullsisë. Ka gjithashtu disa pengesa që ndikojnë në përdorimin eficient të avantazheve krahasuese të vendit. Ne, si Bankë Botërore, jemi të angazhuar në fusha kyçe për të ndihmuar qeverinë të tejkalojë këto pengesa. Këto përfshijnë stabilizimin makro dhe atë fiskal, heqjen e pengesave për përdorimin e tokës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe fuqizimin e shërbimit të sektorit publik.

 

Flasin Christoph Denk, Drejtor i BERZH-it në Shqipëri; Peter Sanfey, Drejtor i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve, BERZH

Rritja e konkurrueshmërisë më e rëndësishme se kurrë

Ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 2.2% në periudhën 2010-2015. Kjo rritje është vetëm 1% mbi mesataren e rritjes ekonomike të BE në të njëjtën periudhë dhe nuk është e mjaftueshme që standardi i jetesës së vendit të konvergojë dukshëm me standardin e jetesës në vendet e BE-së. Për një përputhje më të dukshme, Shqipëria duhet të ketë një rritje prej të paktën 4-5% në vit. Megjithatë, kjo mund të duket jo realiste në situatën ku furnizimi me kapital të huaj – që ishte shumë i madh në periudhën para krizës – është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa sektori bankar vazhdon të ketë një nivel të lartë të NPL-ve (kredive me probleme), dhe qeveria përballet me një hapësirë të limituar fiskale për shpenzime në projekte publike. Kjo është arsyeja se pse rritja e konkurrueshmërisë në ekonomi është më e rëndësishme se asnjëherë.

 

BSH: Roli ynë në formatimin e politikave ekonomike

Prononcim i posaçëm i Bankës së Shqipërisë për revistën Monitor

Eksperienca dhe problemet që ka shfaqur zhvillimi ekonomik i vendit në periudhën pas krizës së fundit botërore, kanë ngritur me të drejtë nevojën për rishikimin dhe rivlerësimin e modelit të rritjes ekonomike. Në thelb, qëllimi i këtij ushtrimi duhet të jetë vlerësimi kritik i të gjithë strukturave dhe mekanizmave mbështetës të rritjes ekonomike, duke ruajtur ato pjesë të modelit që mbeten të vlefshme dhe duke ndryshuar apo duke përmirësuar ato pjesë të cilat nuk i kanë rezistuar testit të kohës.

Përpara se të kalohet në rolin e Bankës së Shqipërisë në këtë proces, duhet të përmenden tre tipare të modelit, të cilat gjykohen si esenciale për zhvillimin e vendit në të ardhmen:

– Modeli i ri duhet të garantojë një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Për të arritur këtë, ai duhet të jetë më eficient në shfrytëzimin e burimeve. Po ashtu, ekonomia shqiptare duhet të jetë më konkurrente me produktet e saj në tregjet e brendshme e të huaja, si dhe më fleksibile në shfrytëzimin e oportuniteteve të reja. Këto tre karakteristika mund të arrihen vetëm me reforma strukturore të kujdesshme, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse.

– Modeli i ri duhet të garantojë një rritje më të qëndrueshme ekonomike. Ky model duhet të ketë në fokus stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe të shmangë zhbalancimet e mëdha sektoriale.

– Modeli i ri duhet të vazhdojë të bazohet në parimet e tregut të lirë. Eksperienca ka treguar se ky model zhvillimi ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë rezultatet më të mira në afatin e gjatë.

Si institucion qendror në hartimin dhe zhvillimin e politikave financiare, Banka e Shqipërisë ka natyrisht një rol jo të vogël në këtë proces. Ky rol është si direkt, në respektim të detyrave tona ligjore, ashtu edhe indirekt, në respektim të funksionit të këshilltarit që Banka e Shqipërisë ka për çështje të ndryshme publike.

Referuar pikave të parashtruara më lart, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e angazhuar në garantimin e qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike. Nëpërmjet kontrollit të inflacionit, Banka e Shqipërisë eviton luhatjet e padëshiruara të aktivitetit ekonomik. Nëpërmjet rregullimit e mbikëqyrjes së kujdesshme të sistemit bankar, mirëmbajtjes dhe zhvillimit të sistemit të pagesave, Banka e Shqipërisë jep një kontribut esencial në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe në këtë mënyrë, ajo synon t’i ofrojë ekonomisë shqiptare instrumente sa më të mira dhe efektive financimi.

Të dy këto aktivitete i shërbejnë direkt qëndrueshmërisë së rritjes. Në plotësim të tyre, nëpërmjet inicimit dhe mbështetjes së reformave strukturore në sistemin financiar, Banka e Shqipërisë ndihmon gjithashtu rritjen e ndërmjetësimit financiar dhe një shpërndarje më eficiente fondesh në ekonomi. Ky aktivitet ndihmon direkt në përshpejtimin e ritmit të rritjes ekonomike.

Së fundi, është e rëndësishme të evidentohet kontributi i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë si këshilltar i qeverisë për çështje të ndryshme që i takojnë zhvillimit të tregut të brendshëm financiar, politikës fiskale dhe administrimit të borxhit publik, zhvillimit të strategjive kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, etj.

Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet një partner serioz në të gjitha këto angazhime.

 

Flet prof. Arben Malaj, President i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen

Reforma strukturore që reduktojnë pengesat konkrete në ambientin e biznesit

Modeli i ri ekonomik, burimet po shterojnë? Problematika është e njohur. Vendi ynë ka nivelet më të ulëta të garantimit të të drejtave të pronës, të lirisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit; të mundësisë për të bërë biznes, të nivelit të kreditimit të ekonomisë, ka një nivel të lartë të deficitit tregtar, nivelin më të lartë të subvencionimit të deficitit të skemës së pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore, është në grupin e vendeve të fundit në botë për lejet e ndërtimit, për pagimin e taksave, për financimin nga fondet publike dhe private në kërkimet shkencore dhe zhvillimin, si dhe në lidhjen shumë të dobët midis kërkimit shkencor dhe sfidave të aftësisë konkurruese që duhet të ketë ekonomia e vendit tonë.

Disa i shikojnë këta tregues si prova të dështimit tonë. Parapëlqej t’i shikoj si burime të pashfrytëzuara, të cilat po t’i përmirësojmë, do të ndihmojnë jo vetëm debatin për modelin e ri ekonomik, por sidomos rritjen e aftësisë konkurruese dhe një rritje ekonomike më të lartë në funksion të një zhvillimi më cilësor. P.sh., eksportet si burim potencial duhen parë jo vetëm për një grup të caktuar mallrash tradicionalë, jo eksporte kryesisht bruto, jo thjesht eksportim i burimeve të papërpunuara apo i fuqisë së lirë punëtore, por një strategji kombëtare e orientuar tek ekonomia e dijes.

Faktori tjetër potencial??! Të ardhurat mesatare për frymë në vlerë absolute janë rreth 12% e të ardhurave të vendeve të BB-së dhe në paritet të fuqisë blerëse rreth 33%. Dy këndvështrime të ndryshme kemi edhe për këtë faktor.

I pari – disa e keqpërdorin thjesht për të provuar “profecitë” e tyre për dështimet tona historike. Disa kolegë ku parapëlqej të bëj pjesë edhe unë – bazuar në teoritë e rritjes dhe zhvillimit – e shohin si provë e mundësisë për t’u rritur me ritme më të larta dhe për një periudhë jo të shkurtër.

Diferenca midis nivelit të të ardhurave për frymë midis vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara, pasqyron procesin e konvergjencës. Po si mund ta reduktojmë ne këtë distancë/diferencë dhe për sa vite?

Teorikisht kjo diferencë e madhe për vendet në zhvillim është një mundësi që ato të rriten me ritme më të larta se vendet e tjera.

Ku pengohet procesi i “catch up”??

Le t’i identifikojmë dhe t’i trajtojmë në mënyrë shkencore, bazuar në reforma, strategji dhe projekte konkrete.

Çdo analizë, për ta bërë ekonominë tonë sa më konkurruese në sektorë të ekonomisë reale, është e dobishme, por ato kanë pengesa të përbashkëta të cilat identifikohen profesionalisht shumë më mirë edhe në indekset ndërkombëtare.

Reformat strukturore që reduktojnë pengesat konkrete në ambientin e biznesit, që rritin të drejtat e pronës, që reduktojnë korrupsionin dhe eliminojnë kapjen e shtetit – pra një rritje ekonomike e bazuar tek reduktimi i barrierave dhe promovimi i ekonomisë së dijes, duhet të jenë në themel të çdo strategjie për një model të ri ekonomik.

 

Flet prof. Adrian Civici, President i UET-së

Fokusi te energjia, bujqësia, turizmi, rritja e kapitalit njerëzor

Fillimisht dëshiroj të bëj një saktësim konceptual. E përmendim shumë konceptin “modeli i ri ekonomik” duke shtruar vazhdimisht nevojën e një modeli të ri, çka krijon mundësi për keqkuptime. Më e saktë do të ishte të flisnim për domosdoshmërinë e një “modelimi të ri ekonomik”, d.m.th, për ndryshimin e strukturës së kontributit të degëve të ndryshme të ekonomisë në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto të vendit, pra në rritjen ekonomike. Në këtë sens, është shumë më e qartë se degë, sektorë apo burime të rritjes ekonomike shumë kontribuues gjatë dy dekadave të para të tranzicionit si ndërtimi, privatizimet, remitancat, ndihmat e huaja, konsumi i brendshëm, etj., në 3-4 vitet e fundit janë tkurrur ndjeshëm në efektet e tyre në PBB dhe rritjen ekonomike.

Për këtë qëllim, gropat apo boshllëqet e tyre duhen zëvendësuar me intensifikimin e sektorëve të tjerë kontribuues si p.sh., bujqësia dhe agropërpunimi, turizmi, industria, shërbimet, eksportet, etj., apo dhe me gjallërimin dhe futjen në mënyrë të qëndrueshme të aktiviteteve e sektorëve të rinj që bazohen në kapitale intensive, teknologji moderne, inovacione, start up, kapital njerëzor cilësor, shërbime me vlerë të lartë të shtuar, etj. Një shembull sa për konkretizim: Nëse sektori i ndërtimit ka disa vite që deklaron se punon me 50-60% të kapacitetit të tij, do të thotë që në kuadrin e një kontributi rreth 10% të tij në PBB (afërsisht 900 milionë euro/vit), aktualisht kontribuon me vetëm 500 milionë euro duke krijuar një gropë prej 400 milionë eurosh, e cila duhet mbushur me kontribut të shtuar nga degë apo sektorë të tjerë. E njëjta gjë edhe me remitancat, të cilat në 3-4 vitet e fundit janë zvogëluar me rreth 300-400 milionë euro në raport me kontributin e tyre në PBB në vitet më të mira kur ato arrinin në 1-1.2 miliardë euro në vit.

Duke e analizuar në thelbin e saj këtë tendencë të ecurisë së disa prej burimeve kryesore të rritjes ekonomike, duket se ekonomia shqiptare ka nevojë për një shtesë vjetore kontributesh prej rreth 1.5–1.6 miliardë eurosh, 1.2 prej të cilave për të zëvendësuar burimet që po shterojnë dhe 300–400 milionë euro për të siguruar një rritje ekonomike prej 3-4%. Studimet e adresuara si dhe një seri rekomandimesh që vijnë nga Banka Botërore, BERZH apo FMN rekomandojnë që Shqipëria, në dekadën 2016-2025 duhet të fokusohet në zhvillimin e sektorit energjetik dhe rritjen e prodhimit të energjisë, në heqjen e pengesave burokratike e administrative të sektorit të ndërtimit që ai t’i rikthehet ritmeve të larta të tij, rritjen e investimeve dhe zgjerimin e sektorit bujqësor, peshkimit dhe agropërpunimit në përgjithësi, vënien në eficencë dhe modernizimin e sektorit të minierave, përmirësimin e klimës së biznesit dhe ndërmarrjen e politikave eficente për konsolidimin dhe modernizimin e biznesit vendas, zhvillimin e turizmit duke përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike dhe cilësinë e shërbimit e infrastrukturave turistike, përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe shtimin e investimeve në arsim dhe kërkim shkencor e inovacion, etj.

 

Flet Ardian Haçkaj, drejtor i Shteti Web

Pa investime në shkencë do të jemi të destinuar të profilizohemi në punë me vlerë të shtuar të ulët

Shteti ka qenë i pa-aftë deri tani të ndërtojë një politikë industriale të përshtatshme për Shqipërinë. Pengesat kane qenë kryesisht ideologjike – shteti nuk duhet të ndërhyjë në ekonomi; dhe njerëzore – pa-aftësia dhe shkurtpamësia e vendim-marrësve. Si pasojë është parë më e kollajtë t’i lihet rrugë e lirë tregut për të vendosur se në cilin drejtim duhet të zhvillohet vendi. Problemi është që Shqipëria këto 25 vjet nuk ka pasur as treg funksional: institucionet dhe mekanizmat e tij kanë qenë jo-ekzistentë ose të shtrembëruar nga korrupsioni. Tregu embrionik shqiptar ka qenë i pa-aftë të ofrojë sinjalet e nevojshme për orientimin e ekonomisë dhe të investimeve. Si pasojë kapitali financiar i shqiptarëve është keq-alokuar rregullisht siç u ilustrua me firmat piramidale dje ose me shkallën astronomike të kredive me probleme (NPL) sot. Fenomene të tjera shoqërues janë dhe përqendrimi në aktivitete me vlerë të shtuar të ulet (si eksporti i mineraleve të pa-përpunuara, industria facon dhe call-centers të famshme).

Aktualisht Strategjia Kombëtare e Reformave Ekonomike 2016-2018 sjell risinë e inter-konektivitetit si faktor konkurrueshmërie. Por ne vlerësojmë që ky koncept zhvillohet në një logjikë reaktive dhe e fokusuar në infrastrukturën e transportit, energjisë dhe IT. Investimet në këto rrjete janë shumë të rëndësishme por eficienca e tyre do të jetë minimale nqs nuk investohet në sektorë prodhimi shërbimesh dhe të mirash materiale. Pa prodhim, do të kthehemi në blerës të varur nga remitancat dhe nga të ardhurat që vjelim nga investimet e kryera nga baballarët tanë. Pa mbështetjen e prodhimit vendor, taksat e shqiptarëve do të shërbejnë për të ulur koston e transportit të mallrave të prodhuara jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë që remitancat janë të ardhurat që marrim nga eksporti më i suksesshem i ekonomisë shqiptare në këto 25 vjet: emigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar. Por edhe ky avantazh është zbehur mjaft. Aktualisht mungesa e krahut të punës të kualifikuar dhe e kapaciteteve shkencore, është një nga faktorët kryesorë kufizues të investimeve të huaja në vend dhe të gati-izolimit të shkencës shqiptare nga skena europiane. Pa investime në shkencë do të jemi të destinuar të profilizohemi në punë me vlerë të shtuar të ulët.

 

Flet Zef Preci, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Të thellohen reformat në arsim

Kjo është një çështje që kërkon analiza më të thelluara dhe një përfshirje sa më të gjerë të ekspertëve në debatin rreth kësaj çështjeje. Pajtohem me konkluzionin se burimet e derisotme ekstensive të rritjes janë duke shteruar, por mendoj se orientimi drejt faktorëve të rinj, kërkon së pari një strategji të zhvillimit ekonomik, të paktën për një periudhë 7–10-vjeçare. Po kështu, është e nevojshme që reformat e premtuara në arsimimin e popullsisë dhe sidomos të rinisë, të thellohen dhe të mos mbeten në kuadrin e deklaratave të qëndrimeve populiste të qeverisë, si dhe të ndiqen politika më të kujdesshme, në favor të interesave të ekonomisë sonë kombëtare dhe jo të oligarkisë në fushën e koncesioneve.

 

Flet prof.dr Selami Xhepa, ekspert ekonomie

Të rihapet debati mbi strategjitë e zhvillimit industrial

Ndërtimi i një modeli të ri ekonomik, ose gjetja e burimeve të reja të rritjes ekonomike, sido që ta emërtojmë, janë prej kohësh një imperativë për vendin. Duke i lënë mënjanë retorikat politike, sikur qeverisja e re po ndërton një model të ri ekonomik dhe të ndryshëm nga ai që kemi pasur deri tani, në fakt vendi vazhdon të mbetet në vendnumëro.

Rritja e bazuar në eksporte nuk është një gjë që po ndodh; madje po përkeqësohet. Siç edhe e nënvizova më lart, gjendja e dobët e çmimeve të mallrave primare, të cilat zënë peshën më të madhe të eksporteve tona, pas produkteve “fasone”, do të bëjë që rritja e eksporteve të mbetet shumë modeste. Nga ana tjetër, kalimi nga një ekonomi konsumi tek një ekonomi e udhëhequr nga investimet, gjithashtu nuk shfaqet gjëkund. Investimet, qoftë publike apo private, kanë njohur në mos rënie, të paktën një gjendje stanjacioni. E po ashtu, eficienca e investimeve publike, në gjykimin tim, ka rënë. Nga investime publike që ndihmojnë ekonominë dhe rënien e kostove të biznesit, kemi një kanalizim të tyre drejt “make up” të qyteteve dhe “luksit qeveritar” (ndërtesa, kompjuterë, makina,etj.).

Në planin sektorial, ndërsa kemi një ngushtim të dukshëm të hapësirave për investime në energjetikë dhe ndërtim, nuk po duket ndonjë sektor tjetër që po zgjeron oportunitetet për investime. Përjashtim bën disi bujqësia, e cila ka shënuar rritje të interesave për investime të mëdha dhe disa projekte janë tashmë në proces realizimi. Kështu që panorama e ekonomisë do të vazhdojë të mbetet e dominuar nga shërbimet, të cilat nuk duhen lexuar si një përfarim strukturor me ekonomitë e zhvilluara, por si shenjë e mungesës së një zhvillimi dinamik industrial dhe në diversifikimin e manifakturës.

Mendoj se është koha të rihapet debati mbi strategjitë e zhvillimit industrial të vendit, duke vendosur në zemër të tij parqet industriale, siç vazhdojnë të mbeten në letër prej më shumë se dy dekadash, por që asnjë progres konkret nuk është shënuar deri më sot. Politikat sektoriale gjithashtu mund të rishqyrtohen sërish dhe të gjenden zgjidhje inovative për problemet tradicionale prej të cilave vuan ekonomia dhe shoqëria jonë.

 

Flet Dr. Elvin Meka, Zv.Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe Përgjegjës i Departamentit të Financës në UET

T’i drejtohemi modelit të krijimit të vlerës së shtuar

Personalisht e kam theksuar se modeli aktual ekonomik shqiptar, i tipit tregtaro-rentiero-remitanco-konsumerist i ka shteruar thuajse krejtësisht potencialet dhe vijueshmëria e tij thjesht e zvarrit ekonominë drejt anemisë dhe agonisë. Shqipëria duhet dora-dorës të heqë dorë nga ky model, pra modeli i shtimit mekanik të vlerës, duke iu drejtuar modelit të krijimit të vlerës së shtuar. Qeveria mund dhe duhet të ndihmojë në rrafshin politik, ligjor dhe institucional, për të lehtësuar një kalim të tillë sa më natyrshëm dhe me sa më pak kosto ekonomike dhe sociale. Më tej, ekonomia ka nevojë për një thellim të sistemit financiar, shtim dhe diversifikim të ofertës së letrave me vlerë, përtej atyre qeveritare dhe shtetërore, si një mënyrë që siguron më shumë mundësi dhe alternativa financimi për sipërmarrjen, investimi për investuesit e ndryshëm dhe në një shkallë më të gjerë, të menaxhimit efektiv të rreziqeve që mbart ekonomia, biznesi dhe vetë sipërmarrja. Ky model ekzistues ekonomik me tregje të munguara, të mangëta dhe të paplota patjetër që do të shfaqë problematika dhe kosto në ekonomi.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of