Këtë vit 57% e kredisë është dhënë në lekë

06/04/2021 1:00 PM 0 komente

Kredia në lekë po fiton gjithnjë e më shumë terren në ekonominë shqiptare.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për dy muajt e parë të vitit 2021 57% e kredisë së re për ekonominë shqiptare u dha në monedhën vendase.

Për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredia në lekë përbënte më pak se 50% të totalit. Leku është dukshëm dominues në kreditimin e individëve, me rreth 75% të kredisë së re të dhënë gjatë muajve janar dhe shkurt 2021. Por, për të njëjtën periudhë monedha vendase ka qenë mbizotëruese edhe në kreditimin e biznesit, me më shumë se gjysmën e kredisë së re të disbursuar.

Zhvendosja e kreditimit drejt lekut është e dukshme edhe në ecurinë e stokut total të kredisë. Në fund të shkurtit, 51.7% e portofolit të kredisë së sektorit bankar ishte në monedhën vendase.

Në vitet e fundit, huadhënia e sektorit bankar po shfaq një tendencë të dukshme deeuroizimi, me një riorientim drejt lekut. Kjo tendencë është nënvizuar shpesh së fundmi edhe në analizat e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Zhvendosja e kreditimit drejt lekut duket se është përshpejtuar pas pandemisë. Një arsye është politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe zgjerimi i ofertës monetare në monedhën vendase. Që prej marsit të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ndryshoi formën e ankandit të marrëveshjeve të riblerjes, duke iu ofruar bankave akses të pakufizuar në likuiditet.

Pas shpërthimit të krizës, oferta monetare në lekë është zgjeruar ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të likuiditetit në tregun financiar. Likuiditeti më i lartë në lekë favorizohet edhe nga masat që Banka e Shqipërisë ndërmori në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, duke ulur rezervën e detyrueshme për monedhën vendase dhe duke e ulur për lekun.

Megjithëse depozitat bankare ende në pjesën më të madhe janë në euro, bankat detyrohen të bllokojnë më pak fonde në lekë për rezervën e detyrueshme, faktor që e rrit likuiditetin e disponueshëm në monedhën vendase. Prej më shumë se një dekade, gjithashtu, Banka e Shqipërisë, ka përcaktuar kërkesa më të larta për kapital për të mbuluar kreditë në valutë, në rastet kur të ardhurat e huamarrësit janë në lekë. Vitet e fundit, bankat po e ndjekin me më shumë rigorozitet këtë orientim, jo vetëm për shkak se kredia në valutë i rëndon më shumë në kërkesat për kapitalizim, por edhe për të shmangur rreziqet nga ekspozimi i tërthortë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Banka e Shqipërisë e gjykon të nevojshëm një rritje të peshës së kredtimit në lekë, për të rritur efikasitetin e politikës së saj monetare, por edhe për të ulur rreziqet për stabilitetin financiar, të lidhura me rrezikun e kursit të këmbimit për huamarrësit dhe për bankat.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of