Klasifikimi i strukturave akomoduese sipas standardeve që ofrojnë është një proces që ka vite që mbetet pezull, edhe pse qysh nga vitit 2015 është miratuar kuadri ligjor që rregullon këtë aspekt.
Këshilli i Investimeve, në një analizë që i ka bërë sektorit pas një ankete të zhvilluar me operatorët e tregut, ka nënvizuar se mungesa e klasifikimit të strukturave ka shkaktuar një situatë kaotike në treg, pasi në shumicën e rasteve yjet që i vendosin vetes bizneset nuk përkojnë me standardin e shërbimit që ofrojnë.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk e ka bërë ende klasifikimin e strukturave akomoduese sipas detyrimeve që rrjedhin nga Ligji 93/2015 dhe Rregullorja “Për Kushtet, Kriteret, Tarifat, Afatet dhe Procedurën për Klasifikimin e Strukturave Akomoduese”, të miratuara me VKM Nr. 730, datë 20.20.2016. Portali elektronik për të lehtësuar këtë regjistrim dhe klasifikim nuk është ende aktiv. Mungesa e këtij procesi ka shkaktuar situatë kaotike në treg, sidomos për strukturat akomoduese në përgjithësi dhe për hotelet në veçanti. Disa struktura akomoduese përdorin shenja dalluese (yje) të klasifikimit, të cilat nuk përputhen me standardet e vërteta të strukturës, apo me nivelin e shërbimit që ato ofrojnë” vlerëson Sekretariati i Këshillit të Investimeve.
I njëjti raport i Këshillit nënvizon se mungesa e klasifikimit të strukturave të akomodimit krijon konfuzion në praktikë ndërkohë që bashkitë vendosin “taksën e fjetjes në hotel”.
“Sipas ligjit nr.9632, datë 30.10.2016 “Për sistemin e taksave vendore” (i ndryshuar), kjo taksë përcaktohet në bazë të klasifikimit të strukturës dhe kategorisë së bashkisë. Për shembull, për hotelet me 4 dhe 5 yje në Tiranë dhe Durrës, kufiri lokal i taksës është 350 ALL natë fjetje/person ndërsa për pjesën tjetër të strukturave të akomodimit është 140 ALL natë fjetje/person. Konsideruar që klasifikimi dhe kategorizimi zyrtar i strukturave akomoduese ende nuk ka ndodhur, zbatimi në praktikë i taksës vendore mund të jetë subjekt i vendimeve diskrecionare dhe preferenciale nga autoritetet lokale” thuhet në raport.
Këshilli i Investimeve sjell në vëmendje edhe faktin që ligji “Për turizmin” nuk është shterues për mbulimin e strukturave akomoduese, pasi ai lë jashtë vëmendjes vilat turistike dhe në këtë pjesë, raporti i referohet zgjidhjes që ka bërë Greqia për situatën e ngjashme.
“Vërehet një mungesë koordinimi midis qeverisjes vendore dhe asaj qendrore lidhur me identifikimin e të gjitha strukturave akomoduese për turistët, të cilat do të ulnin aktivitetin informal në sektor. Vende të tjera, si për shembull Greqia, kanë përfshirë tashmë vilat turistike akomoduese të mobiluara me shumë apartamente banimi dhe rezidencat turistike akomoduese të mobiluara në kategorinë e Akomodimeve Dytësore Turistike, sipas dispozitave të Ligjit Nr. 4276/2014, ligji kryesor për turizmin. Për më tepër, për individët që kryejnë aktivitete të tilla ekonomike janë vendosur detyrime të rrepta për regjistrimin për qëllime tatimore” nënvizon Sekretariati në raportin për turizmin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.