Individët investuan rreth 12.9 miliardë lekë në borxhin e ri të emetuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar për nëntë muajt e parë të këtij viti.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve u rritën me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bonot e thesarit vazhdojnë të dominojnë investimet e individëve, por në rënie të fortë krahasuar me vitin e kaluar. Bonot përbënin rreth 53% të blerjeve totale në tregun primar, për një vlerë prej rreth 6.8 miliardë lekësh.
Por, krahasuar me vitin e kaluar vlera e investimit në bono ka rënë me 13%, ndërsa pesha e tyre specifike ka rënë me rreth 13 pikë përqindje. Ndërkohë, vlera e investimit në obligacione për nëntë muajt e parë të këtij viti arriti në 6.1 miliardë lekë, 54% më shumë krahasuar me një vit më parë. Tashmë obligacionet përbëjnë rreth 47% të investimeve totale të individëve në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët mbanin rreth 12.4% të stokut të borxhit të brendshëm publik në mesin e vitit 2020. Në vlerë, kjo përkthehet në rreth 77 miliardë lekë.
Rritja e investimit të individëve në obligacione është një tendencë që lidhet kryesisht me kërkimin për kthime më të larta nga investimi. Nëse bonot 12 mujore ofrojnë sot një yield mesatar prej 1.74%, kuponi i obligacioneve arrin në 5.22%, në rastin e obligacioneve me maturim 10 vjeçar
Rritja e investimit në obligacione mund të jetë paralelisht edhe një tregues i zgjerimit të horizontit të atyre individëve që zotërojnë kursime apo të ardhura në vlera të konsiderueshme. Nëse deri para pak vitesh kthimet më të larta kërkoheshin kryesisht përmes fondeve të investimit, tashmë investimet e individëve në këto fonde nuk po shfaqin më rritje të qëndrueshme prej pesë vitesh. Në alternativë, më shumë individë po zgjedhin të marrin pjesë vetë në ankandet e tregut primar, përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. /E.SH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.