Intervistë me Alessandro d’Oria, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Intesa Sanpaolo Bank Albania
Viti 2022 do të shënojë vitin e parë të planit të ri industrial të Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Në një intervistë për “Monitor”, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Alessandro D’Oria, thotë se ky plan përfshin disa projekte lokale dhe në nivel grupi, ndër të cilat, më i rëndësishmi është transformimi i ofrimit të shërbimit bankar.
Sipas tij, ky proces do të realizohet me anë të mjeteve të reja, si ATM-të për depozitim të parave, produkteve të reja, të tilla si fondet e përbashkëta të investimeve dhe instrumentet për mbrojtjen e kredisë dhe në përgjithësi, duke mbajtur si fokus kryesor thjeshtimin e proceseve dhe dixhitalizimin.
Si do ta vlerësonit performancën e bankës suaj gjatë vitit 2021? Cilat ishin sfidat dhe arritjet kryesore që do të dëshironit të veçonit, për sektorin bankar në tërësi dhe bankën tuaj në veçanti?
Viti 2021 ishte një vit mjaft pozitiv për Intesa Sanpaolo Bank Albania. Fitimi neto i normalizuar nga efekti i krizës së shkaktuar nga pandemia (përditësimi i parametrave të rrezikut) ishte 1.1 miliardë lekë, me një rritje prej 13% në vit, në krahasim me fitimin neto të normalizuar të vitit 2020.
Ecuria e jashtëzakonshme u regjistrua në të gjitha kategoritë e të ardhurave, ku banka arriti të realizojë një rritje vjetore prej 13% dhe 10%, përkatësisht nga komisionet dhe aktivitetet tregtare. Rritja vjetore prej 6% e të ardhurave neto nga interesi është ndikuar kryesisht nga rritja me 3.9% e totalit të kredisë për klientët dhe nga rritja e spread-it të kredisë në nivel global.
E nxitur nga rritja prej 7.9% e të ardhurave, Banka arriti të ulë raportin e të ardhurave mbi kosto me 0.4%, duke arritur në shifrën e 54.7%. Duke konfirmuar ecurinë e një viti më parë, në përputhje me udhëzimet e Grupit Intesa Sanpaolo, një vëmendje më e madhe i është kushtuar cilësisë së kredisë.
Sigurisht, ky mund të konsiderohet si një nga faktorët kryesorë të suksesit, që i mundësoi Bankës të shënojë uljen e mëtejshme të raportit të kredive joperformuese me 0.6%, duke arritur një nivel të ulët historik prej 3.9%. Sfida më e madhe ishte aftësia e rimëkëmbjes pas pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 gjatë vitit 2020.
Si rezultat, performanca e shkëlqyer e arritur në vitin 2021 është një tregues i aftësisë së Intesa Sanpaolo Bank Albania për të reaguar në mënyrë proaktive përballë situatave të krizave, duke ruajtur në të njëjtën kohë një nivel të lartë qëndrueshmërie, cilësi kredie, kapitali dhe likuiditeti.
Ekonomia botërore po përballet me rreziqe të reja, të lidhura me inflacionin e lartë dhe konfliktin në Europën Lindore. Çfarë pasojash mund të kenë këto zhvillime në ekonominë shqiptare dhe në sektorin financiar në Shqipëri?
Është e vështirë të bëhen parashikime në momentin që ndodhemi. Kjo, sepse situata varet nga shumë faktorë, siç janë kohëzgjatja e konfliktit, mënyra se si do të arrihet paqja, apo niveli dhe ashpërsia e sanksioneve.
Sigurisht që ne po përballemi më shumë se sa vetëm me luftën, pasi duhet marrë në konsideratë i gjithë ndikimi negativ që ajo do të ketë te një numër i madh njerëzish, pas një kohe të caktuar. Jemi përballë një skenari të ri, me pasoja në furnizimin jo vetëm të naftës dhe gazit, që janë më të rëndësishmet, por edhe në lëndët e para (të tilla si gruri).
Pavarësisht faktit se Shqipëria nuk ka një marrëdhënie të ngushtë shkëmbimi tregtar me Rusinë, kjo e fundit luan rol të rëndësishëm në sistemin botëror të marrëdhënieve ekonomike. Mund të ndikohemi nga kriza energjetike, kryesisht për shkak të çmimeve në rritje. Por dëme mund të pësojnë edhe zinxhirët e furnizimit të sektorëve të veçantë, si moda.
Sektorë të tjerë që mund të ndikohen janë bujqësia dhe turizmi (nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia). Elemente të tjera për t’u marrë në konsideratë janë rritja e inflacionit dhe reagimet e mundshme të bankave qendrore për normën e interesit, të cilat mund të kenë ndikim në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe si rrjedhojë, në rritjen e nivelit të huasë.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit gjatë vitit 2022?
2022 shënon vitin e parë të planit të ri industrial për Grupin Intesa Sanpaolo dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania. Pavarësisht skenarit shumë të pasigurt, për shkak të ndikimeve të mundshme të krizës së Ukrainës në sektorin ekonomik dhe bankar në planin e përgjithshëm, si dhe për performancën e bankës sonë në veçanti, ne jemi të përkushtuar të arrijmë objektivat tona, duke përdorur mbështetjen dhe praktikat e Grupit Intesa Sanpaolo.
Konkretisht, Intesa Sanpaolo Bank Albania, është e angazhuar në shumë projekte lokale dhe në nivel grupi, ndër të cilat më i rëndësishëm është transformimi multidimensional dhe thelbësor i ofrimit të shërbimit bankar.
Për më tepër, ne duhet të realizojmë këtë proces me anë të mjeteve të reja (ATM cash-in), produkteve të reja (të tilla si fondet e përbashkëta të investimeve dhe instrumente për mbrojtjen e kredisë) dhe në përgjithësi, duke mbajtur si fokus kryesor, thjeshtimin e proceseve dhe dixhitalizimin.
Falë kësaj, ne do të mund të arrijmë shndërrimin në një bankë me procese më të thjeshta dhe të unifikuara, që do të na mundësojmë të bëhemi më tërheqës si për klientët, edhe për punonjësit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.