Qeveria e Kinës e di tashmë se po bëhet lokomotiva që tërheq me vete shumë vende që njihen për prodhimin e lëndëve të para, veçanërisht naftës dhe mineraleve. Importet e saj të lëndëve të para kanë arritur kulmin dhe për këtë arsye, tani po mendon të blejë prodhuesit e këtyre lëndëvePas një periudhe shumë të vështirë që zgjati për dhjetë vite, prodhuesit e mineraleve dhe metaleve të të gjithë Botës presin një fat më të mirë gjatë viteve në vijim. Kriza që krijoi shitja e mineraleve të prodhuara në vendet ish-komuniste pas vitit 1990, ka shkaktuar deri më sot falimentimin e industrisë së minierave dhe përpunimit në shumë vende të ndryshme të Botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Por tashmë pritet që shumë gjëra të ndryshojnë. Fati i industrisë së lëndëve të para sot për sot quhet Kinë. Vendi me regjim komunist arriti një rritje reale të PPB-së në 9.1% gjatë vitit 2003, niveli më i lartë që prej vitit 1997. Sektorët që sollën këtë zhvillim, ishin pikërisht industria e makinave dhe ndërtimi. Gjatë vitit të kaluar, importi i naftës në Kinë u rrit me 30%, duke kapërcyer kështu në drejtim të sasisë së importuar, Japoninë dhe duke u renditur si importuesi i dytë në Botë pas SHBA-së. Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Statistikave, Kina zotëron sot gjysmën e konsumit botëror të çimentos, 30% të konsumit të qymyrit, 36% të konsumit të hekurit. Importi i bakrit është rritur me 15%, ndërsa ai i nikelit është dyfishuar. Kjo gjë ka sjellë rritjen e fortë të çmimeve të metaleve në tregun ndërkombëtar. Çmimet janë rritur mesatarisht me 50% brenda një viti dhe ato janë sot 75% më të larta se dita e zezë e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ky është një zhvillim që ka sjellë bereqet për gjigantët ndërkombëtarë të metaleve, Rio Tinto, Bhp-Billiton, Wmc Resources dhe Alcoa. Secila prej tyre ka fituar në bursë nga 20 deri në 90%. Së fundmi, është Goldman Sachs, e cila ka rritur vlerësimin për të ardhmen e sigurtë të investimeve në kompanitë që merren me prodhimin dhe përpunimin e lëndës së parë. Gjithçka lidhet me kërkesën në rritje në Kinë. Natyrisht, jo të gjithë janë të kënaqur për këtë rritje çmimesh. Kostoja e lëndëve të para dëmton konsumatorët gjithandej, pavarësisht faktit se rënia e çmimit të dollarit, valuta që përdoret në këtë treg, i ka bërë kostot më të lehta. Kostot më të larta të lëndëve të para kanë dëmtuar para së gjithash, prodhuesit e çelikut dhe ato të bakrit. Kompanitë japoneze « Sumitomo Metal Industries » dhe « Nisshin Steel », kanë filluar të përdorin materiale me cilësi më të dobët për të mbajtur kostot. Nisshin parashikon të rrisë përdorimin e materialeve me cilësi të dobët deri në 30% të konsumit të vet të përgjithshëm.Vetë Kina, nga ana tjetër po përpiqet ta përdorë sa më mirë këtë rritje çmimesh të shkaktuar nga vetë ajo, me qëllim që të mos bjerë viktimë e lulëzimit të vet ekonomik. Autoritetet e Pekinit kanë hartuar një strategji që synon të blejë aksione në kompanitë që punojnë në nxjerrjen dhe përpunimin e metaleve dhe lëndëve të tjera të para.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.