Një tarifë e lartë në të gjithë BE-në për importet e energjisë që vijnë nga Rusia mund të rezultojë më efikase sesa një embargo e plotë, megjithëse edhe kjo e fundit do të kishte një ndikim të kufizuar në shumicën e vendeve, tha të hënën këshilli i analizave ekonomike të Francës.
Zbulimi i fundit i civilëve të vrarë në Ukrainë, nga ku forcat ruse janë tërhequr, po nxit thirrje të reja për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
Megjithëse një embargo e plotë do të ishte “e menaxhueshme” për ekonomitë e BE-së, kostoja do të varionte gjerësisht, duke goditur më së shumti Lituaninë, Bullgarinë, Sllovakinë, Finlandën, Republikën Çeke, sipas Conseil d’Analyse Economique, këshillit ekonomik pranë zyrës së kryeministrit francez.
“Kjo tarifë mund t’i japë mundësi vendeve të vogla, por më të ekspozuara, që të vazhdojnë të kenë akses tek importet e gazit rus, ndërkohë që do të reduktonte importet drejt vendeve më të mëdha dhe më pak të ekspozuara, që kanë më shumë mundësi për të zëvendësuar importet ruse,” thuhej në një studim të këshillit.
Për shembull, një tarifë prej 40% mund të zvogëlojë ndikimin te vendet më të ekspozuara ndaj importeve të energjisë nga Rusia, me pothuajse një të katërtën deri në një të tretën e ndikimit që do të kishte një embargo e plotë, sipas këtij studimi.
Vendet baltike dhe Polonia kanë bërë presion që importet e energjisë nga Rusia të ndërpriten plotësisht, ndërsa Gjermania ka hezituar për këtë.
Megjithatë, Berlini ka thënë se po shkon gradualisht drejt një embargoje.
Conseil d’Analyse Economique tha se ndalimi i plotë i importeve të energjisë mund të shkaktojë mesatarisht një humbje të të ardhurave kombëtare bruto prej 0.2-0.3%, duke arritur në 100 euro (110 dollarë) për person në moshë madhore.
Në Gjermani, ekonomia më e madhe e BE-së, goditja ndaj të ardhurave kombëtare bruto mund të variojë nga 0.3% deri në 3%, tha këshilli.
Franca, ekonomia e dytë më e madhe e bllokut, do të ishte ndër vendet më pak të ndikuara, me një humbje ekonomike prej 0.15-0.3%, pasi ajo është shumë më pak e varur nga importet e energjisë ruse./ Reuters