Këtë vit jemi goditur edhe nga rënia e fuqisë blerëse

11/09/2018 3:47 PM 0 komente

Flet Stefan Pinguli, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës

 

Liria që i është dhënë importit gjithë këto vite ka çuar drejt depresionit të gjithë industrinë. Shitjet ranë me thuajse 25% këtë vit, ndërsa përveç aftësisë blerëse, ulja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla dobësoi dhe aftësitë shitëse te kompanitë vendase të birrës.

Për të bërë ballë humbjet dhe rrudhjen në treg nuk ka mbetur gjë tjetër veç shkurtimit të vendeve të punës, pohon Stefan Pinguli, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës

Si ka qenë ecuria e industrisë vendase të prodhimit të birrës këtë vit? A është mundur që të kapërcehen problematikat që ka pasur kjo industri në vitet e fundit?

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit tregu është goditur nga aftësia blerëse, gjë të cilën nuk e kemi ndier në vitet e tjera. Ndërsa problematika e dytë dhe më kryesore, është ulja e pragut të TVSH-së për shitësit me pakicë. Ata, duke qenë se janë të interesuar të mos e kalojnë pragun e TVSH-së, nuk marrin faturë. Ne, si biznes i madh, e kundërshtuam pragun dhe ishim të mendimit që bizneset e vogla të kontrolloheshin nëse kanë tërhequr faturë për mallin ose jo, por jo të kreditonin TVSH.

Kur na kërkohet mall pa faturë, ne nuk mund të shesim dhe kjo ka sjellë ngushtimin e aftësisë sonë për të shitur. Ata nuk marrin dot me faturë. Bizneset e vogla marrin vetëm mallin e domosdoshëm me faturë. Një pjesë e tyre po furnizohen prej distributorëve pa faturë, në informalitet.
Të gjitha këto vështirësi që krijohen, nga informaliteti deri tek aftësia e tregut për të blerë këtë mall ka krijuar një lloj stanjacioni që ka rrudhur shitjen.

Tjetër problematikë për tregun e birrës vendase janë birrat e importit, të cilat kanë hyrë me aftësi të mëdha financiare dhe kanë shumë aftësi promocionale për të thithur tregun. Ne si industri, më saktë si prodhues vendas, jemi larg vëmendjes së shtetit. Industria prodhuese hap vende pune. Me rrudhjen e mëtejshme të tregut, ose do të ulim rrogat, ose do të nxjerrim njerëzit nga puna.
Deri më tani, për shkak të kësaj tkurrje në treg, kemi shkurtuar vende pune dhe mund të shkurtojmë më tej në rast se situata do të vijojë e njëjtë.

Cilët janë disa nga faktorët që kanë çuar në tkurrjen e tregut për prodhimin vendas?

Faktori i parë është pushtimi nga birrat e huaja. Në krahasim me importin, ne kishim kushte të papërshtatshme për t’u rritur më tej në tregun vendas. Për shkak të pamundësisë për të bërë promocione të mëdha, ne humbëm tregje. Gjithashtu, edhe pamundësia për të shitur në zona ku ka prodhues të vegjël.

Një tjetër faktor për mosrritjen tonë në tregun vendas është marrëdhënia që kemi me institucionet kontrolluese. Industria e prodhimit të birrës ka një kontroll të trefishtë. Së pari nga pulla, së dyti nga DSHA-të, kalimet elektronike që bëjmë si dhe parapagimet akcizës, kur ne edhe mallin që e marrim nga jashtë e paguajmë me 30 ditë vonesë, edhe kontrollet shumë të shpeshta që na bëhen në fabrikë. Në mendimin tim, ky është një lloj presioni mbi prodhimin vendas. Për të zgjidhur këtë, kemi shtuar njerëz në administratë. Nga ana tjetër, shteti nuk ka asnjë lloj mënyre për të penguar pushtimin nga birrat e huaja.

Nuk ka pasur politikë lehtësuese për prodhimin vendas dhe nuk ka pasur asnjë diferencë për prodhimin vendas nga importi. Së fundmi, me shumë vështirësi rregulluam marrëdhënien me birrën Peja dhe Elbar, të cilat janë trajtuar si birra vendase për 4 vite me radhë, ku kapën edhe tregun. Shteti duhet të na jepte mundësinë që të konkurronim. Sot Shqipëria më shumë importon se sa prodhon në vend. Nuk ka asnjë vend, përveçse Shqipëria, me këtë lloj raporti, 60% birrë importi dhe 40% birrë e prodhuar në vend.

Në pjesën më të madhe të vendeve lindore, birrat e importit janë vetëm 5%. Rënia e fuqisë blerëse na ka dëmtuar edhe më tej, tregu është larguar dhe sot po preferon birrat e huaja që i shikon më shpesh në reklama. Shqipëria është i vetmi vend që i krijon kushte më shumë prodhimit të huaj se prodhimit vendas. Pati dhe probleme të tjera, pasi klima nuk qe në favorin tonë.
Një tjetër faktor është largimi i njerëzve, të gjithë të rinjtë po ikin jashtë. Prodhimi është ulur krahasuar me një vit më parë, rreth 25%.

Çfarë mund të jetë një zgjidhje, masat që do të merrni si industri?

Liria që i kanë dhënë importit na ka futur në një depresion që nuk kemi zgjidhje, ose do të shkurtojmë vendet e punës. Po luftojmë për eksport, por sasitë janë ende modeste, është e vështirë pasi i kemi kostot më të larta se sa bota. Po shesim pa fitim, sa për të mbajtur njerëzit në punë. Sot ne kemi kosto të larta në prodhim, transport dhe administrim, gjë që na bën më pak të konkurrueshëm me importin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of