Këshilli i investimeve në një raport të posaçëm për incentivat e nxitjes së investimeve ka nxjerrë në dukje se Shqipëria paraqet një diferencë të thellë me vendet e rajonit për investimet Greenfield.
Greenfield janë një formë e investimeve të huaja direkte, ku një kompani mëmë fillon një sipërmarrje të re në një vend të huaj duke ndërtuar objekte të reja operative. Përveç ndërtimit të objekteve të reja, kompanitë mëmë krijojnë vende të reja pune afatgjata në një vend të huaj duke punësuar punëtorë të rinj.
Këshilli i Investimeve vë në dukje se, të dhënat e UNCTAD flasin për një numër shumë të ulët të projekteve Greenfield në Shqipëri ne krahasim me vendet e rajonit, duke qenë të fundit në fokus të projekteve të investitorëve të huaj për 2013 dhe 2014 (shiko grafikun e mëposhtëm).
Nga të dhënat e FDI-Markets deri në gusht 2015, numri i projekteve Greenfield të njoftuara për Shqipërinë është vetë 3 me një vlerë investimi 118 mln USD dhe vende pune të krijuara 100.
Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë fluksi i IHD-ve për vitin 2015 llogaritet në 881 mln EUR, nga 869 mln euro në 2014. Ky fluks gjatë 2015, është përqendruar në industrinë nxjerrëse 39%, energjetikë 35% dhe ndërmjetësim financiar 10%. Ndërsa për vitin 2014, fluksi i iHD-ve është përqëndruar në industrinë nxjerrëse me rreth 58%, transporti dhe telekomunikacioni me rreth 13% dhe energjetika me rreth 9%.
Ndërkohë, në vendet e rajonit panorama e shpërndarjes sektoriale të iHD-ve paraqitet më ndryshe. Ndërsa në Serbi, sektorët kryesorë të iHD-ve janë sektori financiar dhe industria përpunuese si automotive, elektrike, ushqimore dhe tekstile.
Në Maqedoni, vitet e fundit IHD-të janë në sektorin e industrisë automotive; në Bosnjë dhe Hercegovinë, sektorët me fluksin më të lartë janë industria, bankat dhe telekomunikacioni; në Mal të Zi, sektori mbizotërues është turizmi.
Përsa i përket ecurisë së eksportit të të mirave dhe shërbimeve ndaj PBB-së (Figura 3) sërish Shqipëria mbetet mbas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe i krahasueshëm me Bosnje-Hercegovinen.
Në lidhje me strukturën e të mirave të eksportuara sipas nivelit të teknologjisë (Sanfey, Milatovic, Kresic, 2016), Shqipëria paraqet një diferencë të thellë me vendet e tjera, ku 90% e të të mirave të eksportuara janë kryesisht krahu i punes dhe burime natyrore.
Mesatarja e Ballkanit për këtë kategori produktesh është në 50% të të mirave të eksportuara. Kjo përbën një sfidë për konkurueshmërinë e vendit kundrejt rajonit, për të tërhequr industri me nivel më të lartë teknologjik dhe rritur vlerën e produkteve për treg të brendshëm dhe eksport.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.