Nga totali i të gjitha pagesave, transaksionet nga sistemet Pos (pagesa jo cash ) arritën në 21 për qind në fund të nëntëmujorit 2019 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Edhe pse nga viti 2010 ka një rritje të ndjeshme të transaksioneve jo cash nga 5-21 % sërish Shqipëria radhitet ndër vendet më nivelin më të lartë të pagesave cash në Rajon dhe në Europë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rreth 40% e popullsisë mbi 15 vjeç zotëron një kartë debiti. Ndërkohë, zotërimi i kartave të kreditit paraqitet në nivele shumë të ulëta, në rreth 4.5% të popullsisë mbi 15 vjeç dhe zotërimi i kartave të parapaguara paraqitet edhe më i ulët, duke marrë parasysh që ky shërbim aktualisht ofrohet vetëm nga dy banka në Shqipëri.
Përtej zotërimit të ulët të kartave si mjet pagese në tregun shqiptar dhe infrastrukturës relativisht jo të zhvilluar, siç mund të evidentohet dhe nga krahasimi me disa nga vendet e rajonit, kartat bankare në Shqipëri gjejnë një përdorim të gjerë në kryerjen e shërbimeve bazike siç është tërheqja e cash-it nga ATM-të (Automated Teller Machine).
Megjithatë, gjatë viteve të fundit është vënë re një zëvendësim gradual i tërheqjeve cash nga ATM-të, ku pagesat me kartë në POS-e, janë katërfishuar në 9 vitet e fundit.
Një instrument që mund të konsiderohet si relativisht gjerësisht i përdorur në tregun shqiptar është dhe karta bankare. Aktualisht në tregun vendas 12 banka nga 12 janë emetuese kartash dhe vetëm 7 nga to janë edhe pranuese të këtij instrumenti si mjet pagese (ofrojnë Point Of Sale).
Gjatë viteve të fundit janë prezantuar edhe shërbimet e pagesave me karta në internet për bizneset shqiptare (e-commerce). Megjithatë, ofrimi i këtyre shërbimeve mund të konsiderohet si tejet i kufizuar, pasi vetëm 3 banka ofrojnë POS-e virtuale (85 POS-e Virtuale në T2 2019).
Ekspertët e Bankës Botërore të mbështetur nga Banka e Shqipërisë hartuan studimin mbi “Mbi matjen e kostove dhe kursimeve të instrumenteve të pagesave me vlerë të vogël”. Ky studim synonte identifikimin e kostove të mbartura nga secili aktor i tregut të pagesave me vlerë të vogël.
Vlerësimet e marra tregojnë se ekonomia shqiptare ka një kosto ekuivalente me 2.5% të PBB-së së vendit (ose afërsisht në 33.7 miliardë lekë), lidhur me përdorimin, emetimin dhe përpunimin e të gjitha instrumenteve të pagesave me vlerë të vogël, nga të cilat 1,7% të PBB-së përbën vetëm mbajtja e parasë cash.
Rezultatet e marra nga skenarët e zëvendësimit tregojnë se zëvendësimi i cash-it dhe i instrumenteve me kosto të lartë, me instrumente me efektivitet të lartë dhe kosto të ulët, do të sjellin një vlerë të shtuar jo vetëm për agjentët e tregut të instrumenteve të pagesave me vlerë të vogël, por për të gjithë ekonominë shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.